web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

7 deputetë nën hetim dhe drejt ndjekjes penale, fshehën dhe refuzuan deklarimin e pasurisë

10 Maj 2015, 12:16, Aktualitet CNA

Shtatë deputetë të Parlamentit Shqiptar janë nën hetim, ndërsa rrezikojnë të ndiqen penalisht në ditët në vijim për fshehje pasurie dhe refuzim të deklarimit të pasurisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Gjithçka është deklaruar në formularët e pasurisë pranë ILDKP, për vitin 2014, duket se është vetëm maja e ajzbergut e pasurisë reale që posedojnë disa nga ligjvënësit shqiptarë.

Sipas burimeve, një deputet i krahut të djathë, nuk ka pranuar që të deklarojë pasurinë pranë ILDKP, duke sfiduar ligjin, institucionin dhe qytetarët, ndërsa gjashtë deputetë të tjerë kanë deklaruar pjesërisht pasurinë, duke fshehur të ardhura dhe pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikojnë dot. Të gjithë deputetët janë subjekte nën hetim dhe verifikim nga ana e ILDKP. Për ligjvënësin që ka refuzuar dhe që nuk pranon të deklarojë pasurinë, sipas burimeve, po përgatitet një kallëzim penal, i cili më pas do të referohet në Prokurori.

Deputeti në fjalë, pavarësisht se është vënë në dijeni nga ILDKP për detyrimin ligjor, vijon rezistencën duke mos deklaruar pasurinë. Ndërkaq, inspektorët e ILDKP po verifikojnë pasurinë dhe transaksionet e dyshimta të gjashtë deputetëve të tjerë, transaksione këto që nuk pasqyrohen në deklaratat e pasurisë që kanë bërë pranë institucionit përkatës. Gjashtë deputetët në fjalë, janë po aq të rrezikuar sa edhe deputeti që nuk deklaron pasurinë pranë ILDKP. Shtatë deputetët janë pjesë e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Ndërkaq, burime pranë ILDKP kanë bërë me dije, se objekt verifikimi dhe hetimi do të jenë edhe deklaratat e disa ligjvënësve të tjerë, të cilët kanë deklaruar transaksione dhe të ardhura të larta dhe të dyshimta.

Edhe në deklaratë është referuar burimi i të ardhurave, dyshimet janë të forta. Konkretisht, dyshohet për falsifikimin e dokumenteve bashkëngjitur deklaratës së pasurisë, për justifikimin e të ardhurave dhe transaksioneve të dyshimta. Është një skemë e njohur dhe e aplikuar nga shumë zyrtarë të lartë, për të justifikuar paratë e krimit dhe të korrupsionit.     Zbardhja e pasurive    Gazeta SOT, gjatë kësaj jave, ka zbardhur pasurinë e një pjese të pushtetarëve në Shqipëri, konkretisht të 20 ministrave të kabinetit qeveritar, kryeministrit, kreut të shtetit, kryeprokurorit, gjyqtarëve dhe disa deputetëve. Edhe pse për ministrat dhe gjyqtarët viti 2014 ka qenë një vit luksi, sërish pasuria e tyre është tejet modeste krahasuar me pasurinë e disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët se sa më ligjvënës dhe përfaqësues të popullit ngjajnë me sheikët e naftës. Vetëm një deputet i Parlamentit ka deklaruar transaksione, të ardhura nga bizneset dhe pasuri të paluajtshme për vitin 2014 sa të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar të marrë së bashku.

Apeli i ambasadorit amerikan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet ambasadorit në Tiranë, Donald Lu, kanë shprehur shqetësimin për bllokimin e dosjeve të pasurisë nga ana e Prokurorisë Shqiptare. Gjatë një vizite, disa ditë më parë, në ILDKP, ambasadori amerikan i bëri thirrje kryeprokurorit Llalla që të shqyrtojë me kujdes dhe të referojë në gjykatë kallëzimet penale të ILDKP. Ambasadori Lu ka kërkuar që Prokuroria të trajtojë me seriozitet kallëzimet penale të ILDKP për fshehje pasurie. Gjatë muajve të fundit, qindra zyrtarë të lartë janë ndëshkuar me gjoba për mosdeklarim në kohë të pasurisë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë kallëzuar në Prokurori për fshehje pasurie.

Sfidat e ILDKP dhe ndryshimet ligjore    Në maj 2014, u miratuan ndryshime në ligjet për deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, duke shtuar numrin dhe shpeshtësinë e kontrolleve të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfliktin e Interesit (ILDKPKI) dhe duke detyruar deklarimin e vlerave në para në dorë mbi një vlerë të caktuar dhe duke kërkuar depozitimin e tyre në bankë. Dorëzimi i informacionit të rremë është bërë vepër penale, ndërsa pritet edhe legjislacioni i ri lidhur me mbrojtjen e informatorëve të korrupsionit, si dhe ngritja e strukturave për zbatimin e këtij ligji. Sfidë në këtë kuadër vijon të jetë bashkëpunimi i ILDKPKI-së me institucionet e tjera, pasi ILDKPKI-ja bazohet në bashkëpunimin e autoriteteve përgjegjëse dhe rolin e tyre kyç për të realizuar punën e tij.

Rritja e kapaciteteve teknike të ILDKPKI-së, aksesi në databaza shtetërore për shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për hetimet administrative dhe rritja e kapaciteteve të autoriteteve përgjegjëse mbeten ende sfida. Më tej, publikimi i deklarimeve të pasurive (në vijim të rekomandimeve të GREO-së dhe organizatave ndërkombëtare), si dhe kontrolli i pasurive të zyrtarëve të lartë mbeten prioritete.   Hetimet në bashkëpunim APP dhe QKR   Gjatë ditëve të fundit, një hetim gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e shumë institucioneve ligjzbatuese, ka nisur për pasuritë e pushteteve të sferave të larta.

Hetimet dhe verifikimet po drejtohen nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit të Parave, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Agjencinë e Prokurorimit Publik etj. Sipas burimeve, fillimisht po bëhet identifikimi i të konfliktit të interesave të regjistrit të ILDKPKI, përmes krahasimit periodik me regjistrin elektronik të APP dhe QKR. Për çdo rast të konfliktit të interesave do të sinjalizohet Prokuroria, për t?u vënë në lëvizje. Përpos rasteve të konfliktit të interesave, në sitën e ILDKPKI, Pastrimit të Parave dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, do të jenë edhe paradokset dhe deklarata e dyshimta të pasurisë së pushtetarëve të lartë. Nuk dihet se kë do të fundosni procesi i tërheqjes së fijeve të pasurive të fshehta, por kambanat po bien për peshat më të rënda të politikës shqiptare. Ky proces, sipas burimeve, do të pasohet me kallëzime penale, referime në prokurori, arrestime dhe procedime.





Lajmet e fundit nga