web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Hapje fantastike vendesh pune

15 Mars 2015, 08:49, Aktualitet CNA

Nga Artan Fuga

Eshtë e kotë të shpresohet të zgjidhet papunësia me këtë ekonomi që kemi.

Kot nanurisemi.

Edhe ato vende pune që krijohen nuk përballojnë as rritjen demografike natyrore.

Por, ka një mundësi tjetër.

Fantastike.

Sektori publik, nëpunësit, ushtarakët, infermierët, punonjësit e bashkive, etj.

Për cdo vend pune aktual mund të krijohen pesë vende pune të tjera.

Ky është propozimi im për fushatën e ardhshme elektorale. Pra i bie të krijohen disa qindra mijra vende pune, ndofta një milion. Aq sa duhen.

Ja sesi do të veprojë partia jonë e “qiqrave në hell” :

Je ti punonjës në administratë, dhe ke moshën 55 vjec ?

Domethënë se brenda pesë vjetëve do të dalësh në pension. Ne qysh tani do të hapim konkursin për këtë vend pune. Ai që e fiton emërohet qysh tani, por përkohësisht qendron në pritje. Ky nuk duhet të ketë më pak se 50 vjeç. Por edhe ky parashikohet të dali në pension për 10 vjet. Atëhere qysh tani, pa pritur asnjë dekikë, hapim një konkurs të ri. Për 40 vjeçarë. Qysh tani. Ai që e fiton ta dijë se është emruar pas 10 vjetëve në atë vend pune. E kështu vazhdojmë për pesë prsona që vit pas viti do të zenë vendin e punës kur t’i vijë rradha. Punësojmë edhe 30 – vjeçarë, madje edhe më të vegjël.

Por, ky mekanizëm punësimi do të vazhdojë të përmirësohet. Ai quhet krijimi i vendeve të punës me makinën që udhëton në kohë.

Masim sa për qind e nëpunësve aksidentohen, sa i ze kanceri, sa ikin në emigrim, etj në cdo pesë vite. Qysh tani hapen vendet e punës për ato çka do të ndodhin në njëzet vitet e ardhshme. Cdo vend pune do të kete pesë të punësuar të gatshëm për ta zenë atë vend pune njeri pas tjetrit.

Mund ta konsiderojnë veten e tyre të punësuar qysh tani. Madje pavarësisht zse ende nuk do të kenë pagë, mund t’i fillojnë pagesat e sigurimeve shoqërore qysh tani. Kështu pensioni do t’u dalë shumë më i lartë sa çfarë e mendojnë dhe buxheti i shtetit do të fryhet pa fund.

Duke i shpallur këta zëvendësues të njeri tjetrit ne i mbajmë ata si votues të partisë sonë, shtojmë elektoratin tonë me pesë herë, ulim papunësinë pesë herë dhe gjithçka zgjidhet, ne bëhemi vendi me më pak papunësi në Europë pas Suedisë. I dyti.

Po, prit se kemi edhe avantazhe të tjera. Pesë të punësuarit për një post, duke pasur padurim për të ardhur koha e tyre, do të nisin të eliminojnë njeri tjetrin, do t’i shkaktojnë aksidente, do ta mërzisin njeri tjetrin për t’i shkurtuar jetën, do t’i vendosin tritol njeri tjetrit, etj.

Këta të inkriminuarit do t’i fusim në birucë dhe kështu papunësia bie edhe më shumë.

Ndërkaq edhe bakshishet për çdo vend pune do t’i marrim qysh tani. Do t’i marrim pesë herë më shumë, partia do të fuqizohet financiarisht, një pjesë të parave do ta vendosim qysh tani në banka dhe masa e kapitalit bankar në likuiditete do të rritet shumë, ekonomia do të rritet me ritme rritjeje prej 22 % dhe kështu do të zgjidhim edhe problemin e ngecjes ekonomike që na ka futur këmbën në fyt.

Si ju duket si platformë elektorale???

Ftoj ministrin e financave (atë aktualin, por edhe ministrat që kanë qenë përpara tij në atë detyrë, si edhe 5 ministrat që do të emërohen në dhjetë vitet e ardhshme, që do t’i emërojmë qysh tani) t’i bëjnë një opononencë këtij propozimi.

Kështu ne për cdo post ambasadori në Vatikani, Teheran, Uzbekistan, a gjetiu, do të emërojmë pesë deri në dhjetë ambasadorë në pritje, do të kemi përshembull pesë ministra arsimi dhe kulture në pritje, pesë zëvendëskryeministra në pritje, me dhjetra e qindra deputetë të zgjedhur por në pritje qysh nga ky çast, etj.

Jam i bindur se kështu Shqipëria do të ndriçojë gjithë rajonin për nga solidariteti social dhe partia jonë e “qiqrave në hell” do të dalë fituese në 20 vitet e ardhshme kundër partive aktuale.

Unë këtë mekanizëm e kam gjetur duke studjuar disa libra të vjetër mesjetarë që duken se nuk i duhen as dreqit, por janë thesarë, ku hierarkia fetare kur ishte keq në financa, bënte pikërisht këtë, caktonte klerikun që do të mbante një post, sa më të vjetër në moshë, dhe sapo e emëronte, hapte konkurrimin po për këtë vend në rastin se kleriku i parë do të vdiste, do rrëzohej nga kali, do të vdiste i infektuar nga murtaja, e kështu me rradhë. E pastaj konkursi për të zëvendësuar të tretin e me rradhë. Të gjithë paguanin për kapjen e vendit dhe pastaj nuk kishin se çfarë bënin veçse të prisnin. Vdekja e cdo ofiqari qahej me lotë, por nga pas perdes zemrat e atyre që prisnin ta zëvendësonin gufmonin nga lumturia.

Mos e merrni me të qeshur!





Lajmet e fundit nga