web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Më në fund serbët dhe grekët e pohuan se shqiponja dykrenore është një simbol ekskluzivisht shqiptar

1 Nëntor 2014, 23:00, Politikë CNA

Nga Kastriot MYFTARAJ

Të vendosësh të dy krahët në gjoks, me duart e shtrira dhe me dy gishtat e mëdhenj të bashkuar në atë mënyrë që të krijohet imazhi i shqiponjës me dy krena, tashmë shihet edhe nga ana e serbëve dhe grekëve, si një simbol etnik shqiptar, madje provokues. Ndonëse grekët dhe serbët deri më sot kanë pretenduar se shqiponja dykrenore është një simbol me origjinë bizantine, të cilin e kanë kopjuar shqiptarët për flamurin e tyre. Me këtë reagim, serbët dhe grekët pohojnë se shqiponja dykrenore për ta është vetëm një simbol burokratik i adaptuar në heraldikën shtetërore, që nuk është pranuar nga shpirti i kombit. Se nëse do të kishte qenë ndryshe, atëherë edhe ata do ta përdornin gjestin që shpreh identifikimin me shqiponjën dykrenore, dhe që tregon se njeriu që bën gjestin e ka simbolin e shqiponjës dykrenore te ngulur thellë në shpirtin e tij.
Deri më sot të pretendoje se shqiponja dykrenore është një simbol shqiptar i trashëguar nga ilirët, të quajnë delirant naçionalist dhe spekulues, madje sharlatan. Por kur është fjala për origjinën e simboleve, nuk është pa rëndësi fakti se kush ka traditën më të fortë të nderimit të tyre. Grekët qartësisht nuk kanë një traditë të nderimit të shqiponjës dykrenore, të cilën e kanë parë vetëm si simbol burokratik bizantin. Shqiponja dykrenore nuk gjendet në flamurin grek. Në të vërtetë, Imperia Bizantine e trashëgoi simbolin e shqiponjës dykrenore nga Imperia Romane, për të cilën nuk ka një shpjegim të besueshëm se nga e gjeti atë. Roma e vjetër, qyteti paraimperial, dhe latinët që e popullonin atë, nuk e kanë përdorur këtë simbol. Simboli i Romës paraimperiale ishte ujkonja e cila kishte ushqyer dy themeluesit e qytetit, kur ishin foshnja.
Serbët, nga ana e tyre, e kanë marrë shqiponjën dykrenore nga Bizanti, për ta përdorur si simbol shtetëror, por duke mos pasur një traditë popullore për të, i kanë dhënë ngjyra nga më të çuditshmet. Kështu, shqiponja dykrenore në flamurin e Car Stefan Dushanit, të vitit 1339, ka qenë në ngjyrë të kuqe???!!! Një shqiponjë e kuqe nuk është parë kurrë në botë. Më pas, në shekullin XIX në flamurin e shtetit serb u vendosur shqiponja dykrenore në ngjyrë të bardhë. Këto inkoherenca absurde janë provë se ky shpend imagjinar nuk ka të bëjë me traditën popullore serbe. Në Serbi dhe më gjerë në Ballkan nuk ka pasur kurrë shqiponja të bardha. Në dallim nga shqiponja serbe e cila ka qenë një herë e kuqe dhe pastaj e bardhë, shqiponja shqiptare ka qenë gjithëherë e njëjtë, e zezë. Serbët e nderojnë shqiponjën dykrenore si simbol nacional, por në mënyrë domethënëse nuk kanë një gjest tradicional të identifikimit me të, si ai me krahët e kryqëzuar në gjoks.
Ndryshe nga ç? ndodhi në flamurin serb, shqiptarët në flamurin e tyre nuk e prenë kurrë shqiponjën në katër pjesë me anë të kryqit të vendosur sipër saj. Kjo tregon fuqinë e kultit të këtij simboli te shqiptarët, paprekshmërinë e tij për asnjë arsye. Ndonëse Skënderbeu ishte i krishterë që i printe një ushtrie të krishterë shqiptare, e cila përballej në fushëbeteja me ushtritë turko-islamike, që luftonin në emër të Islamit, megjithatë kryeprijësi shqiptar nuk e preu shqiponjën në flamur, duke i mbivendosur asaj kryqin që do ta ndante atë praktikisht në katërsh. Ndonëse nga kjo gjë Gjergj Kastrioti do të kishte pasur përfitime në Vatikan. Duket se kulti i shqiponjës dykrenore ishte aq i fortë te shqiptarët sa ata nuk mund ta pranonin këtë gjë.
Shqiptarët kanë një veçori tjetër sa i përket përdorimit të simbolit të shqiponjës dykrenore. Është e vërtetë se shqiponja dykrenore është një nga simbolet më të përdorur në heraldikën europiane, si pjesë e emblemave shtetërore, që nga Antikiteti deri në kohën tonë. Në Mesjetë atë e ka përdorur Imperia e Shenjtë Romane, që përfshinte atë që më pas njihej si Austro-Hungaria dhe një pjesë të madhe të Gjermanisë së sotme. Austro-Hungaria e ka përdorur gjithashtu më vonë. Rusia e ka pasur simbolin e vet që nga viti 1472. Këtë simbol e kanë përdorur mbretëritë angleze të Mesjetës së hershme, e kanë përdorur në Skoci, e ka përdorur nga Imperia mesjetare Bullgare. Por në të gjitha këto raste shqiponja dykrenore është përdorur si emblemë, si coat of arms. Vetëm në rastin e Shqipërisë ajo është nderuar duke u vendosur në flamur, si simboli kryesor i tij.
Në flamurët që ka pasur shteti grek që prej krijimit të tij, në gjysmën e parë të shekullit XIX, dhe deri më sot, shqiponja dykrenore nuk ka ekzistuar kurrë. Madje shqiponja dykrenore nuk ka ekzistuar kurrë as në emblemën shtetërore (coat of arms) të Greqisë.
Mali i Zi, në flamurin kombëtar të të cilit gjendet shqiponja dykrenore, nuk mund përbën përjashtim. Flamuri historik që Mali i Zi ka pasur para vitit 1876, i quajtur krstash bajrak, ishte i kuq me një kryq të bardhë në mes. Në 1876, në flamurin malazez u vendos shqiponja dykrenore e verdhë (shqiponja e artë) në qendër, por poshtë saj u vendos edhe një luan, në ngjyrë të verdhë. Shqiponja dykrenore e verdhë kishte qenë në emblemën e shtëpisë princërore të Crnojeviçëve që në shekullin XV. Por ajo nuk ekzistonte në emblemën e Principatës së Malit të Zi. Në emblemën e kësaj principate, në 1696 u vendos shqiponja dykrenore e bardhë. Shqiponja e verdhë e Crnojeviçëve u adoptua vetëm në 1876, por këtë herë mungonte në emblemën shtetërore, ndonëse ekzistonte në flamur?! Në 1905, shqiponja e verdhë u hoq nga flamuri dhe u vendos në emblemën shtetërore malazeze. Të gjitha këto inkoseguenca tregojnë se shqiponja e verdhë dykrenore nuk shihej si një simbol me rrënjë të thella në kujtesën kombëtare malazeze. Në flamurin nacional malazez të sotëm gjendet shqiponja dykrenore e artë. Edhe ky është një stilizim burokratik i shqiponjës dykrenore bizantine, që nuk ka lidhje me realitetin. Nuk ka shqiponja të verdha.
Flamuri shqiptar është i vetmi në të cilin shqiponja dykrenore ekziston si simboli kryesor, praktikisht i vetëm. Ndonjë shtesë tjetër që i është bërë këtij simboli është thjesht anësore. Asnjë komb dhe shtet tjetër nuk ka një koherencë të tillë të nderimit të shqiponjës dykrenore, me të njëjtën ngjyrë, të zezë, duke e evokuar këtë simbol pas rreth pesë shekujsh, që në momentin e rikrijimit të shtetit shqiptar, dhe duke e mbajtur atë si simbolin kryesor, praktikisht të vetëm të flamurit pandërprerje që nga ajo kohë. Flamuri serb dhe ai grek ndryshuan disa herë tërësisht pas krijimit të shteteve përkatëse në shekullin XIX. Flamuri shqiptar nuk ka ndryshuar asnjëherë. Për më tepër që shqiponja dykrenore shqiptare ka qenë gjithmonë në ngjyrë të zezë, çka tregon konsistencë me traditën popullore për këtë këtë shpend-simbol.
Shqiponja dykrenore e zezë, për të cilën është e vërtetuar biologjikisht se mund të ekzistojë, si një mutacion gjenetik, ndonëse shumë i rrallë, duket se iu ka bërë shumë përshtypje ilirëve dikur, sa ata e kanë adhuruar atë si simbol. Kjo duket edhe në gjestin e bërjes së shenjës së shqiponjës dykrenore me bashkimin e dy krahëve në gjoks, me duart e shtrira, që vihet re në vallet shqiptare. Një shenjë të tillë nuk e përdorin as serbët, as grekët. Vetë nderimi i shqiptarëve për shqiponjën e zezë dykrenore është veç të tjerave një provë e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Është e qartë se vetëm një komb, ai shqiptar ka një traditë të rrënjosur thellë të shqiponjës dykrenore. Shqipëria është i vetmi vend me një traditë të shqiponjës dykrenore, ku ka kohezion historik mes përdorimit të këtij simboli në flamur dhe në
emblemën shtetërore.





Lajmet e fundit nga