web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Turet e Ramës në Europë dhe Amerikë gjatë 2024/ Protesta dhe mesazhe të forta

1 Janar 2025, 13:00, Politikë CNA
Turet e Ramës në Europë dhe Amerikë gjatë 2024/
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka kryer një sërë takimesh gjatë vitit 2024, duke shënuar kështu në njëfarë mënyre edhe startin e fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit 2025.

Rama e nisi turin e tij të takimeve me diasporën në datën 12 maj në Athinë.

Kjo ishte një datë që solli jo pak polemika dhe reagime, pasi 12 maj përkonte me arrestimin e Fredi Belerit, i cili fitoi zgjedhjet në Himarë, por u vu në pranga nga policia për korrupsion në zgjedhje.

Gjatë takimit, Rama foli për raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe a do të ndikonte arrestimi i Belerit në marrëdhënien e vendeve fqinje.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër ndaj Greqisë përveç respektit dhe kujdesit reciprok për bashkëkombësit që jetojnë në të dyja shtetet tona, si dhe marrëdhënieve reciproke të miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë”, ndërsa theksoi se vendi i tij. Më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë, është e gjitha përpara dhe këtë besim e kam të armatosur, me gatishmërinë që ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh, si europianë largpamës të shekullit të ri, jo të vazhdojmë t’i zvarrisim si ballkanas syleshë të shekullit të vjetër, për t’i kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale”, u shpreh Rama gjatë takimit në Athinë.

Rama në Milano, shënohen incidente

Pas Athinës, vizita e radhës e Ramës ishte në Milano, Itali, ku në fakt nuk munguan incidentet.

Takimi në Milano i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë u shoqërua me momente tensioni.

Disa emigrantë shqiptarë shfaqën gjatë takimit banderolën e tyre ku shkruhej “Dua të votoj në 2025”.

Turet e Ramës në Europë dhe Amerikë gjatë 2024/

Kjo solli një përplasje mes emigrantëve, por nuk pati përshkallëzim të konfliktit.

Ndërkohë mesazhi i Ramës nga Milano ishte: Koha e mirë e Shqipërisë më në fund ka ardhur motra dhe vëllezër dhe vetëm ne shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të saj, brenda dhe jashtë kufijve të politikës, brenda dhe jashtë kufijve të së mundurës mund dhe do ta bëjmë këtë kohë, një kohë që do të shënjohet në historinë e vendit tonë siç u shënjua në historinë e shqiptareve në Europë koha juaj, koha e ribashkimit përfundimtar me familjen europiane.

Rama foli për shumëçka në takimin e tij me emigrantët në Itali, duke thënë se Shqipëria ka ndryshuar shumë që prej kohës që ata kanë emigruar, ndërsa i ftoi që të investojnë në Shqipëri.

Ai e cilësoi si gënjeshtër akuzën e opozitës se 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi.

Takimin në Milano, Rama tha se e përjetoi me shumë emocione, të cilat i ndau me të gjithë duke u shprehur:

“Dua që ta dini se më ka emocionuar tej mase vala e nxehtë e përshëndetjeve dhe ftesave të shumë shqiptarëve që më kanë shkruar gjithë këto ditë, në fakt menjëherë pasi mbaroi takimi në Athinë, për t’i vizituar atje ku janë, në të katër anët e Italisë”.

Takimi i Ramës në New York

Kryeministri Edi Rama në 26 tetor zhvilloi takimin e tij me emigrantët në New York. Rama u prit me protestë në New York ndërkohë që pati dhe shumë reagime të forta për shkak të shpenzimeve të tij gjatë vizitës në New York.

Gjatë fjalës së tij në takim, Rama kërkoi votën e emigrantëve në zgjedhjet e 11 majit të 2025.

“Dhe prandaj diaspora sot, shqiptarët jashtë atdheut sot duhet të luajnë për Shqipërinë atë rol që kanë luajtur për shqiptarët këtu dhe duhet të bëhen garantë me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje që Shqipëria nuk kthehet më mbrapa. Prandaj kam ardhur këtu, për t’ju kërkuar që ta vazhdojmë dhe ta përmbushim së bashku këtë mision të nisur një dekadë më parë, për ta ngjitur Shqipërinë në majën e 2030, duke e bërë të pakthyeshme rrugën e Europës dhe duke e bërë për shtetin tonë, flamurin tonë, atë që çdo shqiptar si ju, në Amerikë apo Europë, ka bërë për veten e vet, për familjen e vet, për të ardhmen e fëmijëve të vet, duke u bërë pjesë krenare, e pandashme e bashkësisë, që sot jeton dhe punon këtu në Amerikë apo matanë oqeanit, në Europë", u shpreh Rama gjatë takimit.

Rama në Selanik, mesazhet e forta

Kryeministri e vijoi turin me vizitën e radhës në Selanik, Greqi.

Në atë takim Rama u tregua i qartë me autoritetet greke, të cilat kishin ndaluar një grup gazetarësh në kufi.

Gjatë takimit ai theksoi se kjo gjë nuk do t'u ndodhte kurrë gazetarëve të tyre që do të hynin në Shqipëri për një event.

Po ashtu kërkoi që t’i hiqej "non grata" gazetarit Marin Mema.

Më pas Rama u dha fjalën emigrantëve që për të gjithë ata që duan të votojnë, votimi do të bëhet me postë.

“Për të gjithë ata që do të duan të votojnë nga aty ku janë, do të bëhet me postë, fleta do të vijë me zarf. Jemi duke diskutuar edhe dërgimin mbrapsht që të mos ketë kosto për ata që do jenë zgjedhësit e parë nga jashtë”, tha Rama.

Protesta dhe tensione në Londër gjatë takimit të Ramës me emigrantët

Kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin me emigrantët në Londër në datën 24 nëntor ku u prit me protestë dhe nuk munguan tensionet në sallë, ku pati përplasje mes simpatizantëve.

Rama i drejtoi gishtin opozitës për këtë fakt ku më pas deklaroi se duhet të çlirohet nga pengmarrësit.

“Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë një fitore, jo një fitore vendimtare, por një fitore përfundimtare, edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe nga pengmarrja për hallet e disa udhëheqësve të diskredituar nga historia”.

Ndër të tjera u kërkoi votën emigrantëve në Londër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ju sot jeni votues, që për herë të parë do të mund të merrni pjesë në zgjedhjet politike duke gëzuar dhe ushtruar të drejtën e votës nga këtu ku jeni! Fare hapur e them se pranverën e ardhshme e dua votën tuaj nga ky gadishull, për t’iu bërë edhe më krenarë në sytë e botës dhe për ta bërë Shqipërinë më të mirë.”

Po ashtu pati dhe një mesazh të koduar për kryebashkiakun Erion Veliaj ku u shpreh se: “Deri në ditën e fundit që do të jem në atë zyrë kurrë nuk do të tradhtoj askënd që më ka dhënë besimin dhe nuk diskutohet që kam bërë dhe unë gabimet e mia dhe do të bëj gabime të reja, sepse asnjë njeri nuk është i pagabueshëm. Të jeni të bindur që kurrë nuk do të bëj fajin që t’ju ha prapa shpine”, tha Rama./ CNA





Lajmet e fundit nga