LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse regjimet autokratike nuk mund të rrëzohen përmes protestave paqësore

23 Dhjetor 2022, 08:34, Opinione Leonid Bershidsky

Pse regjimet autokratike nuk mund të rrëzohen përmes protestave

Përgjegjësia kolektive e rusëve për pushtimin e Ukrainës, ka të bëjë pjesërisht me dështimin e tyre për ta larguar regjimin e Putinit, që në momentin e parë kur ai rrëshqiti drejt fashizmit të plotë. Shumë ukrainas, përfshirë presidentin Volodimir Zelenski, që e kanë kuptuar këtë dështim nuk janë njerëz emocionalë dhe të paarsyeshëm.

Vitet e fundit, grushtet e shtetit dhe protestat e dhunshme kanë qenë gjithnjë e më efektive, ndërsa lloji i protestës paqësore që ka përdorur deri tani opozita ruse, ka prodhuar shumë pak rezultate. Në fakt, unë gjykoj se është koha për ta varrosur njëherë e mirë iluzionin, e lindur nga gjendja vegjetative e disa regjimeve të kalbura komuniste të fundit të viteve 1980, se nëse shumë njerëz marshojnë në rrugë apo dëgjojnë fjalime fisnike në një shesh, edhe regjimet më brutale do të nisin që të shkërmoqen.

Demokracitë funksionale reagojnë ende ndaj protestave paqësore. Por një Gandi apo Nelson Mandela i ditëve të sotme, rrezikon të mos dalë asnjëherë nga burgu në autokraci si Rusia, Bjellorusia, Irani, Kuba apo Kina.

Sipas një grupi të dhënash të nxjerra nga politologët në Universitetin e Ilinoisit, SHBA, suksesi dhe shpeshtësia e grushteve të shtetit janë që të dyja në rritje. Vitin e kaluar, ndodhën grushte shteti në Tunizi, Sudan, Mianmar, Mali, Çad dhe Afganistan.

Ky ishte numri më i lartë që nga viti 1999. Këtë vit ndodhën 4 grushte shteti, dy në Burkina Faso, nga një në Sri Lanka dhe Kazakistan, ku presidenti legjendar Nursulltan Nazarbajev, u spostua nga pasuesi i tij Kasim-Xhomart Tokajev. Ky është numri më i lartë i grushteve të shtetit që nga viti 2005.

Nga ana tjetër po zbehet ndjeshëm efektiviteti i protestave të mëdha paqësore. Sipas “Global Protest Tracker” të think-tankut “Carnegie Endoëment”, që përmban të dhëna që nga viti 2017, aktiviteti i protestave ka ardhur në rritje, me 89 aksione të rëndësishme antiqeveritare të regjistruara këtë vit, më shumë sesa në cilindo nga 5 vitet e mëparshme.

Por përqindja e atyre që kanë sjellë lëshime ka qenë në rënie, vetëm 23.6 për qind këtë vit, norma më e ulët që nga viti 2017. Në një studim të vitit 2022, bazuar tek një mori të dhënash të tjera mbi këto lëvizje, Erika Çenouet nga Universiteti i Harvardit vuri në dukje se “me gjithë shtimin e tyre, popullariteti, fushatat maksimaliste jo të dhunshme kanë shkallën e tyre më të ulët të suksesit në më shumë se një shekull”.

Ajo shton:”Vitet 2020 dhe 2021 kanë qenë më të këqijat të regjistruara sa i përket pushtetit të njerëzve që nga vitet 1930. Në të njëjtin vit që kryengritja talebane e rrëzoi qeverinë afgane dhe e dëboi misionin ushtarak të SHBA-së, lëvizjet popullore të protestës në Mianmar dhe Bjellorusi u shtypën brutalisht.

Për herë të parë që nga vitet 1940 - një dekadë e dominuar nga rebelimet partizane të mbështetura nga shteti kundër pushtimeve naziste - rezistenca jo e dhunshme nuk ka një avantazh statistikisht të rëndësishëm ndaj kryengritjes së armatosur sa i përket shkallës së suksesit”.

Këtë vit që po mbyllet, gjeografia e protestave ka qenë vërtet globale, nga Argjentina në Belgjikë, nga Kameruni në Kubë, nga Haiti në Hungari. Në shumicën e rasteve, njerëzit dolën në rrugë për shkak të vështirësive ekonomike, por kjo nuk i çoi askund.

Po aq të pasuksesshme ishin edhe ato protesta kryesisht paqësore, të motivuara nga dëshira për më shumë liri apo nga indinjata ndaj korrupsionit qeveritar. Dështimi i protestave në Iran - të paktën deri më tani - pavarësisht mbështetjes së gjerë që gëzojnë në shoqërinë iraniane, është një rast i tillë.

Çenouet fajëson për këtë teknikat e “shtypjes së zgjuar” të përdorura nga qeveritë gjatë viteve të fundit. Pra një kombinim i strategjive ‘përça dhe sundo’, shtypjes dixhitale, propagandës dhe keqinformimi, dhe shpalljes së kompetencave të emergjencës në kontekstin e krizave.

Këto teknika u përsosën gjatë pandemisë COVID-19, pasi edhe vendet demokratike mësuan që t’i kufizojnë tubimet, të censurojnë rrjetet sociale, dhe të përdorin mbikëqyrjen masive përmes teknologjisë.

“Vetëm vitin e fundit, agjencitë e sigurisë në të paktën 4 vende europiane - Greqi, Hungari, Poloni dhe Spanjë - janë përfshirë në skandale në të cilat agjencitë shtetërore janë akuzuar për vendosjen e përgjuesve ndaj gazetarëve dhe figurave të opozitës politike”- vë në dukje Ronald Daibert, drejtor i Laboratorit Qytetar në Universitetin e Torontos.

Mbylljet e internetit janë tashmë një rutinë gjatë trazirave të mëdha. Por regjimet autokratike kanë mësuar të përçajnë dhe sundojnë platformat, nga "Facebook" te "Telegram". Ndërsa te shoqëritë kanë dalë nga pandemia, është rikthyer liria e zhvillimit të protestave, por fuqia e tyre është tkurrur.

Teoricieni i protestave jo të dhunshme, Xhen Sharp, renditi 198 mënyra sipas të cilave njerëzit dhe qeveritë mund të arrijnë synimet e tyre pa përdorur forcën. Megjithatë për secilën prej tyre, janë hartuar kundërmasa efektive që nga dekadat më të suksesshme të lëvizjes paqësore popullore të viteve 1990 dhe 2000.

Këto janë kohëra më të vështira që ka përjetuar ndonjëherë brezi im, dhe rrafshimi i qyteteve të Ukrainës është vetëm një shenjë e kësaj. Në Rusi, një vend që u shpërbë në mënyrë paqësore nga ai që dikur kishte qenë një nga regjimet më represive të historisë, ne u dhamë shumë pas të mirave materiale, duke i dhënë mundësi Vladimir Putinit ta margjinalizojë protestën si një lëvizje, dhe të ndërtojë një aparat shtypës mjaft të frikshëm për të dekurajuar çdo lloj kundërshtimi të organizuar ndaj regjimi.

Ndërkohë në Ukrainë, suksesi i “Revolucionit të Dinjitetit” të vitit 2014 nuk u sigurua nga mijëra njerëz të kapur për dore. Thelbi i protestës ishte rezistenca me forcë ndaj forcës, dhe ajo qasje pati sukses. Më kujtohet se mendoja dhe shkruaja, se kështu duhet të ndodhte edhe në Rusi.

Gabova në këtë aspekt. Dhuna sigurisht që nxit dhunë. Por këto kohë, duket se ajo arrin edhe rezultate.  Si në Sri Lanka ashtu edhe në Kazakistan këtë vit, protestuesit arritën një lloj suksesi - në formën e ndryshimeve qeveritare - sepse ata ishin të gatshëm të luftonin për qëllimet e tyre.

Në të dyja rastet, u sulmuan godina qeveritare dhe pati viktima. Pakënaqësia e vazhdueshme popullore në Mongoli pas një skandali korrupsioni, e ka detyruar qeverinë të ndjekë penalisht disa zyrtarë veçanërisht të kompromentuar, sepse protestuesit treguan seriozitetin e tyre duke u përpjekur të sulmojnë selinë e qeverisë.

Në Peru, një revoltë e dhunshme po ndodh aktualisht si rezultat i një konflikti midis presidentit dhe parlamentit. Ndërsa kriza nuk është zgjidhur ende, përplasjet në rrugë kanë sjellë dorëheqjen e disa ministrave. Edhe në Kinë, ku fuqitë shtypëse të regjimit janë më të mëdha se sa në shumicën e vendeve të tjera, janë parë protesta të dhunshme, që po ndikojnë në zbutjen e politikave të ashpra anti-Covid.

Për shumë njerëz, 2022-shi ishte viti për të hequr qafe iluzionet. Një nga iluzionet më tërheqëse - ai i fuqisë së lëvizjes paqësore të njerëzve - duhet të zhduket, pavarësisht se sa shumë mund të vajtojmë për të. Format moderne të së keqes nuk mund të largohen me një këngë apo meme, dhe cilido që nuk është gati të luftojë në kuptimin më fizik të fjalës, mund të jetë viktima e radhës.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga