web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Polici i mirë, polici i keq"/ Uashingtoni dhe Brukseli në drejtime të kundërta për Bjellorusinë

19 Dhjetor 2025, 20:20, Kosova & Bota CNA

"Polici i mirë, polici i keq"/ Uashingtoni dhe Brukseli në

Lëvizjet e fundit nga Uashingtoni dhe Brukseli tregojnë se kanalet diplomatike po ecin në drejtime të kundërta sa i përket Bjellorusisë, duke nxjerrë në pah një ndarje gjithnjë e më të thellë në mes të aleatëve lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar siguria e Evropës.

Në njërën anë të Oqeanit Atlantik, Shtetet e Bashkuara po angazhohen me Minskun dhe udhëheqësin autoritar, Aleksandr Lukashenko, duke lehtësuar sanksionet në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë, përfshirë 123 persona që u liruan fundjavën e kaluar.

Kjo është në kontrast të madh me atë se çfarë po ndodh në Bruksel, ku zyrtarët e Bashkimit Evropian po vazhdojnë të vendosin masa kufizuese që kanë në shënjestër Lukashenkon, aleatin e palëkundur të presidentit rus, Vladimir Putin.

Një linjë e re komunikimi

Mbështetësit e hapave të ndërmarrë nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, për të hapur dialogun me Minskun thonë se kjo është një strategji e qartë për të hapur një tjetër linjë komunikimi me Kremlinin, i cili është mbështetur në përkrahjen e Bjellorusisë në luftën kundër Ukrainës.

“Presidenti juaj [Lukashenko] ka një histori të gjatë me presidentin Putin dhe ka aftësinë ta këshillojë atë. Kjo është shumë e dobishme në këtë situatë”, tha i dërguari i Trumpit për Bjellorusinë, John Coale, pas zhvillimit të bisedimeve me Lukashenkon që çuan në lirimin e të burgosurve, duke theksuar se udhëheqësi bjellorus mund të jetë në gjendje t’ia ndryshojë mendjen Putinit sa i përket bisedimeve që po zhvillohen për dhënien fund të luftës në Ukrainë.

“Natyrisht, presidenti Putin mund të pranojë disa këshilla dhe të tjera jo. Kjo është një mënyrë për ta lehtësuar procesin”, shtoi ai.

Por, kritikët druajnë se po zhbëhen vite të tëra të presionit të koordinuar ndaj shtetit që ka përjetuar një shtypje brutale, shpesh vdekjeprurëse, të shoqërisë civile. Ata thonë se edhe kontaktet e kufizuara diplomatike mund t’i japin legjitimitet regjimit të Lukashenkos.

“Për BE-në, kopjimi i qasjes së Uashingtonit do të ishte strategjikisht i gabuar: për dallim nga SHBA-ja, BE-ja ndan një kufi me Bjellorusinë, përballet me rreziqe të menjëhershme të sigurisë nga prania ushtarake e Rusisë atje dhe tashmë ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në mbështetjen e forcave demokratike bjelloruse”, tha Giselle Bosse, profesoreshë në Universitetin Maastricht.

“Ajo që mund t’i shërbejë qëllimeve afatshkurtra diplomatike të SHBA-së, do të minonte strategjinë afatgjatë të BE-së dhe atë të bazuar në vlera”, shkroi ajo së voni.

Heqja e sanksioneve amerikane

Trump befasoi shumë kur foli me Lukashenkon përmes telefonit në gusht, pak para samitit të tij me homologun rus, Vladimir Putin, në Alaskë.

Kjo u pasua me heqjen e sanksioneve ndaj kompanisë ajrore bjelloruse Belavia, çka nënkuptonte se Qeveria amerikane lejon të gjitha entitetet dhe individët amerikanë të bëjnë biznes me këtë linjë ajrore kombëtare. Njëkohësisht, Minsku njoftoi lirimin, përmes faljes presidenciale, të 31 shtetasve ukrainas që ishin mbajtur në Bjellorusi. Ky ishte një nga një sërë lirimesh të të burgosurve gjatë vitit të kaluar./dw





Lajmet e fundit nga