web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mashtrimi me përfitimet sociale mund të jetë shumë i lartë

13 Korrik 2026, 09:15, Kosova & Bota CNA

Mashtrimi me përfitimet sociale mund të jetë shumë i

Sipas qeverisë gjermane, gjatë vitit 2025 janë regjistruar të paktën 110 mijë raste, në të cilat përfitimet sociale janë marrë në mënyrë të paligjshme. Mendohet se shifra përfaqëson vetëm majën e ajsbergut.

Të 110 mijë rastet e mashtrimit social që janë përmendur në media në Gjermani nuk pasqyrojnë të gjithë situatën, pasi supozohet se ekziston një "numër i lartë rastesh të paregjistruara”.  Kështu e citon gazeta  gjermane "Welt am Sonntag" një zëdhënëse të Ministrisë Federale të Punës. "Keqpërdorimi i përfitimeve sociale shpesh mbetet i pazbuluar, sepse institucionet e ndryshme përgjegjëse nuk janë të ndërlidhura ose nuk bashkëpunojnë mjaftueshëm mes tyre”, thuhet më tej në raport.

Tendenca në rritje

Sipas të dhënave zyrtare, qendrat e punësimit (Jobcenter) nisën vitin e kaluar pothuajse 134 mijë procedura hetimore. Në rreth 110 mijë raste, dyshimet u konfirmuan ose u paraqitën kallëzime penale për shkak të dyshimeve të bazuara. Kjo përbën 6,8 për qind më shumë raste të keqpërdorimit të përfitimeve sociale, ose dyshimeve për një keqpërdorim të tillë, krahasuar me një vit më parë. Ndër rastet e regjistruara përfshihen edhe shkeljet administrative.

Sipas Ministrisë gjermane të Punës, dëmi financiar nga mashtrimet me përfitimet sociale nuk mund të përcaktohet me saktësi. Arsyeja është se as Ministria e Punës dhe as Ministria e Brendshme nuk disponojnë "të dhëna të strukturuara që do të mundësonin llogaritjen e shumës së dëmeve financiare”, thuhet në njoftimin e gazetës Welt am Sonntag.

"Ka struktura mafioze që duhet t'i shkatërrojmë”

Ministrja federale e Punës, Bärbel Bas, kishte njoftuar së fundmi se do të veprohet më ashpër kundër keqpërdorimit të përfitimeve sociale dhe kundër strukturave të organizuara kriminale, të cilat operojnë në këtë fushë. "Ka struktura mafioze që duhet t'i shkatërrojmë,” deklaroi politikania e SPD-së.

Për të luftuar më me efektivitet mashtrimet me përfitimet sociale, qeveria federale planifikon të përmirësojë shkëmbimin e të dhënave mes institucioneve përgjegjëse. Gjithashtu, parashikohet që qasja në përfitimet sociale për shtetasit e Bashkimit Evropian të rregullohet më rreptësisht.

Kancelari gjerman Friedrich Merz premtoi së fundmi një nismë për luftimin e keqpërdorimit të përfitimeve sociale. Sipas kreut të CDU-së, një "Plan Veprimi për Luftimin e Keqpërdorimit të Përfitimeve Sociale” do të prezantohet ende gjatë këtij muaji. Për shumë politikanë lokalë në mbarë Gjermaninë, kjo është një çështje me rëndësi të veçantë. "Po merremi seriozisht me këtë problem dhe po i mbajmë premtimet tona,” deklaroi kancelari.

Në mesin e qershorit, një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Punës njoftoi krijimin e një qendre të posaçme kompetence pranë Agjencisë Federale të Punës, e cila do të ketë për qëllim uljen e abuzimeve me përfitimet sociale. Ky është gjithashtu një nga objektivat kryesore të skemës së re të sigurisë bazë sociale, e cila do të zëvendësojë sistemin aktual tëBürgergeld-it. Për rreth 5,5 milionë përfituesit, kjo nënkupton detyrime më të rrepta bashkëpunimi me autoritetet dhe sanksione më të ashpra në raste shkeljesh./ DW





Lajmet e fundit nga