LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Franca rrezikon vetëshkatërrimin

28 Mars 2023, 10:56, Kosova & Bota CNA
Franca rrezikon vetëshkatërrimin
Foto ilustruese

Makiaveli, shpikësi i artit politik dhe i shkencës politike moderne, thotë se ekzistojnë dy lloje trazirash. Në Romën e lashtë kishim kundërvënien e vazhdueshme midis elitës dhe popullit të thjeshtë. Sado e ashpër dhe brutale që ishte, historiani i kohës Tit Livi nuk ndihej i habitur nga ajo.

Ai shprehet kështu në një pasazh të famshëm: "Unë gëzohem kur shoh njerëzit e mbledhur në shesh që përshëndetin Senatin, Senatin që përshëndet njerëzit, njerëzit që nxitojnë me vrull nëpër rrugë dhe dyqanet që mbyllet nga frika e trazirave. Sepse pavarësisht sharjeve dhe teprimet e tyre, këto protesta janë në origjinën e ligjeve të mira, dhe arsyeja kryesore pse vazhdojmë të jemi të lirë”.

Loji i dytë i trazirave janë ato në Firencen e kohës së Makiavelit, pak para Trazirave të Çiompit, që nuk kishin më objektiv përmirësimin e një ligji, dhe në të cilin nuk shihej më “populli”, por “turma” që hidhej kundër njëri-tjetrit me “fraksionet” e veta.

Pra ato nuk synonin lirinë ose të mirën e përbashkët apo një ligj të mirë, por ishin të vendosura të mbizotëronin mbi sektin ose fraksionin rival. Dhe sigurisht që kjo lloj trazire nuk është e mirë. Siç e thotë edhe vetë Makiaveli, ajo mund të çojë vetëm në thyerjen e vetë lidhjes shoqërore dhe nëse nuk dëshiron të jetosh nën tirani, nuk është e dëshirueshme.

Ky dallim, duket se është bërë me qëllim për periudhën që po jetojmë. Në fakt, që nga fillimi i debatit mbi reformën e pensioneve, kemi qenë dëshmitarë të një serie të parë trazirash.

Deri të enjten e kaluar pati 74 diskutime në parlamentin francez, 102 orë debate në Senat, dhjetëra amendamente, të cilat për shumë deputetë e pasuruan projektligjin.

Ndërkohë ka pasur dhjetëra demonstrata të thirrura nga disa sindikata besnike të vokacionit të tyre për të mbrojtur punëtorët. Ka pasur greva dhe diskutime, që në të gjitha lajmet nuk kanë lënë anash asnjë aspekt të reformës.

Pavarësisht thirrjes për të “bllokuar vendin” apo për “ta gjunjëzuar” atë, këto trazira ishin përgjithësisht të favorshme, sepse në kundërshtim me atë që përsërisin vazhdimisht analistë, e detyruan qeverinë të rishikonte projektligjin në shumë pika.

Po çfarë është përmirësuar në lidhje me çështjen e karrierës së gjatë, me pensionin e disa kategorive te gratë apo pensionin e parakohshëm për shkak të aftësisë së kufizuar? Si mund ta mohojmë që ky përmirësim është padyshim rezultat i asaj trazire reale dhe i dialektikës së saj demokratike?

Por nga ana tjetër, që nga miratimi i projektligjit duke u bazuar te neni 49.3 (mocioni i mosbesimit apo i censurës ndaj qeverisë), jemi dëshmitarë të trazirave të një lloji tjetër. Ka pasur demonstrata të dhunshme, aksione të dhunshme, zjarrvënie, bllokim të landfilleve, grabitje.

Demonstratat po zhvillohen në masë në Paris, ku ndizen zjarre, montohen skena butaforike gijotinash ku ka prerje kokash, dhe ku “tirani” në rastin konkret është Presidenti i Republikës. Janë duke u zhvilluar demonstrata shumë të egra, të cilat po i frikësojnë përfaqësuesit e zgjedhur, që kanë zgjedhur të bëjnë kompromis, sepse po kërcënohen me vdekje.

E kam fjalën për ata deputetë që ditën kur u evokua neni 49.3 tentuan nën një klimë terrori, ta pengonin fjalimin e kryeministres në parlament. Këto trazira - pra trazirat pas betejës legjislative që nuk synojnë më korrigjimin e një projektligji, dhe që na thonë se përdorimi i nenit 49.3 është një diktaturë, kur që nga fillimi i Republikës së Pestë, është të paktën hera e 100-të që një kryeministër u drejtohet atyre - janë pa shpresa, pa të ardhme dhe siç na thotë Makiaveli, duhet pasur guxim që të shohësh tek ato një degjenerim të së drejtës për t’u rezistuar abuzimeve me pushtetin nga ana e “Princit”.

Ndërkohë përpiquni të imagjinoni sikur të vazhdojnë trazirat e llojit të dytë. Mund të ketë sërish dy rezultate. Një krizë e vërtetë e regjimit. Dhe si alternativa e vetme e mundshme, për shkak se ekuilibri i fuqisë politike është ai që është, mbeten populistët e La France Insoumise dhe mbi të gjitha ata të Rassemblement National.

Makiaveli e thotë sërish: E nisim me ambicie të vogla; me deputetin X apo Y që dëshirojnë të bëhen të famshëm. Pra me burracakërinë e atyre që mendojnë se mund ta blejnë mbështetjen e tyre elektorale duke bërë pakte për të mirën e përbashkët.

Por në analizë të fundit është fryma demokratike dhe republikane, ajo që paguan çmimin për të gjithë këtë operacion. Ose skenari i dytë, një krizë e ngadaltë. Një nihilizëm i papërfunduar. Një epidemi e pafund neverie për të tjerët, por edhe për veten.

Gjuha e urrejtjes është edhe një herë një normë në jetën tonë. Ky zemërim i tmerrshëm, i ngjeshur në vetvete, i dëmshëm - rrjedha e të cilit, deklaroi dikur Dekarti duke parafrazuar Makiavelin, përfundon gjithmonë duke të helmuar - na shndërrohet në pasionin tonë kryesor.

Slogani që kërkon dorëheqjen e Makron dhe të gjitha parullat e tjera partiake nuk befasojnë më askënd. Mjerisht, të dyja hipotezat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, e përforcojnë njëra-tjetrën. Sigurisht përveçse nëse ka një ndërgjegjësim kolektiv. Pra një goditje gjeniale e popullit francez, që duke qenë buzë humnerës mund të gjente bazën e duhur për t’u ringritur. Kjo ka ndodhur edhe më parë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga