web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Abdixhiku shpalos agjendë 15-pikëshe për një qeveri uniteti

12 Qershor 2025, 12:14, Kosova & Bota CNA

Abdixhiku shpalos agjendë 15-pikëshe për një qeveri uniteti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka shpalosur të enjten një agjendë 15-pikëshe, në bazë të së cilës do të punonte një qeveri e unitetit e propozuar nga ai, dhe e cila do t'i përfshinte të gjitha partitë e tjera parlamentare.

Duke e propozuar agjendën me 15 pika si mënyrë për të dalë nga ngërçi politik, Abdixhiku tha se “qeveria e unitetit kombëtar nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është më e mira e mundshme, por është përgjegjësia që ajo bart në vete domosdo për gjendjen e tanishme”.

Ai tha se kjo “është në kontratë e nderit mes forcave politike dhe qytetarëve për ta nxjerrë vendin nga kriza e tanishme”.

Agjenda e tij përfshin reforma kushtetuese, rindërtimin e partneritetit me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, rritjen e pagave, si dhe zgjidhjen e krizës energjetike.

Propozimi i Abdixhikut – i paralajmëruar kohë më parë – vjen pasi vendi është zhytur në një krizë politike, duke mos mundur t’i formojë institucionet e reja as katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Kjo krizë vjen për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Prej prillit, deputetët janë mbledhur plot 30 herë në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për konstituimin e tij, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, por kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Për ketë, LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare me të gjitha partitë parlamentare, deri në zgjedhjen e presidentit të ri në prillin e vitit të ardhshëm.

Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë ide, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK-ja ka pasur ofertë nga Vetëvendosje për ta formuar një koalicion qeverisës, por nuk ka pranuar dhe Abdixhiku e përsëriti kundërshtimin e tij edhe të enjten.

“Për shkak të katër vjetëve të fundit, për shkak të printimeve elektorale dhe për shkak të dallimeve thelbësore që i kemi në vlera, ky bashkëpunim ka qenë dhe është i pamundur”, tha Abdixhiku.

Deputët do të mblidhen sërish të premten, në përpjekje për ta bërë Kuvendin./ REL





Lajmet e fundit nga