LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Të shtëna me armë në veri të Kosovës/ Sulmohet policia e Zveçanit

2023-01-27 20:57:51, Kosova & Bota CNA

Të shtëna me armë në veri të Kosovës/ Sulmohet

Policia e Kosovës tha të premten se persona të panjohur qëlluan me armë zjarri mbi një patrullë të saj në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, por sulmi kaloi pa dëme në njerëz.

Në njoftimin e policisë thuhet se sulmi i cili ndodhi në Banjskë – Izvor të komunës së Zveçanit la pas vetes dëme materiale në makinën e policisë, “përkatësisht në dritaren e makinës nga ana e majtë e shoferit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri”.

Policia tha se identifikoi makinën prej nga është shtënë ndaj tyre, e cila u gjet e braktisur rreth 250 metra nga vendi i sulmit, ndërsa të dyshuarit janë arratisur.

Rasti po trajtohet si vepër penale “vrasje në tentativë” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vlerësohet e brishtë, ndërsa muajin e kaluar fuqitë perëndimore ndërhynë politikisht për të ulur tensionet në zonë, ku grupe serbësh për rreth tri javë bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për sulm mbi autoritetet.

Ish polici që tashmë ndodhet në arrest shtëpie ishte një nga qindra pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb që bashkë me punonjësit tjerë të institucioneve vendase, braktisën vendet e punës mes tensioneve rreth përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Tensionet e fundit bënë që diplomatët amerikanë dhe evropianë të vihen në përpjekje për një rifillim bisedimesh mbi një propozim që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që aspirojnë integrimet evropiane./ VOA

Lajmet e fundit nga