web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Banorët e Gurrasit, në protestë/ “Po na bllokohet rruga për të shkuar në tokat bujqësore”

21 Qershor 2024, 17:54, Aktualitet CNA

Banorët e Gurrasit, në protestë/ “Po na bllokohet rruga

Mëngjesin e kësaj të premteje, banorët e fshatit Gurras të Pogradecit, kanë protestuar për rrugën Pogradec – Dogana Tushemisht. Një projekt që tashmë ka arritur në 80% të zhvillimit, por që ka sjellë probleme lidhur me qarkullimin e banorëve të këtij fshati. Projekti ka sjellë bllokimin e rrugës dalëse, rrugë, e cila përdoret prej banorëve për të shkuar në tokat bujqësore që kanë në Drilon e Tushemisht. Zgjidhja që kërkojnë banorët është ndërtimi i një nënkalimi për t’u krijuar mundësinë e lëvizjes dhe qarkullimit në këtë rrugë.

Sipas banorëve, ata janë totalisht të izoluar, për më tepër se 5 km do t’u duhet të ecin për të shkuar drejt burimeve dhe tokave të tyre bujqësore. Ata kanë firmosur peticion me më tepër se 250 firma për të kërkuar zgjidhje të kësaj problematike.

Banorët e Gurrasit, në protestë/ “Po na bllokohet rruga

“S’kemi ku të shkojmë nëpër ara, që nga fillimi i fshatit deri në fund se nuk ka rrugë. Duhet të shkosh në Tushemisht, në Starovë, që të dalim në tokat tona. Unë duhet të eci 5 km për të shkuar në toka, duhet të vij nga Starova. Shkon 7-8 km, prandaj duam një zgjidhje për një nënkalim. Jemi ngritur të gjithë, kemi lënë punët e të gjitha. Për një nënkalim të vuajë gjithë ky fshat. Kemi firmosur peticion i gjithë fshati, por s’ka zgjidhje. Ne paguajmë taksa për burim, për varre, për të gjitha. Çfarë shteti është ky? Le të vijë Edi Rama këtu, s’ka ardhur asnjëherë.”

“Nënkalim s’më bëre, burimin ma zure, tokën ma more, lekët s’mi jep. Ç’të na rrojë Rama atëherë dhe ne të vdesim? Këtu janë 300 familje që u kanë zaptuar tokën dhe s’kanë marrë asnjë lek. Edhe një shtëpi dykatëshe u prish këtu, nuk e di çfarë shteti është, për të shkatërruar popullin, a për ta rregulluar, nuk e marr vesh se ç’është. Për të bërë një nënkalim nuk e bënë. Izolohet fshati, ku do shkojmë? Ku do vejë fshati, sepse kjo është rruga kryesore. Janë 1 mijë familje këtu, do shkojnë në arë, po ku do shkojnë? Këtu do rrimë derisa të na e zgjidhin.”

Banorët e Gurrasit, në protestë/ “Po na bllokohet rruga

Njëra prej banoreve, së cilës i është prishur një pjesë e banesës së saj, ka kërkuar me ngulm ndërhyrje sa më të shpejtë pasi i rrezikohet shembja totale e banesës. Ndonëse iu premtua se do t'i bëhej kjo ndërhyrje, deri më sot ajo thotë se nuk kanë vënë dorë.

“Unë e kam shtëpinë këtu, e kisha një kuzhinë, 40 metër gjatësi dhe 3 metër lartësi. Vjen ai më i larti që drejton rrugën dhe thotë që s’ka për detyrë të të bëjë avlli. O zotëri, kur erdhe dhe ma prishe avllinë time, do të t’i bëj më mirë prej teje më the, se ti nuk ke aq fuqi. Unë nuk kam fuqi, ti je i shtetit, ti ke fuqi. Tani më thotë që nuk ta bëjë. Kam detyrë vetëm rrugën. Tani unë dhashë rrugën, dua dhe avllinë se po më bie shtëpia. Kush ka përgjegjësi për mua? Më rrezikohet shtëpia.”

Banorët e Gurrasit, në protestë/ “Po na bllokohet rruga

Banorët tregojnë se janë totalisht të izoluar, i vetmi komunikim me tokat bujqësore dhe burimet është nga një rrugë dytësore që zgjat disa kilometra. Ata theksojnë faktin se Gurrasi është pjesë e projektit të 100 fshatrave, por nuk kanë shpresë sa i përket zhvillimit turistik të kësaj zone, për sa kohë nuk krijohen kushtet e duhura për qarkullimin e banorëve drejt Drilonit e Tushemishtit.

“Sot këtu jemi mbledhur për të kërkuar një nënkalim për hyrjen dhe daljen e fshatit. Kjo është rruga kryesore e fshatit dhe nga këtu kalojmë te burimet dhe në tokat bujqësore. Ky nënkalim që nuk është bërë, sot ka ndërprerë komplet gjithë komunikimin e fshatit. Nga komunikimi që kemi bërë me inxhinierët e rrugës na është thënë se këtu nuk ka asnjë projekt për rrugë që të lidhë fshatin. Është e gjitha e mbyllur, i vetmi komunikim është rruga dytësore e cila është argjinaturë kanali. Komunikimin me parcelat e bllokon 100%, duhet të bëjmë 2 km, janë larg pothuajse gjithë banorët e fshatit. Ne jemi fshat në 100 fshatrat turistikë, çfarë turizmi do zhvillojmë ne këtu? Ku do të kalojë turisti? Jemi të izoluar komplet nga një mur 4 metër i lartë. Në këto 4 metër ka vend dhe për nënkalim dhe për urë. Pse nuk bëjnë një urë të bukur që të jetë model, siç bënë urën të kalaja? Kryetari i bashkisë ka thënë që FSHZH nuk ka fond për të mundësuar këtë urë, s’ka zgjidhje problemi. Për këtë punë ne do të bëjmë protestë deri në plotësimin e kërkesës. S’do të largohemi që këtu.”

Banorët e Gurrasit, në protestë/ “Po na bllokohet rruga

“I jam bashkuar protestës së fshatit Gurras për rrugën që kalon në fshatin Drilon, kjo rrugë penalizon fshatin tonë duke e ndarë nga burimet e tij dhe tokat bujqësore. Unë nuk e di se si një projekt i cili është zhvilluar në masën 80%, mbi tokat e fshatit, ta penalizojë duke e ndarë nga këto toka. Gjithashtu, kjo rrugë siç është projektuar, është burim aksidentesh për këta banorë, si dhe e penalizon duke mos aksesuar fshatin turistik. I bëj thirrje pushtetit qendror dhe atij lokal të gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin e të na japin zgjidhje.”

Në fshatin Gurras ka më tepër se 450 shtëpi, thuajse 1000 familje, rreth 2200 banorë, të cilët janë të bllokuar për qarkullimin drejt tokave të tyre bujqësore. Ndonëse fshati është pjesë e 100 fshatrave turistikë, banorët ndihen të lënë në harresë dhe për më tepër të shqetësuar për gjithë këtë situatë./ CNA TV

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by CNA.al (@cna.lajme)





Lajmet e fundit nga