LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Behauddin Gashi/ Mes dy të krishterësh, mes dy vëllezërish shqiptarë

5 Maj 2022, 16:11, Kulturë CNA
Nga Behauddin Gashi/ Mes dy të krishterësh, mes dy

E gjithë bota islame gëzon, por jo vetëm. Në vendin tonë është bërë zakon tashmë që edhe të krishterët iu bashkohen gëzimit të myslimanëve. Madje ka dhe të atillë që ndihmojnë edhe materialisht ndonjë familje të varfër myslimane që dhe pjesëtarët e saj t’i gëzohen kësaj dite të bekuar ashtu si gjithë të tjerët. E ku ka më bukur! Sikur dhe padyshim ka dhe shumë myslimanë që iu gjenden gjithmonë pranë shtresave në nevojë nga familjet e krishtera. E ky është një aspekt shumë domethënës i mirësisë dhe krenarisë së popullit tonë, kombit shqiptar, i cili i është bërë shembull botës mbarë për tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që ekziston në gjirin e tij, një gji i rrallë, unik e mjaft i hapur…

Në fakt, qëllimi shoqëror i bajramit është të mbjellë harenë në zemra, gëzimin në shpirtra, qetësinë e trupave, përforcimin e dashurisë shoqërore, mëshirën mes të afërmve dhe bashkëpunimin e ndërsjellë njerëzor. Në festat e dy bajrameve afrohen zemrat, bashkohen me lidhje miqësore, harrohen urrejtjet, takohen mbas ndarjes, pajtohen pas mosmarrëveshjeve, shtrijnë dorën e pajtimit. Përkatësisht ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore me dashuri, sinqeritet e vëllazërim.

Qëllimi shoqëror i festës është rikujtimi i anëtarëve të shoqërisë për të dobëtit dhe të paaftët, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare. Këtë qëllim të lartë shoqëror e simbolizon urdhërimi i “Sadakatul-fitrit” në festën e Bajramit të Fitrit dhe i prerjes së kurbanëve në festën e Kurban Bajramit.

Ndërsa qëllimi njerëzor i festës është shoqërimi i një numri të madh njerëzish në gëzim e hare, në një kohë të caktuar, në tërë botën mbarë. Kështu njerëzit ndiejnë lumturi të përbashkët, kurse fëmijët e një populli, pa marrë parasysh shtëpitë e shpërndara, bashkohen në shijimin dhe në përkujtimin e begative të All-llahut madhështor. Në festë forcohen lidhjet ideologjike e shpirtërore që i caktoi feja për njerëzit, pa marre parasysh llojllojshmërine e gjuhëve dhe kombeve…

Shoqëri e lumtur konsiderohet ajo që e lartëson deri në kulm moralin dhe ndjenjën njerëzore gjatë kohës së festës, sepse në këtë kohë ajo tregon bashkimin, kooperimin dhe mëshirën e ndërsjellë të saj, derisa çdo zemër mbushet me dashuri, mirësi e kënaqësi dhe çdokush ia tregon hallet vëllait të vet në rast të katastrofave ose ngjarjeve tragjike, qoftë edhe në vende të tjera”…

Të gjitha këto më kaluan vetëtimthi nëpër mend, teksa qëndroja në sallën ku Myftinia e Elbasanit organizon për çdo vit një pritje elegante të mysafirëve që vijnë për të uruar bajramin. Dhe duke mos dashur t’i shkëputem ashtu menjëherë këtij meditimi tejet të ëmbël, vazhdova të qëndroj edhe pak i ulur përballë murit të kalasë, me shikimin e përqëndruar te gurët e ti shekullorë prej të cilëve nuk ka se si një poet apo shkrimtar të mos marrë ato ngacmimet e rralla që grishin për krijim…

Miq e dashamirës të shumtë vijnë. Hyjnë e dalin. Urojnë, hanë apo pinë diçka dhe më pas largohen për t’ia liruar vendin të tjerëve. Politikanët nuk mungojnë asnjëherë, ashtu si edhe përfaqësuesit e religjioneve të tjera. Dhe a e dini, kur piqemi të gjithë bashkë, politikanë e teologë, biseda merr shumë hov. Diku pranë, në të djathtën time, me ato veladonët e tyre të zinj, qëndrojnë të ulur plot dashamirësi Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit e Librazhdit, Hirësi Andoni dhe Ikonom Stavrifor i kishës Shën Nikolla në Elbasan, Atë Stavri. Hirësi Andoni tregon një histori shumë të bukur, me atë stilin e tij të lezetshëm e plot muzikalitet. E pasoj unë. Të gjithë të pranishmit dëgjojnë plot kërshëri. Në fund, pasi mbaroj, dëgjohen plot pasthirrma kënaqësie. Dhe skuqem pak. Por ndërhyn menjëherë ministrja Evis Kushi, që thotë: “Realisht këto histori që na treguat përveç se shumë të bukura, ishin dhe tepër pikante. Do t’ua tregojmë edhe ne të tjerëve”. Dhe qeshim të gjithë. Është Bajram, kemi festë, kemi gëzim. “Zoti na shtoftë mirësitë dhe e ndihmoftë tërë popullin shqiptar, tërë botën” – lutet myftiu Agim Duka. Dhe të gjithë thonë: “Amin!”…

Koha kalon shpejt dhe më së fundi s’duken më vizitorë. Hap telefonin dhe shikoj me vëmendje fotot e bëra. E përqëndrohem te njëra, ku kam dalë me dy vëllezërit e mi shqiptarë të besimit ortodoks, Hirësi Andonin dhe Atë Stavrin. Dhe më vjen një ide. “Çfarë ideje”? – do të pyesni ju. Dhe ju them që, duroni dhe pak e pasi ta keni mbaruar së lexuari tërë shkrimin tim, do ta kuptoni…

Për ata që më njohin është e qartë se unë i takoj atij brezi që, në pjesën dërrmuese të tij në fëmijërinë e hershme s’kanë ditur asgjë se ç’do të thotë realisht mysliman apo i krishter, besimtar apo pabesimtar. Ne ishim të gjithë fëmijë të gati një prerjeje: të paushqyer, herë-herë të rreckosur, me fytyrat shpesh gati të kafta si shkak i pluhurit me tepri, me topat prej lecke, me ato pafkat e gurit, me një fjalor që jo rrallë tejkalonte kufijtë e të quajturës “sjellje prej pionieri” etj.. Fakti që dëgjonim nga të rriturit dhe kjo për hir të së vërtetës fare rrallë, që filanka mori burrë mysliman apo filani mori një të krishtere për nuse, nuk përbënte ndonjë lajm për ne. Të gjithë i shikonim njësoj, njerëz që hanin, pinin, visheshin, qeshnin apo qanin, jetonin e vdisnin sikur gjithë të tjerët. E kështu kalonin orët, ditët e javët, muajt e vitet.

Demokracia na gjeti në një moshë disi madhore, në sensin që shtëpia e të kuptuarit të disa gjërave paksa të rënda, kishte më tepër dritare ku mund të futej lirshëm drita e qartësisë dhe e saktësisë së të gjykuarit. Shkuarja nëpër xhami dhe kisha filloi të çbënte dalngadalë atë tis errësire apo paqartësie të trashëguar nga dekadat e tëra ku shqiptarëve iu desh të jetonin pa menduar ndonjëherë se kishin një Zot, një Krijues që e ndiqte me shumë kujdes çdo sekondë që kalonin apo çdo hap të hedhur në jetën e tyre tokësore.

Dhe ata që u njohën me besimin dhe diku-diku ai iu bë domosdoshmëri absolute e të jetuarit të tyre me të vërtetë…, filluan të kuptojnë se përmbi faktin e të qenit shqiptar dhe shqiptare, paska një ndasi që një pjese jo të paktë të bashkëkombasve tanë iu vjen aq keq edhe sot për mënyrën se si trajtohet apo shihet…

Dhe kanë absolutisht të drejtë.

Por padituria i ka këto…

E kjo është ndarja midis feve, midis të besuarit, midis të gjithë veprimtarisë njerëzore që cilado Fe në një farë mënyre e “imponon” midis ithtarëve të saj. Thënë më qartë, ky lloj “imponimi” është një zgjedhje e plotë dhe e lirë e çdo individi, e dëshiruar dhe e pa nakatosur me asgjë tjetër, në rrugëtimin shpirtëror shqiptar (apo atë shpirtëror njerëzor botëror…). E normalisht që të gjitha religjionet janë përplot me detyra dhe rregulla që ndriçojnë të gjitha rrugët e jetës ku dhe realisht askush nuk mund dhe as që ka fuqi të ndërhyjë.

Pasi kam mbushur plot tri dekada e pak më shumë se dy vite në islam, si një mysliman i mirë – shpresoj i devotshëm – jam plotësisht i qartë e i bindur se në Islam këto detyra e rregulla i tregojnë udhëtarit – njeriut – mjetet e mënyrat më efikase për të arritur siguri dhe drejtësi. Është e kuptueshme që këtu nuk mund t’i rendis të gjitha normat dhe urdhëresat për çdo lëmi të jetës, por theksoj që studimi i këtyre detyrave dhe rregullave i krijojnë dijetarëve myslimanë mundësinë për të kuptuar frymën e Islamit dhe vlerësimin e çështjeve të ndryshme, me fjalë të tjera për të kuptuar natyrën e legjislacionit islam.

Në këtë kuadër, mendjet e ndritura islame kanë nxjerrë nga studimi i teksteve një sërë parimesh dhe rregullash të cilat kanë dhënë zgjidhje për shumë probleme madhështore dhe për të cilat ligji kanonik nuk shpreh asnjë qëndrim. Falë këtyre rregullave dhe parimeve, dijetarët e kanë zgjeruar ndikimin e Islamit në çdo drejtim dhe kanë influencuar pozitivisht në çdo aspekt të jetës.

Trashëgimia që kemi prej Profetit Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), përsa i përket rregullimit të marrëdhënieve, është një trashëgimi e shkëlqyer dhe fisnike. Një trashëgimi e tillë nuk është lënë kurrherë nga asnjë qënie njerëzore apo ndonjë profet tjetër. Ja disa shembuj:

1- Ajo sjell në vëmendjen e njerëzve mënyrën sesi Islami i ka lidhur marrëdhëniet midis tyre me qëllime të ndershme e fisnike;

2- Zgjerimin e hapësirës në të cilën zbatohet Legjislacioni islam, gjer në atë pikë, saqë ndikon kryekëput mbi jetën në tërësinë e saj;

3- Paraqitjen e të dhënave lidhur me faktin që këto praktika nuk janë gjykime të veçanta, të marra kuturu. Ato kanë një lidhje të përbashkët, që përfshin forma dhe aspekte të së njëjtës frymë, që përshkon të gjithë këtë legjislacion dhe vendos për çështjet e njerëzve, ua përmbush nevojat edhe përsa i përket rasteve dhe rrethanave të reja për të cilat nuk ka ndonjë referencë.

Këtu po citoj dijetarin islam, Jusuf Musa:

“Është mëse e natyrshme që Legjislacioni Islam të synojë përmbushjen e nevojave dhe interesave të njerëzve – cilado qoftë raca apo feja e tyre”.

Në këtë kontekst, Imam Shatibi pohon:

“Kemi njohur përmes induksionit që Ligjvënësi (All-llahu) synon përmbushjen e interesave të robërve të Tij dhe të gjitha rregullimet e marrëdhënieve janë të bazuara mbi këtë. Për shembull: Një gjë mund të jetë e ndaluar, por në rast se tek ajo, në rrethana të caktuara dobia është e madhe, atëherë mund të lejohet. Dihet që interesat shpeshherë janë kundërshtuese të njëra-tjetrës, d.m.th., interesi i një njeriu mund të dëmtojë atë të një njeriu tjetër. Këtu Legjislacioni islam gjykon që interesi publik ka përparësi ndaj interesit vetjak”.

Le të citojmë edhe një herë dijetarin islam, Jusuf Musa:

“Jurisprudenca islame siguron dhe mbron të drejtën e individit dhe i lejon atij ta ushtrojë atë të drejtë si të dëshirojë vetë. E mbron atë nga çdo cënim prej të tjerëve, me kusht që ushtrimi nga ai i të drejtës së tij të mos dëmtojë të tjerët. Kjo përbën zbatimin në praktikë të thënies së Profetit Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!): “Nuk duhet të ketë dëmtim të asnjë njeriu nga një njeri tjetër, as shkaktar dhe as hakmarrje të të dëmtuarit.” dhe të thënies pasuese e cila gjykon që, në rast se nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë duhet zgjedhur e keqja më e vogël”.

Vlen të citojmë gjithashtu edhe Shejkh HasbAllahun, i cili ka thënë se dijetarët i kanë studiuar rregullimet e fesë dhe arritjen e të mirës që ato synojnë, duke nxjerrë përfundimin se ato klasifikohen në tri kategori:

1- Interesa jetike – interesa në të cilat mbështetet jeta, të cilat janë: feja, shpirti, arsyeja, pasardhësit dhe pasuria. Pjesa dërrmuese e doktrinave dhe rregullave të Legjislacionit islam sistemon këtë kategori;

2- Interesa që, edhe pse mosrealizimi i tyre nuk shkakton dëmtim në jetën e njerëzve në përgjithësi, ato janë të prirura për të shkaktuar mundim dhe vuajtje në jetën e një numri të caktuar njerëzish. Këto interesa dijetarët i kanë përkufizuar si interesa të nevojshme (në rrethana të caktuara). Një pjesë e madhe e rregullimeve të Legjislacionit islam i kushtohet kësaj kategorie. Lirimi i disa njerëzve nga një sërë obligimesh të përcaktuara nga feja, është një prej këtyre interesave;

3- Interesa të përkufizuara si interesa përmirësimi, të cilat shpien në miratimin e zakoneve të denja si veshja me tesha të përshtatshme dhe largimi nga të ngrënit e çfarëdolloj ushqimi.

Cilido që do të studiojë rregullimet, doktrinat dhe vendimet e Legjislacionit islam, do të shohë se ai është sistemuar përpikmërisht për të siguruar dhe mbrojtur këto interesa. Legjislacioni islam është një legjislacion gjithpërfshirës, i cili garanton barazi, mëshirë dhe mirëdashje ndaj gjithë njerëzimit.

Kjo pra është më e rëndësishmja prej arsyeve pas përshtatshmërisë së tij për të rregulluar çështjet dhe interesat e njerëzimit në të gjitha epokat dhe në të gjitha vendet.

Islami ka një qëndrim të pakthim përsa i përket marrëdhënieve të myslimanëve me jomyslimanët, apo të raporteve me fetë e tjera. Drejtësia islame në shoqëri paraqitet në disa lloje marrëdhëniesh:

1- Marrëdhënia e njeriut me individët e tjerë;

2- Marrëdhënia e njeriut me bashkësinë apo e bashkësisë me individin;

3- Marrëdhënia e njeriut me natyrën;

4- Marrëdhënia e bashkësisë me një bashkësi tjetër etj..

Feja islame jo vetëm i pranon fetë e tjera, por edhe tregon se popujt e krijojnë paqen e Zotit sa herë që përpiqen që të kenë një sjellje morale dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin. Gjithashtu ajo mëson se njeriu duhet të jetë i drejtë dhe burim i paqes dhe ashtu siç kërkon drejtësinë dhe paqen për veten, duhet ta kërkojë edhe për të tjerët. Kur myslimanët lidhin kontratë me njerëzit e feve të tjera, ata duhet t’i përmbushin zotimet e tyre deri në fund dhe të jenë të sinqertë ndaj tyre, sepse kjo gjë është parim islam dhe kërkesë e drejtësisë së udhëzuar prej të Madhit All-llah.

Nëse dëshirojmë t’i përmbledhim mësimet islame për marrëdhëniet me jomyslimanët (të lejuara e të ndaluara), mjafton të cekim dy ajete kur’anore, që meritojnë të jenë rregulla gjithpërfshirëse të kësaj çështjeje:

“All-llahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe as që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë All-llahu i do të drejtët (ata që mbajnë drejtësinë).

All-llahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë”. (Kur’an: Surja El-Mumtehineh – Gruaja në provë, ajetet 8 & 9)

 Ajeti i parë nuk ka për qëllim vetëm drejtësinë ndaj jomyslimanëve që nuk i luftojnë myslimanët për shkak të fesë e që nuk i nxjerrin nga shtëpitë e tyre (gjegjësisht ata, me të cilët s’ka luftë e as armiqësi midis tyre e myslimanëve), por edhe mirësjelljen ndaj tyre.

Në gjuhën e Kur’anit, termi “birr” nënkupton bamirësinë e gjerë që kapërcen drejtësinë. Këtë term e përdorin myslimanët për të drejtat e obligueshme, respektivisht për mirësjelljen ndaj prindërve.

Urdhri kuptohet nga fjala e Zotit: “Zoti i do të drejtët”, e myslimani përpiqet që gjithmonë ta realizojë atë që e dëshiron Zoti. Nuk ka kundërshtim midis fjalës së Zotit në ajetin 8: “Zoti nuk jua ndalon”, e cila është më e butë, përballë interpretimit tonë të “kërkimit” dhe “urgjencës” së drejtësisë. Nëpërmjet kësaj shprehjeje, Zoti i Madhëruar dëshiron t’i eleminojë botëkuptimet e gabuara nga mendjet e njerëzve, se të gjithë jomyslimanët janë të njëjtë dhe se nuk meritojnë trajtim të mirë dhe mirësjellje nga myslimanët. Këtu All-llahu xh.sh. qartëson se Ai nuk e ndalon mirësjelljen ndaj jomyslimanëve në përgjithësi, por vetëm ndaj atyre që janë në luftë dhe që i sulmojnë myslimanët dhe kjo, padrejtësisht.

Edhe pse Islami nuk e ndalon mirësjelljen ndaj jomyslimanëve në përgjithësi, qofshin këta edhe idhujtarë, siç janë për shembull idhujtarët arabë për të cilët zbritën edhe dy ajetet e lartpërmendura, ai ka trajtim të posaçëm ndaj ithtarëve të Librit, përkatësisht ndaj hebrenjve e të krishterëve, qofshin brenda ose jashtë territorit islam. Islami i thërret: “O ithtarë të Librit!” dhe “O ju që u është zbritur Libri!” me qëllim që të tregojë se në esencë ata janë ithtarë të fesë qiellore, se midis tyre e myslimanëve ka afërsi e lidhje të ngushta në bazë të parimeve të një feje, e cila u është shpallur të gjithë profetëve:

“Ai ka urdhëruar për ju atë fé, të cilën ta zbuloi ty (o Muhammed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të”! Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. All-llahu zgjedh për këtë fé kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim.

Sidoqoftë, ata u përçanë midis tyre prej smirës, vetëm pasi u erdhi dijenia. Dhe, sikur të mos kishte paraprirë fjala e Zotit tënd (për shtyrjen e dënimit) deri në një afat të caktuar, ata do të gjykoheshin menjëherë. Edhe ata që trashëguan librin më pas, dyshojnë thellë në të.

Andaj, ti thirru dhe bëhu këmbëngulës, ashtu siç je urdhëruar, mos i ndiq epshet e tyre dhe thuaj: “Unë besoj çdo libër që e ka shpallur All-llahu dhe jam urdhëruar që të gjykoj drejt midis jush; All-llahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Veprat tona janë për ne e veprat tuaja janë për ju. Midis nesh dhe jush nuk ka kurrfarë mosmarrëveshjeje. All-llahu do të na tubojë të gjithëve dhe tek Ai do të kthehemi të gjithë””. (Kur’an: Surja Esh-Shura – Këshillimi, ajetet 13 deri 15)

 Myslimanët detyrohen të besojnë në të gjithë librat e Zotit, në të gjithë profetët, sepse ndryshe nuk mund ta realizojnë besimin e tyre:

“Ju (myslimanë) thoni: “Ne besojmë në All-llahun, në atë që na është shpallur neve (Kur’anin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (dymbëdhjetë bijve të tij), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë Profetëve nga Zoti i tyre (që ata adhuronin). Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe Vetëm All-llahut i përulemi (si myslimanë në Islam)”. (Kur’an: Surja El-Bekareh – Lopa, ajeti 136)

 Nëse ithtarët e Librit e lexojnë Kur’anin, do të vërejnë se ai i lavdëron librat, mesazhet dhe profetët e tyre!

Nëse myslimanët zhvillojnë dialog me ithtarët e Librit, duhet të largohen nga çdo gjë që shkakton hidhërim e armiqësi:

“Diskutoni me ithtarët e Librit (popujt e Librave të Parë – hebrenjtë dhe kristianët), vetëm me mënyrën më të mirë (me fjalë e punë të mira, me mirësjellje, duke i ftuar ata në Islam me Vargjet e Tij), por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një i Vetëm dhe ne Atij i jemi nënshtruar si myslimanë”. (Kur’an: Surja El-Ankebut – Merimanga, ajeti 46)

 Islami lejon ngrënien e ushqimit të ithtarëve të Librit dhe ndarjen e mishit të cilin ata e kanë prerë, ashtu siç lejon martesën me femrat e tyre, kur dihet se martesa nënkupton qetësi, dashuri e mëshirë. Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar, thotë:

“Sot ju janë lejuar gjërat e mira dhe të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar”. (Kur’an: Surja El-Ma’ideh – Sofra e shtruar, ajeti 5)

 Kjo në përgjithësi ka të bëjë me ithtarët e Librit e të krishterët në veçanti, Islami i afron afër zemrave të myslimanëve:

“… Dhe do të gjeni më të afërtit dhe që i duan besimtarët (myslimanët) ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj (të dhënë mbas dijes) e murgj (të përkushtuar ndaj adhurimit) dhe se ata nuk janë kryelartë (e mospërfillës) ndaj së vërtetës”. (Kur’an: Surja El-Ma’ideh – Sofra e shtruar, ajeti 82)

 Porositë e Profetit Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!) për kujdesin ndaj banorëve jomyslimanë janë rigoroze, ku ai i kërcënohet me dënim nga Zoti çdonjërit që largohet nga porositë e tilla. Ai, (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), gjithmonë tregonte respekt maksimal për të gjithë, pavarësisht se cili ishte botëkuptimi i tyre fetar…

Në hadithet vijuese thuhet:

“Kush dëmton banorin jomysliman më dëmton mua dhe kush më dëmton mua, dëmton edhe Zotin”! (Taberaniu)

 “Unë jam armik i atij që dëmton banorin jomysliman, e nëse jam armik i ndokujt, do ta sulmoj atë në Ditën e Gjykimit”. (Hatibi)

 “Kush dëmton aleatin, ia merr të drejtën ose e obligon më tepër se sa ka mundësi, apo merr diçka pa lejen e tij, do ta sulmoj Ditën e Gjykimit”. (Ebu Daudi)

 Ebu Bekri r.a., njëri prej shokëve të Profetit Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), tregon:

“E kam dëgjuar Profetin (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), të thotë: “Ai që vret një jomysliman i cili jeton në paqe me myslimanët, nuk do të hyjë në Xhennet, madje as erën nuk do t’ia ndiejë”.

Pasardhësit e Profetit (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), kishin kujdes ndaj mbrojtjes së të drejtave dhe shenjtërive të shtetasve jomyslimanë. Edhe pse juristët kishin medhhebe (shkolla) të ndryshme, përsëri i shohim unanimë në respektimin e të drejtave dhe shenjtërive të tyre.

Juristi malikit Shihabuddin Kurafi, thotë:

“Përgjegjësia ndaj të drejtave të banorëve jomyslimanë është jona, ngase ata jetojnë afër nesh, nën përgjegjësinë dhe mbrojtjen tonë, nën mbrojtjen e Zotit të Madhëruar, nën mbrojtjen e Profetit (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!) dhe nën mbrojtjen e Islamit. Kush i sulmon ose i ofendon me ndonjë fjalë të keqe, ose ofendon nderin e tyre me thashetheme apo i ofendon në ndonjë mënyrë tjetër, do ta humbë garancinë e Zotit, garancinë e Profetit (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!) dhe garancinë e fesë islame”. (Libri: El-Furuk – Autor: Kurafi)

Juristi i hershëm Ibn Hazmi thotë:

“Në qoftë se vijnë kundërshtarët t’i luftojnë banorët tanë jomyslimanë, obligohemi të dalim e të luftojmë me armë e t’i mbrojmë deri në vdekje ngase ata janë nën garancinë e Zotit të Madhëruar dhe të Profetit të Tij. Në qoftë se i dorëzojmë pa kurrfarë rezistence, zhvlerësojmë kontratën e garancisë”. (Libri: Meratibul-ixhma’i – Autor: Ibn Hazmi)

Po ashtu, tregohet nga një shok i Profetit Muhammed, i quajtur Abdullah ibn Amr, se i Dërguari i All-llahut (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!) e kishte bërë të qartë se vrasja e delegatëve të huaj apo ambasadorëve është rreptësisht e ndaluar në Islam:

“Kushdo që vret një person të cilit i është dhënë garancia e mbrojtjes nga myslimanët, ai nuk do të shijojë aromën e Xhennetit, ndonëse ajo mund të ndihet nga një distancë 40 vite larg”. (Buhariu)

Duke u bazuar në argumentet bazë të Islamit, dijetarët myslimanë kanë sqaruar më tej se Islami e ndalon rreptësisht shënjestrimin, dëmtimin apo vrasjen e diplomatëve të huaj, qofshin ata ambasadorë, emisarë apo delegacione jomyslimane, apo dhe individë të huaj që hyjnë në një vend mysliman.

Dhe tani, pas gjithë këtyre sqarimeve që besoj se nuk janë të pakta, lind pyetja:

“Çfarë mund të thuhet për atë kategori besimtarësh që teksa shohin ndonjë personalitet fetar, fjala vjen ndonjë myfti teksa pi kafe apo drekon me ndonjë të krishter, qoftë besimtar i thjeshtë apo dhe prift, e vënë menjëherë në shtyllën e turpit, herë-herë duke e nxjerrë dhe nga feja”?

Paditurisë dhe ligësisë së programuar apo dhe rastësore di t’u them se myslimanët janë të obliguar nga feja e tyre që ta largojnë të keqen në mënyrën më të mirë e jo të shkaktojnë një të keqe më të madhe e cila mund të sjellë çrregullime në tokë…

Lajmet e fundit nga