web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një Evropë e lirë ka nevojë për ushtrinë e saj

14 Shkurt 2022, 09:18, Blog CNA

Nga Hilde Vautmans ?Eu Observer?

Vitet e fundit kanë treguar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk munden dhe as nuk dëshirojnë të jenë më ?xhandari? i botës. Për më tepër, Rusia dhe Kina duket se po i përafrojnë strategjitë e tyre:njëra synon aneksimin e Ukrainës dhe tjetra të Tajvanit.

Kjo gjë do të zhdukte jo vetëm 2 demokraci, por do të godiste edhe Evropën në thelbin e saj. Ne nuk kemi më luksin që të mos luajmë gjeopolitikisht. Gjatë 30 viteve të fundit,b ka rënë numri i demokracive, ndërsa është shtuar numri i konflikteve.

I udhëhequr nga presidenti rus Vladimir Putin, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan dhe ai kinez Xi Jinping, modeli post-modern i ka lënë vendin politikës së fuqive të mëdha, të ngjashëm më atë të shekullit XIX-të.

Pra kemi një botë në të cilën fuqitë e mëdha, e ndajnë planetin në sferat e tyre të ndikimit, duke e shpërfillur tërësisht vullnetin e popujve apo ligjin ndërkombëtar. Në këto kushte, a mos duhet të arrijmë në përfundimin se Perëndimi ka humbur tashmë?

Jo. Sepse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, janë ende zonat më të begata të botës.

Qytetarët tanë janë njerëzit më të lirë në botë. Ne kemi një shtet ligjor që funksionon mirë, një ekonomi dinamike, ndërsa kërkesat tona për produkte janë ende standardi global.

Kjo ndodh jo sepse vendet e tjera mendojnë se rregullat tona janë shumë të shkëlqyera, por sepse përndryshe nuk do të kishin qasje tek konsumatorët më të pasur në botë. E megjithatë, BE-ja duhet të jetë e kujdesshme që të mos bëjë të njëjtat gabime si dikur Perandoria Romake, e cila ra viktimë e dekadencës dhe idesë se siguria e saj mund t?u transferohej edhe  të tjerëve.

Edhe në Bashkimin Evropian, vendet vështirë se duan të investojnë seriozisht në forcat e tyre të armatosura. Përkundrazi, shumë vende janë kundër një politike të përbashkët evropiane të jashtme dhe të sigurisë. Ata mbeten të fiksuar pas idesë se SHBA-ja, do të vazhdojë të që garantojë sigurinë tonë nëpërmjet NATO-s.

Por kjo qasje është shumë naive. Që nga koha e presidencës së Barak Obamës, fokusi i SHBA-së është zhvendosur në Azi. Donald Trump që erdhi pas tij në krye të SHBA-së, ishte më shumë mik me Vladimir Putinin sesa me aleatët e tij evropianë.

Fatmirësisht nën presidentin aktual Xho Bajden, lidhjet transatlantike janë rivendosur,

por edhe ai ka në fokusin kryesor politikën ?Amerika e Para?. Dhe kjo e lë Evropën të pambrojtur. Një luftë e mundshme në Ukrainë do të prodhonte një fluks të madh refugjatësh, dhe një mungesë të paprecedentë të energjisë.

Pushtimi i Tajvanit nga Kina, do të mbyllte ekonomitë tona këtu në Evropë, për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve. Përfundimi i vetëm për BE-në, duhet të jetë që ajo duhet të bëhet sa më autonome dhe më vendimtare në sjelljen e saj.

Planet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell për të ngritur një forcë ushtarake pan-evropiane prej 5.000 trupash janë të lavdërueshme, por tërësisht të pamjaftueshme. Le të mos harrojmë se Putin ka vendosur brenda pak javësh rreth 120.000 trupa pranë kufirit me Ukrainën.

Cili do të jetë reagimi ynë, në rast se viktima e radhës do të jetë një nga vendet anëtare baltike të BE-së? Trump na tregoi disa vite më parë se parimi i solidaritetit i NATO-s nuk duhet të konsiderohet si diçka e mirëqenë.

Nuk duhet përjashtuar mundësia e një lloji të ri Trump-i që do të ngjitet në pushtet pas  Bajdenit. Prandaj është koha që të shënojmë progres në drejtim të ngritjes së një ushtrie evropiane, të bazuar në një politikë të jashtme të përbashkët.

Jo për të dobësuar NATO-n, por për ta forcuar atë. Një sondazh i kohëve të fundit me qytetarët evropianë, ka treguar se nevoja për një ushtri evropiane perceptohet si më emergjente se kurrë më parë. Vendi im Belgjika ka pasur politikanë, të cilët kanë lënë gjurmë të mëdha në integrimin evropian.

Pa Pol Henri Spak nuk do të kishte pasur treg të brendshëm. Pa Gi Verhofshtad nuk do të kishte pasur asnjë konventë që nxiti fillimin e reformave të fundit të mëdha në Bashkimin Evropian. Dhe pa Herman Van Rompoi, Greqia do të ishte dëbuar nga eurozona.

Prandaj unë i bëj thirrje qeverisë belge që ta nxisë Konferencën për të Ardhmen e Evropës që ta vazhdojë këtë traditë. Le të angazhohemi për një Bashkimi të vërtetë Evropian të Mbrojtjes. Dhe le të heqim një herë e përgjithmonë vetot kombëtare bllokuese, të cilat e pengojnë një politikë të jashtme të përbashkët evropiane.

Shënim:Hilde Vautmans, koordinatore për çështjet e jashtme në grupin ?Evropa e Ripërtërirë? në Parlamentin Evropian.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga