web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Analiza/ Dështimi i PD fillon në Devoll

28 Prill 2021, 12:47, Politikë CNA

CNA.al do të sjellë një analizë të vazhduar, të përditshme për shumë nga njësitë administrative, pra bashki apo edhe qarqe në lidhje me zgjedhjet e vitit 2021.

Kjo duke krahasur rezultatet e 2017, por edhe për të treguar diferencat në tre palë zgjedhjet, 2013, 2017 dhe 2021, mund të përdorim edhe të dhënat e vitit 2009 për të parë trendet, rritjet dhe uljet e Partive politike dhe kryesisht duke analizuar atë që është problem, pra rritjen e pamundur të PD për të bërë thyerjen ndaj socialistëve, për të treguar edhe zonat bastion se çfarë ka ndodhur dhe si qëndron e vërteta.

Nga të dhëna zyrtare, dalë nga KQZ bashkia që tregon humbjen e vërtetë të Lulzim Bashës është ajo e Devollit.

Një zonë e quajtur bastion, e fituar sistematikisht nga PD, pushteti vendor dhe komunat dhe votat masive që jepte për kandidatët për deputet.

Çfarë ndodhi në Devoll?

Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ janë numëruar rreth 17 mijë e 300 vota në bashkinë e Devollit e cila përfshin edhe ish komunat e Progrit, Mirasit, apo njësitë administrative që kanë qenë në rrethin e Devollit, tashmë të kthyer në bashkinë Devoll.

Pra në gati 17 mijë e 300 vota të numëruara nga një listë totale prej 33 mijë e 600 zgjedhësish, PD ka marrë 7620 vota, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 7425. Diferenca duket rreth 200 vota, sipas rezultatave të shpallura dhe të pakontestuara në asnjë moment në bashkinë e Devollit.

Bashkia e Devollit është një shembull konkret, nuk ka pasur asnjë incident ndaj zgjedhjeve, nuk ka pasur asnjë kontestim, asnjë përplasje midis kundërshtarëve politikë. Përplasjet kanë qenë të brendshme në PD.

Le të shkojmë tek analiza e shifrave të vitit 2017 dhe pastaj të nxjerrim edhe argumentet.

Në vitin 2017, PD ka pasur 8300 vota, pra në vitin 2021 ka marrë rreth 700 vota më pak se katër vite më parë. PS nga 5791 vota ka marrë 7425 vota. Nga ana tjetër LSI në vitin 2021 ka marrë 1218 vota ndërsa në vitin 2017 ka marrë 1563 vota.

Rënia më e madhe duket të jetë tek PD, por në vitin 2018 ka pasur edhe një faktor tjetër, PDIU ka 1434 vota ndërkohë që këtë herë ishte në koalicion me PD. Rritja e PD duhet të ishte mbi rezultatin e vitit 2017. Pjesëmarrja në vitin 2017 ka qenë 17 mijë e 850 vota. Votat e vlefshme janë thuajse njësoj, por ka një rënie që është diku tek 1 mijë vota në total, të pjesëmarrjes dhe të votave të vlefshme, një diferencë kjo e ardhur edhe për shkak të mbylljes së kufirit dhe mosardhjes së emigrantëve.

Pra, rënia e PD mund të jetë shkaktuar edhe nga mosardhja e emigrantëve, por në fakt nuk rezulton e tillë pasi ka një kalim dhe një rritje shumë të madhe të votave të PS, pasi kjo e fundit sipas të dhënave zyrtare është rritur me gati 1 mijë e 700 vota.

Pse kjo rritje e socialistëve?

Në fakt ka të bëjë me kandidati Ilir Topi, një përfaqësues nga komuna e Mirasit një zonë ku në fakt PS ka tentuar të rivalizojë me PD, por këtë herë vetë profili i kandidatit nga e njëjta njësi ka bërë që socialistët të rikuperojnë vota. Nga ana tjetër është rikandidimi i Bledjon Nallbatit, ish kryetarit të Bashkisë. Ky i fundit garoi si përfaqëues i PD, megjithëse ishte skualifikuar nga votimi brenda strukturave të PD.

Pra në garën që Lulzim Basha bëri përpara zgjedhjeve, duke vendosur trupën elektorale përballë kandidatëve të mundshëm për deputet, pas Hekuran Hoxhallit si kandidati më i votuar me gati 700 vota, vinte i dyti Bledjon Nallbati me mbi 450 vota, por Nallbati u kandidua ndërsa Hoxhalli jo.

Në Devoll ka pasur edhe një fenomen tjetër, një përplasje të ashpër midis Hekuran Hoxhallit dhë Bledjon Nallbatit.

Bledjoni është bërë kryetar bashkie në Devoll me mbështetjen e Hekuran Hoxhallit, i cili në fakt në vitin 2013 ishte një nga njerëzit kryesorë të PS dhe Niko Peleshit që luftonin kundër PD dhe ministrit të atëhershëm, Ridvan Bode.

Megjithëse në fakt, Hekuran Hoxhalli kishte qënë kohë më përpara drejtor gjatë qeverisjes së PD, dhe ish kreu i PD në Devoll. Mesa duket për interesa personale dhe inatet e tij doli kundër PD në 2013.

I keqpërdorur dhe nga Lulzim Basha më pas, ai merr nën kontroll PD e Devollit dhe në vitin 2017 Hekuran Hoxhalli kandidon dhe bëhet deputet i kësaj bashkie pasi në vitin 2015 ai në bashkëpunim më Lulzim Bashën kishin kandiduar Bledjon Nallbatin dhe kishin mundur të siguronin fitoren në Bashkinë e Devollit. Por, trendi i votave ka pësuar ndryshime.

Bledjon Nallbati i rikandiduar ka marrë më pak vota sesa në 2017, kur Hekuran Hoxhalli dhe kandidati akual i PD i katërti në listë, zoti Bledjon Nallbati, ish kryebashkiaku, ishin bashkë në garë dhe kishin edhe makinerinë elektorale, le të themi, të pushtetit vendor.

Tani pas katër vitesh kur bashkinë e Devollit e kanë dorëzuar, ku pjesëmarrja është ulur disi për shkak të emigrantëve. Me një kandidat të fortë të majtë në një nga njësitë më të mëdha të bashkisë Devoll, PD nuk ka mundur të mundë PS me më shumë se 200 vota. E në rast se në vitin 2017 diferenca PS-PD ishte gati 2 mijë e 700 vota, diferenca në vitin 2021 PD-PS është vetëm 200 vota. Pra, PD në hambarin e saj të votave ka humbur shumë, ka humbur jo pak por gati mbi 2500 vota. Nga ana tjetër, konfikti i ndodhur midis Bledjon Nallbatit dhe Hekuran Hoxhallit ka përçarë PD.

Bledioni më afër Ervin Salianjit dhe Lulzim Bashës, Hekurani më i distancuar, konfikti midis të dyve ka prodhuar një rezultat katastrofik, por edhe kandidimi për herë të dytë i Hekuran Hoxhallit mund të ishte e njëjta katastrofë sepse Bledjoni do punonte kundër. Edhe kandidimi i Bledjonit shënoi sërish një katastrofë në Devoll dhe për këtë përgjegjësi ka edhe kreu i PD, zoti Lulzim Basha që zgjodhi Bledjonin, i cili shpesh herë në qarqe të ndryshme politike është dëgjuar se ka sponsorizuar mandatin e tij, pra ka paguar mandatin e tij qoftë edhe vetëm më mbulimin 100% të shpenzimeve të fushatës apo me para çuar në drejtime të tjera për të pasur të sigurt mandatin.

Në listën e qarkut të Korçës nga Devolli ishin dy kandidatë, Edmond Spaho, kryesues i listës dhe Bledjon Nallbati.

Ndërkohë që Lulzim Basha bëri zgjedhjen e gabuar midis dy drejtuesve lokalë që po konfliktoheshin, ai zgjodhi Bledjonin megjithëse ai kishte marrë shumë vota kundër. Në fakt zgjidhja më e mirë për Lulzim Bashën do të ishte një kandidat i tretë apo qendrimi i Edmond Saphos në Devoll i cili mund të kishte bërë një maksimalizim të votës për demokratët. Rezultati është ai që ne kemi përmendur më lart, PD ka marrë më pak vota se në vitin 2017 dhe diferenca që ka me PS është vetëm 200 vota në zgjedhjet e 2021.

E gjithë kjo, e thënë shkurt, për shkak të konflikteve të brendshme në PD për shkak se Basha zgjodhi kandidatin e gabuar dhe për shkak të faktit se u rikandidua një person i cili tashmë nga një kryetar bashkie apo drejtues lokal ishte kthyer në një konfliktues, përplasës e përçarës votash të demokratëve. Devolli është një bashki shumë sinjifikative që jep të dhëna shumë të qarta se humbja e Lulzim Bashës nuk ka ndodhur për shkak se dikush i ka blerë votat apo dikush i ka shitur votat.

Në Devoll ky fenomen nuk ka qenë aspak i denoncuar, për më tepër PD pretendonte për një fitore me rreth 3 mijë vota diferencë, në fakt ajo që ndodhi ishte se PD ka humbur, PS ka rikuperuar votat.

Konflikti i brendshëm, përzgjedhja e Lulzim Bashës dhe përçarja e strukturave çuan në një rezultat katastrofik për demokratët të cilët për pak rrezikuan të humbnin, megjithëse 200 vota para është një diferencë që tregon se Devolli ka reaguar ndaj kandidatit, ndaj sjelljes së PD, ndaj Lulzim Bashës, por edhe ka refuzuar të pranojë diçka të servirur gati e gatuar keq dhe ka kuptuar se kandidatët që blenë mandatet nuk i vlejnë më qytetarëve dhe banorëve të Devollit.

Shifrat e dhëna më lart janë zyrtare!

Tashmë Devolli është një bashki sinjifikative në qarkun e Korçës që flet me shifra të qarta, flet me vota dhe tregon bindshëm se PD ka humbur për shkak të problemeve të brendshme, jo për shkak të kundërshtarit politik, Partisë Socialiste./CNA.al





Lajmet e fundit nga