web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndërkombëtarët përgatiten për goditje të bujshme/ Politikanët në panik

16 Gusht 2018, 06:36, Aktualitet CNA

Ndërkombëtarët kanë nisur përgatitjet për arrestime në nivele të larta. Bashkimi Europian ka kërkuar të ngrihet SPAK dhe të ketë arrestime pushtetarësh. Por teksa prokuroria deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje të bujshme, po ndërhyjnë ndërkombëtarët. Sipas burimeve të gazetës, ekspertë gjermanë dhe nga vende të tjera të BE kanë nisur trajnimet dhe kanë marrë në dorë dosje sa i takon pastrimit të parave. Prej afro një muaji një grup ekspertësh pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave kanë qëndruar në Gjermani, ku janë trajnuar për të zbuluar paratë e pushtetarëve shqiptarë. Aty ata kanë mësuar të gjitha informacionet që kanë partnerët tanë, por dhe teknika speciale që do të çojnë te gjetja e parave të fshehura dhe pastruara.

Por nga na tjetër mësohet se në Tiranë kanë mbërritur ditët e fundit një grup ekspertësh gjermanë dhe nga vende të tjera të BE që po shohin nga afër dosjet që ka Drejtoria e Pastrimit të Parave. Ata po kryejnë trajnime dhe po japin asistencë për të goditur në nivelet më të larta. Gazeta ?SOT? e ka thënë se DPPPP ka në dorë dosje për një numër të madh zyrtarësh. Për shkak të lidhjeve politike dhe për shkak të efikasitetit të dobët të prokurorisë, ato dosje asnjëherë nuk kanë shkuar pranë organeve të drejtësisë.

Një gjë është e sigurt se SHBA dhe vende të BE kanë dijeni për ato dosje. Aty përmenden emra politikanësh, deputetësh, ministrash, gjyqtarësh e prokurorësh që kanë pasuri të dyshimtë brenda e jashtë vendit. Ka shumë nga ata që kanë dërguar paratë në Londër, Zvicër e shtete të tjera, por që shumica janë zbuluar. Teksa BE kërkon goditje në nivele të larta, duket se tashmë do hyjë në lojë Drejtoria e Pastrimit të Parave. Një shembull është Adriatik Llalla. Ishte kjo drejtori që kishte kopsitur dosjen e tij prej vitesh dhe sapo nisi lufta mes tij dhe SHBA dhe në media po dilnin aferat, atëherë të dhënat ju vunë në dispozicion prokurorisë. Fatin e Llallës mund ta kenë dhe shumë emra të tjerë në nivele të larta.

Një pikë mjaft interesante e raportit vjetor të DPPPP për vitin 2017 është ajo që zbulon përfshirjen e politikanëve në transaksione. Në raport shkruhet se gjatë vitit që lamë pas, plot 15 persona të ekspozuar politikisht (PEP) janë të përfshirë në transaksione të dyshimta. Në rast se bëjmë një krahasim të vogël me vitin 2016, kuptohet që përgjatë vitit të shkuar numri i njerëzve që kanë lidhje me politikën është rritur në 2017. Më konkretisht, në 2016 kanë qenë vetëm 4 persona të ekspozuar politikisht të përfshirë në transaksione të dyshimta, ndërsa në 2017 ky numër ka shkuar në 15. Ndërkohë, disa nga metodat e tjera që përdoren nga pushtetarët për pastrimin e parave janë edhe kryerja e një aktiviteti ekonomik fiktiv, këmbimet valutore në vlera të larta (17 raste gjatë 2017), përdorimi i dyshimtë i kredive bankare (4 raste në 2017) apo edhe mashtrimi kompjuterik ku gjatë 2017 janë konstatuar 16 raste të tilla.

Ndër të tjera, në raport thuhet se për disa kategori të subjekteve raportuese vërehet zgjerim i fokusit të analizave që ata kryejnë, duke përfshirë jo vetëm transferta të shpeshta dhe në vlera të larta, por edhe raste të dyshimta për transferta të kryera me vende të cilësuara me risk për trafikim të lëndëve narkotik.





Lajmet e fundit nga