web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Risitë e listës “Blushi-Hafizi” / Nga Denion MEIDANI

20 Tetor 2016, 10:36, Aktualitet CNA

?Lista? Blushi-Hafizi nuk mund të vinte në një moment më të përshtatshëm për të majtën por dhe për situatën aktuale në Shqipëri. Në fakt, e majta e vërtetë nuk ka asnjë përfaqësues real në parlamentin e sotëm ku partitë parlamentare po shtyjnë e shtypin njëra-tjetrën drejt një të djathte tejet konfuze, deri të pakuptimtë. Sot, Shqipërisë i duhet një politikan sa elokuent dhe me eksperiencë, po aq dhe i vendosur për të nxitur dhe mbështetur politika të majta ekonomike e sociale të formatit social-demokrat europian. Pra, për të kryer reforma të vërteta dhe me përmbajtje sociale e njerëzore dhe jo ato që vetëm i ruajnë apo i fuqizojnë më tej monopolet, apo krijojnë partneritete abuzive, korruptive, pra dhe pasurim të paligjshëm. Me një pritshmëri të madhe qytetare janë reformat në fusha të ndryshme: ato që rimëkëmbin sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, duke mundësuar barazi, transparencë dhe shërbim cilësor për të gjithë; reforma sociale dhe punësimi që ndihmojnë shtresat në nevojë por dhe i shërbejnë rimëkëmbjes ekonomike; reforma strukturale, që përmbysin piramidën e mirëqenies ekonomike duke zvogëluar skamjen e varfërinë dhe, mbi të gjitha, për t?i rikthyer dinjitetin shtresës së mesme. Dhe e gjitha kjo pa pasur nevojë për të rritur barrën fiskale dhe masat ndëshkuese, që rilindja i ka çuar në rritje të ekzagjeruar dhe të panevojshme, pikërisht  për të përfituar nga evazioni dhe dominimi i disave dhe rrënimi i të tjerëve. Në fund të ditës askush nuk përfiton nga rrënimi i sipërmarrjes familjare dhe asaj të vogël, madje as më i pasuri në vend.

Pra, sot, është urgjente krijimi i një grupimi apo një force politike që të konceptojë dhe realizojë të gjitha këto reforma, por dhe të luftojë korrupsionin kapilar dhe administrativ, dhe aq më shumë krimin e organizuar, që është infiltruar në qeverisje: në politikë, drejtësi, administratë, parlament e gjithkund falë rilindjes. Sot që vendi është mbushur cip më cip me drogë dhe që po rrjedh si lumë drejt perëndimit; në mediat evropiane po dalin deri dhe përqindjet përfituese të disa përfaqësuesve e bashkëpunëtorëve me lidhje të forta në polici dhe administratën e lartë. Në kushte të tilla, për një qeverisje të re të pritshme duhet kurajë politike dhe vendosmëri për të kthyer rendin dhe sigurinë. Situata është po aq serioze sa ka qenë në Kolumbi e Meksikë, përderisa Ministri i Drejtësisë po kërkon dhe ndërhyrjen e ushtrisë, njëlloj si në ato vende në luftën kundër drogës.

Sot, më shumë se kurrë, duhet një forcë politike që të jetë e sinqertë dhe që të inspirojë besim dhe demokraci tek qytetarët dhe jo një forcë me formacion klani, që ndalon e lejon importin e plehrave sipas oreksit vetjak ekonomik apo ndikimit, shërbimit e penetrimit mafioz të radhës.

Kërkohet një forcë e re politike që të respektojë demokracinë e brendshme dhe të imponojë një sistem zgjedhor demokratik. Jemi i vetmi vend evropian ku kryetari vendos apo vë vulën për kandidim, se cili duhet të bëhet deputet, sa duhet ta blejë apo meritojë këtë vend me servilosje dhe si duhet të sillet e të flasë për të ngrohur sa më gjatë atë karrige.

?Lista? si forcë e re, duke gjykuar nga sjellja politike e disa prej përfaqësuesve të saj, e ka gjithë potencialin politik për të mbushur vakumin demokratik dhe për të kryer këto reforma. Por, kjo forcë, që në krijimin e saj, duhet të premtojë që s?do të ketë asnjë kompromis me të keqen e sotme, e cila nuk është thjesht brenda rilindjes, por dhe tepër komplekse, e përbërë dhe e përhapur, në të gjithë spektrin politik dhe parlamentar.

Qytetarët shqiptarë janë të zhgënjyer nga klasa politike, e cila po i përfaqëson. Ata nuk kërkojnë mijëra faqe programi fals, por ndryshim të vërtetë, mbas kaq vitesh tranzicion, sakrificash e varfëri. Banditizmi politik dhe aleancat me krimin nuk mund të pranohen më për hir të kompromisit qeverisës, madje çdo alternativë opozitare me to është sa e domosdoshme, po aq premtuese.

Demokracia shqiptare po lëngon për sa u tha më sipër. Ajo i është nënshtruar një kaste që ushqehet ose përbëhet nga një aleancë e paskrupullt midis drejtësisë së shtrembët, politikës së mbrapshtë, sipërmarrjes shushunjë që operon jashtë kufirit të ligjit dhe medias së padrejtë e gjobëvënëse. Një forcë e re e majtë shpresëdhënëse si ?Lista? Blushi-Hafizi duhet të ecë me guxim e qytetari, në mes të përplasjes shumëvjeçare të kësaj kaste dhe popullit të vet. Duke iu shmangur çdo ?prite? në këtë mjedis tejet të infektuar, ajo duhet ta përfaqësojë dhe drejtojë qytetarinë shqiptare drejt evropianizimit politik, drejt fitores kundër kësaj lufte midis këtyre dy blloqeve egërsisht opozitare. Sot, populli shqiptar duhet të fillojë të mendojë se si do të votojë. Ai që i shërben të sotmes dhe të ardhmes së afërt, është ai opsion që nuk i bashkohet kastës në pushtet, por rotacionit tërësor drejt fytyrave të reja me integritet të politikës dhe qytetarisë. Madje, edhe ata që kanë dekada që po abstenojnë të zhgënjyer, duhet të mblidhen dhe ta hedhin votën e tyre, në formë proteste e ndëshkimi ndaj kastës dhe zhgënjimit, për të kthyer së fundi shpresën.

Vota në 2017 duhet të jetë kundër fallcitetit, klientelizmit e abuzivizmit politik 27 vjeçar. Të shpresojmë, por dhe të kontribuojmë, që Blushi, Hafizi dhe të gjithë ata, që do i ndjekin, do të jenë në gjendje të ringjallin shpresën, që të kthejnë një faqe të re në politikën shqiptare, që të frymëzojnë një kapitull të ri në emër të progresit. /Panorama

 

 





Lajmet e fundit nga