web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vllaznia zbret në fushë përballë islandezëve/ Martini: Kemi një ekip të fortë fizikisht

23 Korrik 2025, 16:36, Sport CNA

Vllaznia zbret në fushë përballë islandezëve/ Martini:

Pas kualifikimit të rëndësishëm në turin e parë të Conference League, Vllaznia do të zbresë në fushë përballë islandezëve të Vikingur në turin e dytë. Ndeshja e parë luhet në Shkodër mbrëmjen e 24 korrikut. Përpara kësaj sfide, trajneri i Vllaznisë Edi Martini shfaqet me këmbë në tokë duke thënë se islandezët janë favoritë për kualifikimin, por kuqeblutë sipas teknikut shkodran do provojnë të marrin maksimumin nga kjo ndeshje.

“Është një kualifikim që na kënaqur dhe ishte detyrim për ne. Ia arritëm edhe pse me mund të madh. Kur kualifikohesh në këtë mënyrë emocionet janë të mëdha, por edhe kënaqësia është e madhe. Dua t’ju them djemve bravo për këto dy ndeshje që zhvilluan dhe do vazhdojmë përpara. Normalisht që është një përballje tjetër. Kemi një ekip shumë të fortë fizikisht, janë në fazën më të mirë të kampionatit dhe jo më kot ndodhen në vend të parë. Para tre ditësh kishin një ndeshje me Valur, pavarësisht se pësuan një humbje, luajtën mirë edhe pse ishin me një lojtar mangut. Kanë ardhur që të henën në Shkodër, gjë që tregon frikën e tyre ndaj nesh. Edhe pse e di që janë më favoritë se ne për të kaluar këtë tur, por ne do bëjmë maksimumin tonë për të ecur përpara. Ne çdo ditë jemi më mirë, duke u përmirësuar. Gjithsesi kam disa shqetësime sepse Qato nuk do të jetë nesër gjë që na bën dëm të madh, të shohim edhe Salën sepse është me temperaturë dhe ndodhet në spital duke bërë serum dhe shpresoj të bëhet mirë. Janë mungesa të rëndësishme edhe pse kemi 25 lojtarë ku gjithsecili që është futur në pjesën e dytë në Letoni ka dhënë më të mirën. Me ekipin letonez ne ishim më mirë dhe pavarësisht kësaj ata na rrezikuan kualifikimin. Jam i sigurtë që islandezët nuk kanë atë diferencë me ne që kishin letonezët dhe ne jemi të fokusuar tek kjo ndeshje dhe shpresoj që të japim më të mirën. Ata janë favoritë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të luftojmë për të kaluar turin. Nuk e di ta them për të rinjtë që kanë ardhur deri ditën e ndeshjes sepse duhet parë gjendja e tyre. Normalisht kërkon përshtatje mënyra se si ata kanë ardhur në ekip dhe do vendosim në sekondën e fundit se kush do luajë sepse ata që do jenë në fushë dhe dua që të jenë fizikisht dhe psikologjikisht për të përballuar ndeshjen. Bismark ka kohë që është në Shqipëri dhe është mirë. Portieri gjerman vjen në një klimë tjetër më të ngrohtë këtu dhe nuk është ambjentuar akoma por besoj se ka për të na ndihmuar shumë dhe do e vendosim në fund nëse luan apo jo”-shprehet Martini.

Vllaznia nuk futet e dorëzuar në fushë shprehet tekniku Martini.

“Absolutisht që jo, por rezultatet e kohëve të fundit përballë këtyre ekipeve kanë lënë një shije të keqe. Edhe me Valur vjet, por edhe Egnatia që u eleminua, por kam besim tek djemtë që do japin maksimumin. Kjo është e rëndësishme pastaj rezultati është edhe çështje fati dhe fati duhet të jetë me ne. Vllaznia duhet të tentojë që ta fitojë ndeshjen pavarësisht se nuk jemi favoritë. Ka shumë gjëra që na bëjnë të futemi në fushë për të fituar sepse ata para 3 ditësh kishin një ndeshje të vështirë, është udhëtimi që kanë bërë dhe kushtet atmosferike që për ata janë disavantazh. Ne do të tentojmë një fitore nesër, por një fitore shumë të kujdesshme sepse nuk mund të kalojmë në aventurë sepse duhet të dyja ndeshjet për të arritur në kualifikim dhe do bëjmë më të mirën dhe shpresojmë që Zoti të jetë me ne. Jam i kënaqur që justifikuam një tur kualifikimi dhe kjo edhe për tifozët dhe mendoj se do jenë të shumtë në stadium sepse ai që është tifoz e do ekipin si në ditë të mirë edhe në ditë të këqija. Patjetër që kam emocion. Të jesh trajner i Vllaznisë dhe të jesh një djalë që je rritur në Shkodër dhe që këto tifozë e kanë respektuar gjithmonë është kënaqësi të jesh trajner i Vllaznisë, por edhe një përgjegjësi e madhe për mua dhe do të bëj më të mirën për të arritur ato ëndrra që tifozët kanë. Ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Do të ulim kokën dhe nuk do të merremi për t’iu përgjigjur njerëzve. Përgjigja më e mirë për kritikët është që ne të punojmë më shumë sepse kur na kritikojnë na ulin me këmbë në tokë dhe na bëjnë që të punojmë edhe më tepër. Patjetër që merkato është e hapur. Ne kemi punuar gjatë kësaj kohe për të arritur objektivat që kemi në Kupat e Europës, e arritëm njërin dhe të shohim tani. Fokusi kryesor është për të plotësuar ekipin për kampionatin që ka për të qenë shumë i egër këtë vit. Kemi bërë disa blerje dhe janë edhe disa të tjera që do ta forcojnë skuadrën edhe më tepër. Kemi qenë të kujdesshëm për të mos bërë gabime dhe do mundohemi që të jemi sa më të vëmendshëm që të gjithë lojtarët që të vijnë të jenë efiçentë. Normalisht që për Dodajn më vjen keq sepse shënoi dhe dha asist në Letoni duke bërë një ndeshje të shkëlqyer dhe është një vlerë e munguar për ne. Jazxhi u dëmtua një ditë para ndeshjes dhe kishim pretendimet tona që ai do të na ndihmonte, por fati nuk e desh. Janë mungesa të rëndësishme. Gjinin e kam patur edhe në Durrës lojtar dhe ka bërë një punë shumë të mirë. Me 45 minutat që luajti e justifikoi shumë mirë  dhe kam besim tek ai lojtarë sepse ka cilësi shumë të mira”,-tha tekniku Martini.

Më optimist për një rezultat pozitiv të Vllaznisë përballë Vilingur është sulmuesi Balaj që mban edhe shiritin e kapitenit.

“Normalisht që është një ndeshje e rëndësishme. Kemi arritur që ta kalojmë turin e parë me ato vështirësitë e veta, por tashmë kthehemi në Shkodër dhe luajmë në “Loro Boriçi” dhe prania e tifozëve do jetë një shtysë e madhe për ne dhe shpresojmë që t’ia dalim me sukses. Sigurisht që kualifikimi në Letoni rrit entuziazmin, besimin edhe pse ne kishim besim pavarësisht se në Elbasan morëm një rezultat jo të mirë dhe e treguam në ndeshjen e dytë duke arritur ta kthejmë. Tani Vikingur është një kundërshtar tjetër, ata janë në kampionat tani dhe janë aktiv me minuta, ritëm e ndeshje dhe kjo ndoshta i favorizon, por besimi i çunave është i madh dhe do ta provojmë. E dimë që vitin e kaluar humbën 0-3 ndaj një tjetër ekipi islandez, por ajo ndeshje me dy fytyra sepse atje luajtëm mirë dhe më pas humbëm në Shkodër. Është një histori krejt tjetër sepse luajmë në turin e dytë dhe vijmë pas një kualifikimi të rëndësishëm. Jemi munduar që të afrojmë lojtarë cilësor dhe i kemi mirëpritur dhe shpresojmë që të na shërbejnë dhe të japin atë ndihmë që i ka munguar skuadrës. Dëshira është e madhe për këtë ndeshje, edhe besimi po dhe do provojmë çdo gjë për t’ia arritur. Është ndeshja e parë dhe duhet të jemi të kujdesshëm sepse kualifikimi arrihet me dy ndeshje. Do mundohemi edhe me ndihmën e tifozëve që të marrim një rezultat pozitiv në Shkodër që ta kemi më të lehtë në ndeshjen e dytë. Sa i përket largimit të Dodaj gjej rastin ta përshëndes dhe ta përgëzoj për këtë lëvizje që ka bërë. Ka patur mbështetjen e të gjithëve, është një djalë me vlera dhe e ka treguar veten përsa kohë ishte tek Vllaznia dhe i urojmë rrugë të mbarë dhe shpresoj ta shohim sa më lart”,-tha Balaj./CNA





Lajmet e fundit nga