web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Një kujtesë se ëndrrat marrin formë”/ Artikulli i plotë i "Vogue Belleza" për Bleona Qeretin

9 Dhjetor 2025, 16:26, Lifestyle CNA

“Një kujtesë se ëndrrat marrin formë”/ Artikulli

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bleona Qereti, është imazhi i kopertinës së revistës së njohur "Vogue Belleza", në edicionin kushtuar bukurisë.

“Një kujtesë se ëndrrat marrin formë”/ Artikulli

Revista latino-amerikane shkruan se në këtë numër të ri të revistës Bleona ndan disa mësime mbi bukurinë dhe stilin që nuk duhet t'i humbasim nga sytë.

 

Artikulli i plotë

 

Çfarë do të thotë realisht të jesh një grua shumëdimensionale në shekullin XXI? Ndoshta përgjigjja gjendet te Bleona, gruaja që nuk kërkon leje, që nuk i frikësohet cenueshmërisë, që ecën me elegancën e dikujt që ka mësuar të mbajë veten. Këtë dhjetor, artistja shqiptare është në kopertinën e Vogue Belleza, në një edicion që feston autenticitetin, këmbënguljen dhe bukurinë si një deklaratë lirie.

“Një kujtesë se ëndrrat marrin formë”/ Artikulli

Historia e Bleonës nis që në moshën 5-vjeçare, kur u ngjit për herë të parë në skenë pa e kuptuar plotësisht se çfarë do të thoshte “të bëje një performancë”. Ajo thjesht e dinte se muzika e bënte të ndihej gjallë. Dekada më vonë, i njëjti impuls vazhdon të jetë frymëzimi i saj. “Ajo vajzë ende jeton brenda meje, kureshtare, intensive, me bindjen se gjithçka është e mundur nëse guxon ta provosh”. Jeta e saj ka qenë një manifest i pavarësisë; kur bota ende mësonte të shqiptonte emrin e saj, Bleona tashmë shkëlqente në Shqipëri.

Kënga e saj e parë, Let Me Be Free, shkaktoi bujë. Liri, në një kontekst ku kjo fjalë ende shprehej me vështirësi. “Thyeva normat kulturore pa e menduar shumë, kujton ajo. Doja vetëm të shprehesha”. Kjo nevojë për t’u shprehur u shndërrua në identitetin e saj: të thyejë barriera, të provokojë dhe të ecë përpara.

“Një kujtesë se ëndrrat marrin formë”/ Artikulli

Sot, ta shohësh në kopertinën e Vogue Belleza është më shumë se një vlerësim; është përmbushja e një ëndrre që dikur dukej e paarritshme. “Kur isha në turne nëpër Europë, blija të gjitha edicionet e Vogue që gjeja”, rrëfen ajo. “Të mendosh që sot jam aty, është një kujtesë se ëndrrat marrin formë”.

Bleona ka ndërtuar një karrierë pa lidhje e pa shtëpi diskografike që t’i diktojë rrugën. “Jam një grua që ndërtohem dhe rindërtohem,” thotë me krenari. Në një sistem ku nepotizmi ende vendos rregullat, ajo zgjodhi të jetë “jashtë sistemit” dhe të krijojë të sajin. Ajo dërgon email-e, prodhon, redakton, miksion, dhe nëse diçka nuk funksionon, është vetë ajo që e korrigjon. “Nuk ka plan B. Nëse dua ekselencë, duhet ta garantoj vetë”.

Etika e saj e punës ndërthuret me një sens integriteti që e definon. “Kam treguar se suksesi nuk ka nevojë për leje, por integriteti po. Nuk ka sukses pa integritet”. Ajo nuk e thotë këtë si një slogan, por si një parim jetësor dhe megjithëse karriera e saj e ka çuar në skena unike, rrënjët e saj mbeten të pranishme. “Shqipëria është në zemrën time, kam punuar dyfish për të arritur gjysmën”, thotë ajo. “Kur njerëzit në Shtetet e Bashkuara zbulojnë se jam shqiptare, më përmendin artiste të njohura që i admiroj, por historia ime është ndryshe. Unë e jetova komunizmin, bëja radhë për të blerë bukë dhe megjithatë arrita në Hollywood. Kjo të ndryshon mënyrën si e sheh botën”.

Fuqia e saj nuk qëndron vetëm te zëri, por te aftësia për të frymëzuar. Ajo i ka kthyer pengesat në motor dhe paragjykimet në shtysë. Sot, teksa feston 30 vjet karrierë, Bleona riafirmohet si një ambasadore kulturore e vendit të saj. “Kur thonë Shqipëria, mendojnë për Bleonën. Dhe kjo, për mua, është nderi më i madh”, rrëfen me entuziazëm.

Dhe, sigurisht, pas atij lëkure të përsosur dhe asaj energjie të pashtershme fshihen sekrete që tingëllojnë po aq të thjeshta sa edhe revolucionare: gjumi, hidratimi, jeta pa teprime. “Skena është katarsisi im”. Çdo të diel, për tre ose katër orë, ajo i përkushtohet ritualit të saj me sauna, banja të ftohta dhe heshtje. “Është rinisja ime fizike dhe mendore”. Në botën e saj, kujdesi për veten nuk është kotësi, është mbijetesë. “Mirëqenia është feja ime”, pohon ajo. “Yoga, pilates dhe meditimi më rikthejnë në qendër”.

Kur ajo flet për mirëqenien, nuk ka të bëjë vetëm me rutina apo zakone të shëndetshme, por me një filozofi jete që ndikon në gjithçka që bën. Bleona e ruan energjinë e saj me të njëjtën saktësi me të cilën kujdeset për zërin apo karrierën e saj. Kjo disiplinë e brendshme dhe kjo lidhje mes trupit, mendjes dhe autenticitetit absolut i hapin rrugë një prej temave që e përcaktojnë më shumë: vizionin e saj për atë çfarë do të thotë të jesh “diva” sot. “Për mua, një divë nuk është dikush kërkues, por dikush që tejkalon. E di kush jam dhe nuk e ul veten. Më pranon 100% ose nuk më pranon fare”.

Kënga e saj e re, Famous, luan me këtë koncept: është një satirë mbi yjet egocentrike, por edhe një reflektim mbi çmimin e famës. “Besoj se artistët nuk duhet ta marrin veten shumë seriozisht, shumë prej tyre jetojnë me kokën në re. Unë s’kam qenë kurrë e tillë. Kam provuar gjithmonë të qëndroj me këmbë në tokë dhe të mos lejoj që fama të më ngjitet në kokë”.

Për vitin 2026, këngëtarja do të publikojë një ribotim të plotë të katalogut të saj shqiptar dhe një album të ri në anglisht. “Nuk besoj te nostalgjia, besoj te evolucioni. Kapitulli tjetër ka të bëjë me trashëgiminë dua ta globalizoj muzikën shqiptare”.

Bleona përfaqëson forcën femërore në formën e saj më të pastër: atë që të kujton se bukuria e vërtetë nuk gjendet në pasqyrë, por në lirinë për të qenë saktësisht ajo që je.





Lajmet e fundit nga