LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Goditja ndaj grupeve kriminale të trafikut të emigrantëve/ SPAK zbulon skemën, si funksiononin

2024-04-12 17:07:00, Kronika CNA

Goditja ndaj grupeve kriminale të trafikut të emigrantëve/ SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve të zhvilluara në lidhje me procedimin penal nr.188, të vitit 2023, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në kuadër të Skuadrës të Përbashkët Hetimore, ka kërkuar caktimin e masave të sigurimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila me vendimin e saj nr. 37, datë 10.04.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues:

–       “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për 21 persona nën hetim, të cilët janë organizatorë, drejtues dhe pjesëtarë të grupit kriminal  dhe punonjës të Departamentit pranë Kufirit dhe Migracionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në nivel qëndror dhe rajonal;

–           “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237, i Kodit të Procedurës Penale, për 3 persona nën hetim;

–          “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234, i Kodit të Procedurës Penale, për 2 persona nën hetim,

të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave”  kryer në formën e bashkëpunimit të vecantë, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, “Korrupsioni  aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 298/2 e 28/4; 186/1 e 28/4; 333/a; 334/1 dhe 245/1/2 e 259/1/2 të Kodit Penal.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Gjatë hetimit janë mbledhur e grumbulluar prova, nga ku rezulton se të paktën përgjatë vitit 2023-2024, në Shqipëri dy grupe kriminale kanë organizuar dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm për shtetas të huaj që vijnë nga Bangladeshi, për qëllime të përfitimit material, veprimtari kriminale, e cila besohet të jetë e organizuar në nivel transnacional.

Agjencitë e ndërmjetësimit të punësimit, në bashkëpunim me shoqëri tregtare me objekt veprimtarie kryesisht fasonerie, me seli në Vlorë dhe në Durrës, kanë kryer aplikime për leje unike pune dhe më pas për pajisje me vizë të tipit “D”, për shtetas të huaj kryesisht nga shteti i Bangladeshit, sipas procedurave ligjore të parashikuar në ligjin nr. 108/2023 “Për të huajt”, dhe VKM-së nr. 858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”.

Këto procedura janë kryer në mënyrë fiktive, pasi qëllimi nuk ka qenë punësimi i tyre, por pajisja me vizë, në mënyrë që ata të mund të hynin lirshëm në territorin Shqiptar, për t’u larguar më pas, në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjatë aplikimeve për punësim dhe për vizë, janë paraqitur kontrata qeraje fiktive banimi, çertifikata profesionale dhe njohjes të gjuhëve të huaja të falsifikuara, dhe me ardhjen e këtyre shtetasve në Shqipëri, ata nuk kanë kryer deklarimin e tyre si punonjës, apo e kanë kryer këtë deklarim vetëm për pak kohë për të shmangur dyshimet.

Veprimtaria ka filluar të dokumentohet nga data 30.08.2023, ndërsa procedurat e aplikimit datojnë më parë në kohë, ku episodet e udhëtimit të këtyre shtetasve nga Emiratet e Bashkuara Arabe për në Shqipëri nëpërmjet Aeroportit të Rinasit janë të shumta, dhe veprimtaria kriminale është dokumentuar me anë të metodave të veçanta të hetimit, duke identifikuar dhe grumbulluar prova për administratorët e agjencive të ndërmjetësimit dhe ato pritëse të punësimit, personat pritës të tyre në Aeroportin e Rinasit, vendin e qëndrimit të tyre,  personat transportues të tyre dhe destinacionin përfundimtar të tyre, i cili në disa raste ka rezultuar dukshëm që ka qenë në drejtim të Kukësit për në Kosovë e Serbi.

Nga këto prova të grumbulluara, është arritur të provohet, se qëllimi i aplikimeve për punë dhe për vizë nuk është punësimi i tyre, por përdorimi i kësaj mënyre për të bërë të mundur futjen e tyre të ligjshme në territorin Shqiptar, duke e përdorur atë si një vend transit për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Personat nën hetim provohet të kenë patur dijeni për këtë fakt, dhe kanë bashkëpunuar duke kryer veprime konkrete në funksion të arritjes së këtij qëllimi të përbashkët, duke patur role të caktuara dhe me qëllim përfitimi material, veprimtari – aktivitet i cili besohet të jetë tepër fitimprurës.

Gjatë hetimit janë mbledhur prova për punonjës të policisë të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në nivel qëndror dhe rajonal, të cilët kanë lehtësuar dhe ndihmuar grupin kriminal në procedurat për pajisje me vizë të tipit “D”,  kundrejt përfitimit material, apo në mosdokumentimit dhe raportimit gjatë kontrolleve që duhej të ushtronin gjatë detyrës së tyre, si dhe për punonjës policie të Komisariatit të Policisë Rinas, të cilët për shkak të detyrës së tyre kanë pranuar përfitime të parregullta në formën e transfertave monetare nga grupi kriminal.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 24 masa të sigurimit personal, për personat nën hetim, ndërkohë që për 2 personat e tjerë nën hetim, po bëhen kërkimet përkatëse.

Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale, sende të kundraligjshme apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, konkretisht 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikan, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë, 13 makina, 3 pistoleta, aparate celularë dhe pajisje kompjuterike, si dhe dokumenta të ndryshëm si pasaporta të shtetasve të huaj, bileta udhëtimi, apo dokumenta që përmbajnë shënime të grupeve kriminale, si dhe sende të tjera me interes për hetimin.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë, që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./ CNA

Lajmet e fundit nga