web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rihapet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare/ Shuma për blerje në 1.5 milardë lekë

27 Korrik 2026, 17:55, Ekonomi CNA

Ministria e Financave do të zhvillojë javën e ardhshme rihapjen e ankandit të obligacioneve 15-vjeçare. Shuma e obligacioneve që do t’u ofrohen për blerje investitorëve është 1.5 miliardë lekë.

Ankandi do të jetë rihapje e atij të muajit qershor, që pati shënuar një rritje të mëtejshme në yield-in e këtyre instrumenteve.

Kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të muajit prill. Yield-i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankandin e fundit u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, pa plotësuar dot shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e zhvilluar të mërkurën kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e fundit, të muajit prill.

Yield-i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankand u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, pa plotësuar dot shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.

Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare kanë shënuar një korrigjim në rritje duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, pas një tendence në rënie të vazhdueshme prej afërsisht dy vjetësh.

Konflikti në Lindjen e Mesme dhe inflacioni kanë forcuar pritshmëritë për rritje të normave të interesit.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në muajin qershor inflacioni arriti nivelin 3.2%, më i larti që prej fundit të vitit 2023.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë edhe në mbledhjen e fundit, në fillim të këtij muaji, vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%, me argumentimin se goditja e ofertës nga kriza në Lindjen e Mesme do të jetë kalimtare.

Por, rikthimi i shtrenjtimit të çmimeve të naftës gjatë muajit korrik ka krijuar premisa për rritje të mëtejshme të inflacionit në afatin e shkurtër, ndërsa një zgjidhje përfundimtare e konfliktit mes SHBA dhe Iranit nuk duket ende në horizont.

Nga ana tjetër, edhe inflacioni bazë, po shënon nivele të larta dhe në rritje. Në qershor, inflacioni bazë arriti në 3.54%, niveli më i lartë që prej vitit 2023.

Në këto kushte, gjasat për një rritje të afërme të normave të interesit duket se po shtohen.

Kjo pritet të ushtrojë presione rritëse mbi yield-et e titujve qeveritarë, sidomos të atyre me maturim më afatgjatë. Edhe për këtë arsye, ankandi i obligacioneve 15-vjeçare mund të jetë një alternativë e mirë për investitorët që kërkojnë të rrisin kthimet nga kursimet ose portofolet e tyre të investimeve.

Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.

Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë.

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand./Monitor 





Lajmet e fundit nga