web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një grusht hi syve në formë dekreti presidencial - nga Sokol Shameti

16 Tetor 2016, 11:31, Aktualitet CNA

Kthimi i ligjit të importit të plehrave nga ana e Presidentit të Republikës, u përshëndet si një fitore në kampin e të gjithë atyre që i shpallën luftë muajin e fundit miratimit të tij në Kuvend. Mirëpo, ka shumë të ngjarë që pas një vështrimi më të kujdesshëm të situatës, vendin e ekzaltimit ta zërë trishtimi. Pikë së pari, duke ua hedhur përsëri topin po atyre njerëzve të cilët sapo dhanë provën se e duan të miratuar këtë ligj, presidenti, edhe ai një lojtar në kampionatin e trukuar të politikës shqiptare, në realitet thjesht po i thur një tis legjitimiteti farsës ?demokraci? në këtë vend.

Edhe pse mund të vlejë justifikimi se ?presidenti po zbaton ligjin?, se ai ?po përmbush tagrin që i jep kushtetuta? etj, gjithsesi, ta kthesh një vendim të keq për rishqyrtim tek po ata vendimmarrës të këqij që e miratuan atë në fillim, do të thotë të kesh një sens të lartë humori. Por edhe cinizmi gjithashtu. Ky ligj është i keq sepse ata që e miratuan, janë ata që janë në mënyrë të ndërgjegjshme. Ata nuk mund të prodhojnë asgjë më të mirë se ajo që prodhuan, sado të sforcohen. T?ua kthesh atyre kryeveprën e tyre për përmirësim do të thotë të besosh se të këqinjtë mund të pjellin të mirën. Për t?u bindur për këtë mjafton të vërehet sesi nuk ka asnjë shenjë reflektimi as në retorikën e as në logjikën qeveritare rreth pasojave të cilat ata po i sjellin vendit me hapjen e portave për plehërat. Për kryeministrin Rama i cili ? siç vërente me të drejtë Mero Baze – arriti ta shpëlajë fytyrën e tij të nxirë nga rezultati i keqqeverisjes me ndihmën e disa histerikëve nga Kosova që e akuzuan (hajde akuzë hajde) për shqiptaromadh, çështja e plehërave është ujdi e mbaruar.

Ai u shfaq kinse i surprizuar nga mosdekretimi i ligjit nga Presidenti, por gjithsesi u kujdes kësaj radhe që ta mbajë të ulët tonin e debatit. Dhe jo më kot. Ai e di se edhe sikur njëqind herë ky ligj të kthehet në Parlamentin e tij, të njëqindta herët ai do të miratohet pikë për pikë si herën e parë. Mirëpo si çdo aktor tjetër i trupës teatrale që luan shfaqjen e rreme të demokracisë shqiptare, atij i leverdis më shumë të lërë përshtypjen se ligjet (që ai me shokët i shkruajnë vetë) kanë forcë në këtë vend dhe se qytetarët nuk janë tërësisht në mëshirë të fatit. Për këtë arsye, ai s?ka nevojë të bëjë zhurmë kur ky ligj për të cilin janë të shqetësuar shumë njerëz, po vjen të trajtohet sërish brenda rregullave të vendosura prej tij dhe sojit të tij. Kjo është sikur një skuadër t?i luante të gjitha ndeshjet në fushën e saj. Pikë së dyti: spostimi i shqyrtimit të këtij ligji në një seancë tjetër kuvendare, do ta shkëpusë në dy pjesë gjithë tensionin që u akumulua në opinionin publik rreth kësaj çështjeje. Reagimi qytetar do të ndahet në ?para? dhe ?pas? kthimit prej presidentit. Dhe me siguri, ai pas kthimit, nuk ka për të qenë kurrë si ai fillestari. Shumë veprimtarë mjedisorë, kritikë mediatikë e plot njerëz të tjerë që u indinjuan rëndshëm në ditët e para kur mësuan sesi Rama po i bënte të gjithë për budallenj dhe po kalonte ligjin që vetë kishte anulluar, mund ta mbajnë zemërimin e tyre gjatë, por jo pafundësisht. Sikurse ndodh rregullisht në këtë vend kur qeveritarët duan të ndërmarrin ndonjë vendim anti-qytetar, mënyra më e mirë është lënia zvarrë e vendimit deri në ditën kur të gjithë do jenë lodhur, kur askush nuk do ta ketë mendjen aty apo kur shumëkush do të jetë me pushime.

Kjo është praktika më e zakonshme e ndjekur nga stabilimenti politik për çështje në të cilat të dyja palët janë aleate. Dhe PS-ja me PD-në, pavarësisht dukjes, në thelb janë bashkë në dëshirën për të miratuar importin e plehërave në Shqipëri. Sado që Lulëzim Basha u përbetua publikisht kundër importit, të mos harrojmë se PD-ja e ka dëshiruar përpara PS-së importin e plehërave e madje edhe e ka miratuar atë në kohën kur e kontrollonte Kuvendin. Edhe pse Basha shfaqi pendesë për atë vendim të forcës së tij politike, sërish, oponenca që PD po i bën kalimit të ligjit të ri është e vakët, e zvarritur dhe me gjysmë zëri. Po ashtu, dita e votimit të ligjit ishte një shfaqje e turpshme jo vetëm për votuesit e tij socialistë, por edhe për braktisësit demokratë të betejës. Shumë kritikë mendojnë sot se duke u larguar nga salla e votimit, deputetët demokratë dhe ata që ishin kundër importit, thjesht i lanë dorë të lirë qeverisë që ta kalojë atë me mazhorancën qesharake të 61 votave. Iniciativa e paralajmëruar nga Basha për t?i kërkuar Kuvendit shpalljen e një referendumi të ri me anë të firmave të 28 deputetëve demokratë, mbeti një premtim në erë. E megjithatë, nuk janë vetëm këto fakte, por ka edhe të tjera shenja që dëftejnë pse PD, ndonëse presidenti i saj e ktheu ligjin në Kuvend, e ka të vështirë t?i shpallë atij luftë të hapur. Në radhë të parë, PD nuk mund të dalë kundër ligjit të importit të plehërave jo vetëm sepse dikur e ka votuar atë, por edhe sepse dikur e ka justifikuar me të njëjtat argumente si sot PS nevojën e tij. PD është një parti e së djathtës dhe ky ligj që anashkalon tërësisht interesat e të varfërve për të ngopur grykësinë për fitime të biznesit, është tërësisht në linjë me ideologjinë e saj.

Së dyti, PD e ka ditur qysh herët ashtu siç PS ka arritur të kuptojë sot, se e ashtuquajtura ?industri? e riciklimit në vend është vetëm një grusht ndërmarrjesh primitive grumbullimi mbetjesh urbane ku teknologjia më e lartë është fadroma shtypëse dhe ku të punësuarit shfrytëzohen pa kontrata e në moshë të mitur ? shfrytëzim që shkon deri në vdekje, ashtu si rasti i Arditit të gjorë. Por ama, ky ligj i ndihmon disa pak kompani të lidhura me pushtetin (me çdo pushtet në fakt) që ta ruajnë për vete ekskluzivitetin e lëndës së parë vendase e cila vetëm në Tiranë, sipas emisionit Publicus, gjeneron deri në 8 milionë euro fitim në vit. Edhe nëse nuk e miraton këtë ligj që u mundëson akses në lëndë të parë me çmim të lirë kompanive që mbeten të përjashtuara nga kjo tortë e ndotur, Parlamenti shqiptar pa dallime partiake e di se gjithsesi, nuk i falimenton dot ato. Nuk i falimenton dot sepse ato do të vazhdojnë siç kanë bërë deri tani, t?u hyjnë në pjesë kompanive të preferuara përmes mbledhjes informale të mbetjeve të riciklueshme nga ana e armatës së pafundme e të pakontrollueshme të lypësve anekënd qyteteve.

Megjithatë, pa këtë ligj të miratuar, politika shqiptare PS, PD e LSI përfshirë e di se i kthen këto kompani në armike. Kësisoj si PS ashtu edhe PD mund të vazhdojnë të luajnë për ca kohë shfaqjen e antagonizmit për këtë çështje. Por në thelb, ato janë në anën e biznesit dhe jo në luftë me të. Loja e tyre është vetëm sipërfaqësore. Kthimi i ligjit për shqyrtim nga Presidenti, është vetëm pjesë e kësaj loje. Qëllimi i lojës është fashitja graduale e dëshirës tashmë gati 15 vjeçare të qytetarëve, për të votuar me referendum ndalimin një herë e mirë të importit të çdo lloj mbetjeje në këtë vend. Import që nuk do të thotë gjë tjetër përveçse mirëmbajtje e punishteve të shfrytëzimit që kanë shtrirë tentakulat në këtë tokë të varfër ku mund të shtiresh se po bën biznes ndërkohë që thjesht po nxjerr dhjamë nga ?pleshta? të keqpaguar apo të shkelur me këmbë si mijëra arditët e braktisur të këtij vendi./SYRI.net/





Lajmet e fundit nga