web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Loja e Metës me qeveri teknike/Në oborrin e PD-së u përcaktuan ministrat

20 Korrik 2016, 17:13, Aktualitet CNA

Deklarata e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta 3 ditë më parë për krijimin e një qeverie teknike që do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme duket se është pritur me shumë entuziazëm të madh nga disa prej burokratëve në Partinë Demokratike.

Entuziazmin më të lartë e kanë pasur disa nga emrat, të cilët duket se janë vetëshpallur si ministrat në hije të Qeverisë teknike.

Në kafenetë rrotull selisë së PD-së, si në çdo rast të tillë, kanë nisur kalkulimet mbi ministritë që do të drejtojnë demokratët apo ministrat që do të përfaqësojnë këtë parti.

Por jo vetëm kaq, janë caktuar edhe ministrat që do të përfaqësojnë PD në qeverinë teknike, Enno Bozdo, Fatbardh Kadilli apo Grida Duma.

Nuk dihet nëse lista që qarkullon në oborrin e PD-së është një lojë që i bëhet 3 ?ministrave hije? apo është një dëshirë e tyre për të marrë poste në qeveri.

Enno Bozdos fillimisht është folur si ministër i Ekonomisë, por më pas është menduar se Ministria e Brendshme i përshtatet më shumë. Madje edhe vetë Bozdo thuhet se e ka mirëpritur më tepër variantin e dytë.  Sekretari demokrat është parë të ndryshojë edhe sjelljen, duke i dhënë më shumë autoritet dhe seriozitet vetes. Miq të tij në PD thonë se madje, në tavolina flet prerë, madje edhe kamarierit i drejtohet me zë urdhërues.

Grida Duma është caktuar në postin e Niko Peleshit, pra zv. Kryeministre, megjithëse flitet se ka pasur dëshirë edhe një post ministror. Nga ajo që flitet rreth PD-së, Duma duket më e avancuar se Bozdo pasi ka nisur edhe të rekrutojë staf, ku disa të rinj dhe të reja, për herë të parë janë parë rrotull PD-së, duke kërkuar zv. Kryeministren në hije. Flitet se Sekretarja demokrate e ka marrë me shumë seriozitet detyrën që mund të marrë me krijimin e Qeverisë teknike.

Emri i tretë për post ministror në Qeverinë teknike është Fatbardh Kadilli. Në oborrin e PD flitet se ai mund të marrë postin që sot mban Bled Çuçi, përfshi këtu edhe Koordinatorin Antikorrupsion. Flitet se Kadilli ka nisur hartimin e strategjisë, megjithëse gjithçka po e mban sekret.

Por duket se emrat që qarkullojnë rreth e rrotull selisë së PD-së, do i kenë shkruar në vesh edhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili përkrahu idenë e artikuluar më herët nga Partia Demokratike për Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Flitet se pasi është njohur me emrat e ministrave të caktuar në oborrin e PD-së, Meta ka ndryshuar të nesërmen mendim, duke u shprehur se do të vijojë bashkëpunimin me Edi Ramën dhe ministrat e tij. /citynews/





Lajmet e fundit nga