web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ilir Meta po aq përgjegjës sa Edi Rama

18 Korrik 2016, 10:46, Aktualitet CNA

Kryetari i LSI-së, njëherëz edhe Kryeparlamentar, Ilir Meta është po aq përgjegjës sa Kryeministri Edi Rama për keqqeverisjen e vendit. Pavarësisht pozicionit të ri të ndërmarrë nga Meta, 3 vitet e qeverisjes së tij me Edi Ramën, kanë pasur një kosto mjaft të lartë për çdo shqiptar.

Ilir Meta si partneri kryesor i Edi Ramës nuk ka ngritur asnjëherë zërin përsa i takon skandaleve që kanë përfshirë ministrat e Qeverisë, apo për ato skandale që kanë të bëjnë me konçensionet dhe që janë një barrë për çdo qytetar të këtij vendi.

Ilir Meta ka heshtur kur opozita dhe Partia Demokratike denonconte skandalet e Ilir Beqaj si ministër i Shëndetësisë, për konçensionet në spitale, për check up, dializën, apo në skandalet që përfshinë kupolën e ISKSH me ilaçet e rimbursuara, ku rezultojnë të përfshirë edhe zyrtarë të emëruar nga LSI.

Ilir Meta nuk ka folur kurrë për qytetarët që dhunoheshin dhe rriheshin, qoftë për një faturë të papaguar të energjisë elektrike, apo kur zgjidhja që mbetej përballë skemës së Qeverisë Rama-Meta, ishte vetëvrasja e njerëzve për faturat qesharake të energjisë elektrike.

Ilir Meta është po aq përgjegjës sa Edi Rama me skandalin e CEZ, ndonëse në akuzat e drejtpërdrejta emri i tij u kursye dhe ato i drejtoheshin vetëm Kryeministrit.

Ilir Meta është po aq përgjegjës sa edhe Rama në qeverisjen e deritanishme të Rilindjes për krizën ekonomike, megjithëse ai mund të justifikohet se në Qeveri nuki ka pasur postet e ministrit të Financave apo Ekonomisë. Por me votat e Ilir Metës janë miratuar buxhetet e shtetit apo çdo ndryshim në ligjet fiskale të këtij vendi, që qartazi kanë treguar se jo vetëm kanë varfëruar shqiptarët, por paratë e mbledhura nuk janë shndërruar në investime publike.

Ilir Meta është po aq i dështuar sa Edi Rama, pasi ministritë që drejtohen nga ministrat e LSI-së kanë qenë në të njëjtin batak me ministritë e drejtuar nga përfaqësues të PS-së.

Ministria e Transportit e drejtuar nga Edmond Haxhinasto nuk mbahet mend të ketë ndërtuar qoftë edhe 1 cm rrugë, ndërsa kujtohet për palmat e mbjella përgjatë rrugës së Rinasit, apo për mosvendosjen e barrierave mbrojtëse në rrugë, duke shkaktuar aksidente tragjike, vetëm e vetëm për shkak të favorizimit të një apo dy bizneseve.

Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Edmond Panariti rezulton një tjetër dështim, po të kihen parasysh sot problemet që kanë fermerët, mungesën e politikave për t?I mundësuar çdo fermeri të shesë produktet e tij, apo kontrollin e tregjeve mbi cilësinë e ushqimeve.

Ministria e Integrimit e drejtuar nga Klajda Gjosha është një tjetër dështim, i denoncuar jo vetëm nga opozita, por edhe përmes raporteve ndërkombëtare.

Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga një tjetër ministër i LSI-së dështoi në luftën ndaj korrupsionit. Problemet e shumta në hipoteka dhe skandali i zbuluar së fundmi në Drejtorinë e Burgjeve, tregojnë qartazi dështimin në dy nga drejtoritë më të mëdha në vend, qoftë për nga peshat e buxhetit ashtu edhe nga numri i të punësuarve.

Pra, Ilir Meta vështirë se mund të ndahet nga përgjegjësia me Edi Ramën. Ai nuk mund të shfaqet si burrë i mirë brenda një dite apo thjesht se pranoi zgjidhjen e ofruar nga Lulzim Basha për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Ilir Meta do të mbahet mend si zyrtari që u kap në zyrën e shtetit me bllok në dorë gjatë qeverisjes së PD, por edhe për heshtjen dhe përgjegjësinë e tij po aq sa Edi Rama, për këto 3 vitet e keqqeverisjes në mandatin e parë të Qeverisë Rama-Meta. /Citynews/





Lajmet e fundit nga