web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A do të ishte më mirë një test i vetëm për Maturën Shtetërore?

19 Qershor 2026, 17:38, Opinione Ardi Stefa

A do të ishte më mirë një test i vetëm për

Çdo vit, mijëra maturantë në Shqipëri u nënshtrohen katër provimeve të veçanta: gjuhë e huaj, gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë dhe lënda me zgjedhje. Megjithatë, a do të ishte më efektive që maturantët të testoheshin nëpërmjet një provimi të vetëm gjithëpërfshirës, në vend të katër provimeve të ndara?

Një argument në favor të kësaj ideje është se një test i unifikuar për të katër lëndët do të ulte ndjeshëm stresin psikologjik të nxënësve, sidomos të nxënësve të mirë. Aktualisht, maturantët përballen me një periudhë të gjatë provimesh, ku një rezultat jo i kënaqshëm mund të ndikojë negativisht në performancën e provimeve të tjera. Një test i vetëm do ta përqëndronte vlerësimin në një moment të vetëm dhe do të shmangte tensionin e zgjatur.

Gjithashtu, organizimi do të ishte më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm për institucionet arsimore. Do të reduktoheshin kostot e administrimit, korrigjimit dhe monitorimit të provimeve.

Nga ana tjetër përdorimi efikas i tekonologjisë, e cila mundëson forma të reja vlerësimi, sugjeron teste të integruara, më praktike dhe më moderne.

Por gjithashtu, ekzistojnë argumente të forta kundër kësaj qasjeje. Katër lëndët që testohen sot matin aftësi të ndryshme. Një nxënës mund të jetë i shkëlqyer në gjuhë të huaj, por më i dobët në matematikë, ose anasjelltas. Një test i vetëm rrezikon të mos pasqyrojë me saktësi nivelin real të kompetencave në secilën fushë. Për më tepër, pesha e secilës lëndë mund të humbasë brenda një testi të përgjithshëm, duke e bërë vlerësimin më pak të drejtë.

Një problem tjetër është se dështimi në një pjesë të testit mund të ndikojë psikologjikisht në pjesët e tjera gjatë së njëjtës ditë. Ndërsa një rezultat i dobët në një lëndë mund të kompensohet nga performanca në lëndët e tjera, në një test të vetëm kjo mundësi zvogëlohet.

Në rast se do të referonim përvojën ndërkombëtare vërejmë se nuk ekziston një model unik. Në shumë vende, universitetet u japin rëndësi testeve të përgjithshme. Për shembull, për vite me radhë në SHBA, testi SAT vlerësonte kryesisht aftësitë në lexim, shkrim dhe matematikë në një provim të vetëm. Edhe testi ACT ndjek një logjikë të ngjashme. Këto modele mbështeten në idenë se maturanti duhet të demonstrojë kompetenca të përgjithshme akademike dhe jo vetëm njohuri të fragmentuara sipas lëndëve.

Një avantazh i kësaj qasjeje është se maturanti vlerësohet si një tërësi. Në jetën universitare dhe profesionale, njerëzit nuk përballen me probleme të ndara sipas lëndëve, por me situata që kërkojnë kombinimin e njohurive dhe aftësive të ndryshme. Një test i përgjithshëm mund të masë më mirë aftësinë për të analizuar, arsyetuar dhe zgjidhur probleme.

Megjithatë, shumica e vendeve europiane nuk kanë zgjedhur këtë rrugë. Provimet e maturës zhvillohen në disa lëndë të veçanta. Arsyeja është e thjeshtë: universitetet kanë nevojë të dinë jo vetëm nivelin e përgjithshëm të kandidatit, por edhe kompetencat e tij specifike. Një student që synon inxhinierinë duhet të demonstrojë njohuri solide në matematikë, ndërsa një kandidat për filologji duhet të dallohet në gjuhë dhe letërsi.

Përvoja e këtyre vendeve sugjeron se testet e ndara ofrojnë një pasqyrë më të detajuar dhe më të drejtë të profilit akademik të nxënësit. Ato u japin universiteteve informacion më të plotë sesa një rezultat i vetëm.

Nga ana tjetër, disa sisteme arsimore po eksperimentojnë me modele hibride: një provim i përgjithshëm për kompetencat bazë dhe teste të veçanta për fushat specifike. Ky model duket se po fiton terren, sepse kombinon avantazhet e të dyja qasjeve.

Ndoshta zgjidhja më e arsyeshme nuk është as ruajtja e plotë e sistemit aktual dhe as kalimi në një provim unik. Një model i ndërmjetëm, me më pak provime por me ruajtjen e dallimeve mes fushave kryesore të dijes, mund të ofrojë ekuilibrin më të mirë ndërmjet efikasitetit dhe drejtësisë. Thjesht duhet të specifikojmë se çfarë duam të masim me provimet e maturës.

Nëse synojmë të vlerësojmë aftësitë e përgjithshme, një test i vetëm mund të jetë i mjaftueshëm. Nëse synojmë të identifikojmë me saktësi profilin akademik të çdo maturanti, matjen sa më të saktë të njohurive dhe aftësive të nxënësve atëherë provimet e ndara mbeten zgjidhja më e besueshme./ CNA





15:39 Opinione Agim Xhafka

"MAGJISTARI" I RADIOS

Ende nuk e besoj që Agron Çobani nuk jeton më. Se pati aq ...

14:58 Opinione Ardi Stefa

Kujt i përket mandati?

Debati mbi pronësinë e mandatit parlamentar rikthehet sa h...

Lajmet e fundit nga