web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rumania rrëzon dronin e tretë brenda tri ditësh, Bukureshti akuzon Rusinë për shkelje të hapësirës ajrore

26 Korrik 2026, 10:48, Kosova & Bota CNA

Rumania rrëzon dronin e tretë brenda tri ditësh, Bukureshti

Forcat ajrore rumune kanë rrëzuar një tjetër dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit, duke e çuar në tre numrin e mjeteve ajrore pa pilot të neutralizuara brenda vetëm tri ditësh.

Presidenti i Rumanisë, Nicu?or Dan, bëri të ditur se një avion luftarak F-16 kapi dhe rrëzoi dronin të dielën rreth orës 10:13 mbi ujërat territoriale rumune, në zonën Sulina–Chilia të deltës së Danubit, pranë kufirit me Ukrainën.

“Dua të përgëzoj pilotët dhe ekipet tokësore rumune për profesionalizmin, guximin dhe efikasitetin me të cilin kryejnë misionet e tyre”, shkroi presidenti Dan në rrjetin social X.

Një tjetër dron u rrëzua të shtunën rreth 10 kilometra në perëndim të fshatit Sfântu Gheorghe, në lindje të Rumanisë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dy avionë F-16 u ngritën për të identifikuar objektivin dhe e neutralizuan atë në mënyrë të sigurt në një zonë të pabanuar pranë kufirit.

Droni i parë u rrëzua të premten, ndërsa autoritetet rumune njoftuan se hetimet e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm konfirmuan se bëhej fjalë për një dron të tipit Shahed, i përdorur nga Rusia në luftën kundër Ukrainës. Hetimet për dronët e rrëzuar të shtunën dhe të dielën vijojnë ende.

Presidenti Dan e cilësoi të papranueshme shkeljen e vazhdueshme të hapësirës ajrore rumune nga Federata Ruse, duke theksuar se Bukureshti po i trajton këto incidente me seriozitet maksimal në koordinim me aleatët e NATO-s.

Rumania, e cila ndodhet në krahun lindor të Aleancës dhe kufizohet me Ukrainën përgjatë Detit të Zi dhe deltës së Danubit, është përballur me një shtim të incidenteve të lidhura me dronët që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Në muajt e fundit janë regjistruar disa raste të ngjashme. Në maj, një dron rus me eksploziv u rrëzua mbi një bllok banesash në Gala?i, duke shkaktuar zjarr dhe plagosur dy persona. Ndërsa në qershor, një dron detar ukrainas shpërtheu në portin e Konstancës, pasi, sipas ushtrisë ukrainase, kishte dalë nga kursi për shkak të ndërhyrjeve të luftës elektronike ruse.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka cilësuar këto incidente si pasojë të drejtpërdrejtë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës./ CNA





Lajmet e fundit nga