web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë dihet për sulmin në Magdeburg?

Reagime të tronditura pas sulmit të së premtes në Magdeburg, Gjermani, ku humbën jetën disa vetë dhe mjaft të tjerë. Një i dyshuar është arrestuar. Hetimet vazhdojnë.

21 Dhjetor 2024, 10:17, Kosova & Bota CNA
Çfarë dihet për sulmin në Magdeburg?
Foto nga vendngjarja

Sulmi i së premtes vonë në Magedburg ka tronditur Gjermaninë dhe ka shkaktuar reagime të mëdha. Landi Saksoni-Anhalt shpalli ditë zie deri të hënën në mëngjes. Kancelari,  Olaf Scholz  pritet të vizitojë të shtunën vendin e ngjarjes. Scholz shkroi në X: "Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë krah tyre dhe pranë njerëzve në Magdeburg". Kancelari gjerman shprehu falënderimin e tij për "forcat e përkushtuara të shpëtimit në këto orë ankthi".

Edhe Presidenti i Gjermanisë,  Frank-Walter Steinmeier u shpreh i prekur thellë lidhur me mësymjen e një automjeti në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg, që mendohet se mund të jetë një sulm. "Gëzimi për festën e Krishtlindjes u pre", shkroi presidenti në platformën X. "Me mendje jam pranë viktimave dhe të afërmve të tyre. Falenderoj të gjitha forcat e shpëtimit për angazhimin e tyre." Steinmeier tërhoqi vëmendjen, se ende "nuk është zbardhur i gjithë sfondi i këtij akti të tmerrshëm."

Reagime vijnë edhe nga Europa.  Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në platformën X mjaft i tronditur, dhe shkroi se Franca ndan trishtimin me popullin gjerman. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dënoi aktin "brutal dhe frikacak" dhe theksoi se "ky akt dhune duhet të hetohet dhe të dënohet ashpër.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Mark Rutte tha gjithashtu se ai kishte kontaktuar kancelarin Scholz dhe i kishte shprehur ngushëllimet e tij.

Çfarë dihet për sulmin në Magdeburg?
Kryeministri i landit të Sakoni-Anhalt, Reiner Haseloff. Fotografi: Hendrik Schmidt

Kryeministri i landit të Sakoni-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU) bëri fjalë për një tragjedi dhe katastrofë të tmerrshme për qytetin e Magdeburgut dhe Gjermaninë. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, uroi shërim të shpejtë dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për punën e tyre. Edhe politikanë të tjerë gjermanë reaguan të tronditur pas sulmit në Magdeburg dhe shprehën ngushëllimet e tyre. Ndër të tjera, kandidati për kancelar i Unionit Friedrich Merz, kandidati i Gjelbër për kancelar Robert Habeck, dhe kandidatja e AfD Alice Weidel, si edhe kandidati kryesor i FDP për kancelar, Christian Lindner.

Nga ana e saj, Arabia Saudite dënoi aktin në Magdeburg dhe shprehu solidaritetin e saj me Gjermaninë. Qeveria në Riad shpreh "solidaritetin e saj me popullin gjerman dhe familjet e viktimave” dhe thekson "refuzimin e dhunës”, deklaroi Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite në shërbimin online X.

Çfarë dihet për sulmin në Magdeburg?
Foto nga vendngjarja

Çfarë ndodhi?

Një makinë u përplas në një turmë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të premten, e sipas informacioneve në një raport të brendshëm nga policia e Magdeburgut thuhet se kjo ndodhi pak pas orës 19:00. Të shtunën u tha se 4 persona ndërruan jetë, dhjetëra janë të plagosur. Sipas administratës së qytetit të Magdeburgut, 15 prej tyre u plagosën rëndë. Një i dyshuar është arrestuar. Shoferi i një BMW-je të zezë të marrë me qira u fut në turmë "të paktën 400 metra mbi tregun e Krishtlindjeve". Tregu i Krishtlindjeve u mbyll.

Çfarë dihet për sulmin në Magdeburg?
Foto nga vendngjarja

Kush është i dyshuari?

I dyshuari i arrestuar mësohet se është një mjek 50-vjeçar, Taleb A., i cili vjen nga Arabia Saudite dhe ka ardhur në Gjermani në vitin 2006. Sipas hulumtimeve të WDR dhe NDR, ai thuhet se është një figurë shumë e spikatur në komunitetin e migrantëve sauditë dhe konsiderohej person kontaktues për azilkërkuesit, veçanërisht gratë. Ai ka statusin e azilit si refugjat politik që nga viti 2016. Nuk ka informacione për motivin. Kryeministri i landit, Haseloff tha se hetimet janë në vazhdim.

Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, të cilave u referohet agjencia e lajmeve dpa, i dyshuari i arrestuar nuk ishte i njohur më parë për autoritetet gjermane si ekstremist. Deklaratat e deritanishme që i dyshuari ka bërë deri para pak kohësh në rrjetet sociale japin dëshmi se ai mund të jetë ndjerë i përndjekur. Sipas hulumtimit të WDR, ai ishte jashtëzakonisht kritik ndaj islamit në internet dhe se i frikësohej islamizimit të Gjermanisë. Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e quante veten "kritikun më agresiv të islamit në histori"/ DW





Lajmet e fundit nga