LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kreu i drejtësisë në Iran kërcënon gratë që dalin pa hixhab

2023-04-01 11:23:00, Kosova & Bota CNA
Kreu i drejtësisë në Iran kërcënon gratë që
Një grua duke ecur rrugëve të Iranit pa hixhab.

I përballur me një numër gjithnjë e më të madh të grave që kundërshtojnë kodin e detyrueshëm të veshjes, shefi i drejtësisë iraniane i ka kërcënuar ato se do t'i ndjekë penalisht “pa mëshirë” gratë që shfaqen në publik pa mbulesë, sipas raportimeve të mediave iraniane të shtunën.

Paralajmërimi i Gholamhossein Mohseni Ejeit vjen pas një deklarate të së enjtes, 30 mars, nga Ministria e Punëve të Brendshme që ritheksoi ligjin e detyrueshëm të qeverisë për hixhab.

“Zbulimi është i barabartë me armiqësi sipas vlerave [tona]”, citohet të ketë thënë Ejei nga disa mediume iraniane. Ata “që kryejnë veprime të tilla anormale do të ndëshkohen” dhe do të “ndiqen penalisht pa mëshirë”, tha ai, pa zbuluar se për çfarë dënime e kishte fjalën.

Ejei, kreu i drejtësisë iraniane, tha se oficerët e zbatimit të ligjit ishin “të detyruar t'ua referonin autoriteteve gjyqësore krimet e vërejtshme dhe çdo lloj anomalie që është në kundërshtim me ligjin fetar dhe ndodh në publik”.

Një numër gjithnjë e më i madh i grave iraniane kanë vendosur t’i heqin mbulesat e tyre pas vdekjes së një gruaje kurde 22-vjeçare gjatë kohës sa ishte në paraburgim, pas arrestimit nga policia e moralit në shtator të vitit të kaluar. Mahsa Amini ishte arrestuar për dyshimin se kishte shkelur rregullin e hixhabit.

Forcat qeveritare kundërshtuan dhunshëm revoltën mbarëkombëtare disamujore që pasoi vdekjen e Mahsa Aminit.

Megjithatë, edhe pse rrezikojnë të arrestohen për kundërshtim të kodit të detyrueshëm të veshjes, shumë gra shfaqen pa hixhab në qendra tregtare, restorante, dyqane dhe rrugë anembanë vendit. Video ku shihen gra të pambuluara teksa i rezistojnë policisë së moralit janë shpërndarë në mënyrë masive në rrjetet sociale.

Sipas ligjit islamik të Iranit, të imponuar pas revolucionit të vitit 1979, gratë janë të detyruara të mbulojnë flokët dhe të veshin rroba të gjata e të gjera për të maskuar format e tyre trupore. Gratë që nuk i kanë respektuar këto rregulla janë përballur me qortime publike, gjoba apo arrestime.

Duke e përshkruar mbulesën si “një nga themelet e civilizimit të kombit iranian” dhe “një nga parimet praktike të Republikës Islamike”, në deklaratën e së enjtes nga Ministria e Brendshme tutje thuhej se nuk do të kishte “hap prapa apo tolerancë” për këtë çështje.

Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve që t’i konfrontojnë gratë e pambuluara. Direktiva të tjera të ngjashme në dekadat e fundit i kanë inkurajuar përkrahësit e regjimit iranian t’i sulmojnë gratë pa u ndëshkuar./ REL

Lajmet e fundit nga