web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, dëshmojnë familjarët e viktimave

28 Korrik 2026, 14:48, Aktualitet CNA

Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, dëshmojnë familjarët e viktimave

Me dëshmitë e familjarëve të viktimave vijoi këtë të martë në Gjykatën e Posaçme procesi penal ndaj Laert Haxhiut.

I pari që u mor në pyetje ishte Xhuliano Xhaferraj, vëllai i Fridman Xhaferrajt. Ai tregoi se në momentin kur ndodhi vrasja e të vëllait ishte duke vuajtur një dënim me burg dhe mësoi për ngjarjen vetëm pasi u shoqërua nga policia pas lirimit.

Në dëshminë e tij, Xhaferraj tha se Fridmani kishte planifikuar të largohej drejt Italisë dhe përshkroi lëvizjet e fundit që, sipas tij, kishte bërë para se të humbiste jetën. Ai u ndal edhe te zërat që, sipas tij, qarkullonin në Lushnjë pas krimit, ku përmendej emri i Laert Haxhiut si person që mund të kishte dhënë urdhrin për vrasjen.

“Kam qenë në burg kur u vra vëllai. Më morën në komisariat dhe më pyetën, sepse vëllain nuk po e njihnin, ngaqë ishte gjetur në ujë. Unë ato ditë mbarova dënimin. Kur dola, shkova në shtëpinë e vjehrrës, se kisha nusen atje. Gjeta policë, që po kontrollonin. Më shoqëruan. Atje më thanë që është gjetur në rezervuar në Drenovë. Kur fola njëherë me vëllain, kur isha në burg, ai më tha që do ikte jashtë shtetit, në Itali. Vëllait tjetër, të voglit, ata çunat i kishin prerë biletë dhe e kishin nisur në Greqi. Lul Spahiu e kishte marrë e çuar në Elbasan. Aty i kanë prerë biletë e pastaj Lul Spahiu dhe Kristi Bixheku ka marrë Fridmanin. Vëllai i vogël u kthye në Lushnjë e pas dy ditësh iku në Greqi. Luli dhe Bixheku i kishin thënë se bashkë me Fridmanin do iknin në Greqi e se do t’i binin nga Korça. E pyeta babanë e Laert Haxhiut nëse dinte gjë. Në Lushnjë flitej se vëllai kishte qenë me Laertin dhe se urdhri për vrasjen ishte dhënë prej tij, sepse kishte folur. Nuk jam i sigurt, por kështu flitej. Babai i Laertit më tha se djali i tij nuk kishte lidhje me këtë ngjarje”, tha ai.

Megjithatë, dëshmitari sqaroi para trupit gjykues se ai vetë nuk e ndan këtë bindje. Ai deklaroi se e njihte prej vitesh Laert Haxhiun për shkak të lidhjeve familjare dhe se nuk beson që ai të ketë qenë përgjegjës për vrasjen e vëllait të tij.

“Laert Haxhiun e njoh. Babi im me të atin e tij, Qamilin, janë rreth krushqie. I njoh edhe të ëmën. Nuk më ka vizituar në burg ndonjë nga familjarët e tij. Unë nuk jam fare që e ka bërë Laerti këtë gjë. I kam thënë edhe babait të tij, që nuk e besoj të ketë bërë gjë. Laerti e ka dashur Fridmanin, e ka mbajtur afër”, u shpreh ai.

Më pas në sallën e gjyqit dëshmoi Sami Bushaliu, i cili rikujtoi atentatin ndaj Albi Bashaliut, të ndodhur në fund të vitit 2021 në Gjoçaj të Peqinit. Ai rrëfeu se kishte parë një automjet të dyshimtë të parkuar pranë lokalit të tij dhe pak çaste më vonë dëgjoi të shtënat me armë. Sipas tij, autori iu afrua viktimës, e qëlloi dhe më pas e detyroi të futej brenda lokalit. Bushaliu shtoi se një person tjetër i vuri flakën automjetit të viktimës para se autorët të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitari kujtoi gjithashtu se familja Bashaliu ishte goditur edhe më herët nga një tjetër vrasje, duke iu referuar ekzekutimit të vëllait të Albi Bashaliut. Seanca u përqendrua në dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave, ndërsa procesi ndaj Laert Haxhiut pritet të vijojë me dëshmi të tjera në seancat e ardhshme.

“Para 3-4 vjetësh ka ndodhur një vrasje para lokalit tim. Ka qenë 2-3 ditë para Vitit të Ri. Lokalin e kam para shtëpisë. Ishte mëngjes e ditë me shi. Kishte ardhur një makinë me xhama të errët e parkuar rrëzë avllisë. Më duket se ishte një 'Audi' i bardhë me xhama të zinj. Më tha gruaja, që është një makinë. Mendova se është e komshiut. Kamera unë nuk kam. E pashë njëherë dhe u futa brenda. Erdhi Albi Bashaliu të pijë kafe. Doli njëri nga makina. I foli Bashaliut. Ai ktheu kokën e pastaj u dëgjuan zhurmë armësh. Ishte një djalë i hollë, i gjatë. Gjuajti një herë a dy. U tronditën edhe ata që ishin në lokal. Unë dola aty. Ai personi me pistoletë në dorë më tha: 'Futu brenda'. U futa. Pastaj ai i mori Bashaliut çelësat nga xhepi. Ndërsa ai që po e priste në makinë, i hodhi benzinë makinës e i vunë flakën. Shteti pastaj erdhi edhe bëri punën e vet. Më herët atij i patën vrarë vëllanë. Leonard e quanin. Ka qëndruar në Itali më shumë. Atë e vranë në një fshat tjetër. Si kohë, diçka pa u mbushur viti. Atë një fshatari ynë e vrau, një Albert Xhahysa, a nuk e di”, tha ai./ CNA





Lajmet e fundit nga