web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Gjykata e Lartë e Brazilit rrëzon kërkesën për lirimin e Ervin Matës

27 Korrik 2026, 20:29, Aktualitet CNA

Gjykata e Lartë e Brazilit rrëzon kërkesën për lirimin

Gjykata e Lartë e Brazilit ka rrëzuar kërkesën për lirimin e Ervin Matës.

Sipas raportimeve të "Euronews Albania", i shumëkërkuari nga autoritetet shqiptare, që u arrestua në Brazit, do të vijojë arrestin gjatë procesit të ekstradimit.

Mata jetonte mes Brazilit dhe Paraguait, ndërsa në momentin e ndalimit, ai i ka dorëzuar policisë dokumente të falsifikuara të Paraguait me vendlindje në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu, 39-vjeçarit iu gjetën edhe disa dokumente identifikimi të huaja, përfshirë një pasaportë bullgare, kartë identiteti bullgare që iu sekuestruan nga autoritetet vendase.

Ervin Mata u vu në pranga në qendër të Ilhabela-s, në bregdetin e San Paulo-s pasi informacionet e inteligjencës tregonin se ai kishte udhëtuar nga rajoni Baixada Santista në bregdetin verior. Policia e Shtetit reagoi gjithashtu për arrestimin e Matës, ku bëri me dije se pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme e shpalli Ervin Matën në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut. Po ashtu Ervin Mata akuzohet edhe për veprat penale të vrasjes dhe pastrimit të parave. Katër dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë, janë bërë objekt i hetimit të prokurorisë së posaçme SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës.

Bëhet fjalë për një sasi prej 931 kg kokainë dhe lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, që janë kapur në katër shtete dhe SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Europë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata./CNA





Lajmet e fundit nga