web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Dehet” Kryeprokurorja e përkohshme/ Arta Marku si punëtore ngarkim-shkarkimi

25 Maj 2018, 13:31, Aktualitet CNA

Më 17 dhjetor 2017, me 69 vota pro dhe 2 vota kundër, Arta Marku u  zgjodh  Kryeprokurore e Përkohshme e Republikës së Shqipërisë.

Marku do të mbahet mend si kryeprokuroja që u zgjodh në kushte lufte duke qenë se opozita ishte kundër kësaj kandidature.

Për shkak të moskalimit në procesin e Vettingut, opozita nuk e shihte si kandidate të përshtatshme për këtë post.

Edhe sot opozita nuk është se ka ndryshuar qëndrim, duke patur parasysh këtu edhe veprimet e ndërmarra nga Marku, pasi preku zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Marku është përkohshme në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por ajo ka marrë vendime si e zgjedhur me mandat të rregullt.

Ndërkaq skandalet dhe krimi ka mbërthyer organin e akuzës, por Marku duket se e ka fokusimin tek shkarkim-ngarkimet, që ndryshe quhen emërime.

Duke marrë rolin e punëtores së ngarkim-shkarkimit, zonja, Marku, ka zgjedhur të heshtë për shkandalet dhe krimin që kanë pushtuar Prokurorinë.

Prokuroria e Durrësit është inekzistente. Në pak ditë është grabitur dy herë radhazi. Fillimisht u grabit posta dhe në atë kohë, Prokuroria e Durrësit drejtohej nga Donika Prela dhe së fundmi grabitësit u futën në zyrat e të njëjtës prokurori, duke marrë serverin, shkruan CNA.al.

Për grabitjen e parë u tha se janë filluar hetimet, ndërsa veprimi i vetëm që ndërmori Arta Marku ishte ngritja në detyrë e Donika Prelës.

Ndoshta kështu funksionon në Prokurori dhe duhej të zgjidhej në krye të organit të akuzës Arta Marku për të na e treguar këtë skemë.

Tashmë nuk është çudi, nëse bastisen dhe grabiten edhe Krimet e Rënda që drejton, mikesha e Arta Markut dhe mos të kemi llogaridhënie.

Marku ka bërë emërime dhe shkarkime të kundërligjshme, nëse kemi parasysh këtu mandatin e saj.

Ajo ka shkarkuar nga detyra drejtues prokurorish që nuk kanë qenë të komanduar por me mandat të rregullt.

Në punën saj si kryeprokurore, Marku deri më tani, pa llogaritur këtu udhëtimet jashtë vendit, shton në llogari, shkarkimet dhe emërimet pa hesap ose siç thuhet në korridoret prokurorisë, shkarkime dhe emërime me urdhëra politik.

Ndoshta e ka ?dehur? posti, nuk e dimë ende, por Kryeprokurorja ka një detyrë Kushtetuese që duhet ta zbatojë.

Kujtojmë se dhjetë ditë pasi mori detyrën, Kryeprokurorja Marku nisi furtunën e shkarkimit në organin e akuzës.

Fillimisht ajo ka nënshkruar ndryshimin e parë në stafin drejtues të institucionit, ku shefe e re e kabinetit të Kryeprokurores është Alketa Zylfa.

Më pas ajo ka nënshkruar shkarkimin e Prokurores Rovena Gashi, e cila mbante pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, duke emëruar në vend të saj prokurorin Arqile Koça.

Me datë 09. 01. 2018, Marku fimosi shkarkimin e Dritan Ginës nga drejtimi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndërsa  emëroi drejtues të Përkohshëm të kësaj prokurorie  Ardjan Nezha.
Gjithashtu me të njëjtin vendim Marku, shkarkoi Pali Deçollin nga drejtimi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, ndërsa emëroi drejtues të Përkohshëm të kësaj prokurorie Fatmir Lushin.

Një tjetër shkarkim i firmosur prej saj ishte i Artur Ismailukajt nga drejtimi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës dhe emërimi e Alketa Nushit si drejtuese e komanduar  e kësaj prokurorie.

Pas shkarkimit të tre prokurorëve në Fier, Kukës dhe Elbasan, Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku  preu ?kokën?  edhe të kryeprokurorit të Durrësit, Agron Gjana, i cili ishte me mandat të rregullt

Ndërkohë në vendin e tij emëroi mikeshën e saj Donika Prela, e cila më parë ishte prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Ndërsa së fundmi Marku,  ia vuri syrin kreu të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, të cilit i çoi në zyrë, mikeshën Donika Prela.

Edhe Hajdarmataj ishte me mandat të rregullt, por para Markut ky lloj mandati nuk funksionon.

Në vend të Donika Prelës, në krye të Prokurorisë së Durrësit, Arta Marku emëroi një tjetër mikeshë, Anita Jellën.

Kështu është kur ke shoqëri të madhe, nuk të dalin as prokuroritë për t?i vënë në krye dhe kështu shndërrohesh në punëtore ngarkim-shkarkimi.

Megjithëse ata që kryejnë realisht punën e ngarkim-shkarkimit meritojnë respekt./CNA.al

 





Lajmet e fundit nga