web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Eksperiment hetimor 15 vjet pas ngjarjes/ “Shpëton” i dënuari për vrasje të dyfishtë

30 Dhjetor 2017, 13:54, Aktualitet CNA

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier dhe Apeli i Vlorës i dhanë lirinë një të dënuari me 23 vjet burg për vrasje të dyfishtë në bashkëpunim, pas një eksperimenti hetimor të kryer më shumë se15 vjet pas krimit, në dy vendime, që sipas Gjykatës së Lartë e cila urdhëroi prishjen e tyre, ?nuk ka koherencë logjike?.

Eksperimenti hetimor i urdhëruar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier në vitin 2013, duhej të verifikonte nëse një dëshmitare e vrasjes së dyfishtë të Shkëlqim e Gramoz Llanajt, kishte pasur fushëpamje të lirë ditën e krimit në shtator 1999. Por siç vëren Gjykata e Lartë në vendimin e saj të 10 majit 2017, i cili rikthen çështjen për gjykim, gjykatësit që urdhëruan dhe më pas morën për bazë këtë eksperiment, nuk kishin marrë në konsideratë as faktin që pemët ishin rritur.

Ilirjan Zeqaj ishte dënuar së bashku me kushëririn e tij Jetnor Zeqajn, në shtator të vitit 2002 me 23 vjet burg për vrasjen, që sipas gjykatës kishin kryer për t?u hakmarrë pasi një i afërm i viktimave i kishte vrarë Jetnorit të birin.

Jetnori u arrestua pas ngjarjes dhe vijon të vuajë dënimin, ndërsa Ilirjani ia doli të?arratisej? dhe u dënua në mungesë. Ai u arrestua në Britani dhe u ekstradua vetëm pas 11 vitesh për llogari të drejtësisë shqiptare.

Çështja që ishte mbyllur me vendim fajësie nga Gjykata e Fierit në vitin 2002, e cila i kishte dënuar dy kushërinjtë me nga 23 vjet burg, u rihap me kërkesë të Ilirjanit i cili kërkoi rigjykim.

Eksperimenti hetimor që në vitin 2002 nuk ishte pranuar si provë po nga Gjykata e Fierit, u pranua në rishqyrtim dhe përcaktoi fatin e gjyqit.

Një trupë tjetër gjykuese nga e njëjta gjykatë vlerësoi se, sipas eksperimentit 15 vjet pas vrasjes, nga vendi ku kishte qenë dëshmitarja, mbesa e viktimave, ajo nuk mund të dallonte të akuzuarit për vrasje pasi nuk e lejonte terreni, pemët dhe një ndërtim.

Gjykata e shpalli të pafajshëm Ilirjan Zeqajn, ndërsa la në fuqi vendimin e dënimit me 23 vite burg për kushëririn e tij për të cilin sipas gjykatës kishte edhe prova të tjera.

Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në Vlorë, por u prish në maj 2017, nga Gjykata e Lartë, e cila ka rikthyer pas 18 vjetësh çështjen në rigjykim po në Fier, duke vlerësuar se i njëjti eksperiment hetimor 15 vjet pas ngjarjes, ?nuk mund të sillte asnjë gjë të re? dhe ?nuk kishte asnjë mundësi që eksperimenti hetimor të realizohej në të njëjtat kushte?.

Avokati i Zeqajt Genci Gjokutaj, nëpërmjet një komunikimi telefonik i tha BIRN se vendimi i Gjykatës së Lartë është i pakuptueshëm dhe se lidhur me Ilirjan Zeqajn ?kemi të bëjmë me një pafajësi të pastër?.

Nga ana tjetër burime të policisë, në kushtet e anonimatit, i thanë BIRN,  se 45-vjeçari Zeqaj, i cili i ishte shmangur më herët drejtësisë për 11 vjet, pasi u shpall i pafajshëm është larguar sërish jashtë vendit, pa pritur rigjykimin e çështjes.

Vrasja e dyfishtë

Gjykata e Fierit do të shqyrtojë tani për herë të tretë dosjen e vrasjes së vëllezërve Llanaj. Ajo deri tani ka dhënë dy vendime krejt të kundërta me njëri-tjetrin, të cilat disponohen nga BIRN, mbi të njëjtën dosje dhe gati të njëjtat materiale e dëshmi. Ndërkohë që rishqyrtimi do të bëhet pasi kanë kaluar 18 vjet nga ngjarja.

Gjykata e Apelit Vlorë, më 19 nëntor 2002  vendosi ?mospranim apeli?, duke bërë që vendimi të marrë formë të prerë. Vendimi u ekzekutua vetëm për Jetnor Zeqajn, pasi Ilirjani u larguar nga vendi dhe u arrestua në Britaninë e Madhe, 11 vjet pas këtij dënimi.

Me kërkesë të tij, pas ekstradimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier në korrik 2013 rivendosi në afat të drejtën e tij për të kërkuar apelim. Këtë herë apeli u pranua dhe madje Gjykata e Apelit Vlorë vendosi prishjen e vendimit të vitit 2002 dhe e riktheu çështjen për gjykim në Fier. Avokati i Zeqajt, Genc Gjokutaj, i tha BIRN se Apeli kishte gjetur edhe shkelje proceduriale në vendimin e vitit 2002.

I njëjti eksperiment, vendime të ndryshme

Vendimi i Gjykatës së Lartë zbulon se trupa gjykuese me gjyqtarë Matilda Shalla, Taulant Banushi dhe Roland Hysi, ndoqi në vitin 2013 gati të njëjtën rrugë si ajo 11 vjet më herët.

Shqyrtoi dëshmitë dhe urdhëroi kryerjen e të njëjtit eksperiment hetimor në vendin e ngjarjes, me kërkesë të mbrojtjes. Eksperimenti duhej të përcaktonte nëse nga ballkoni i banesës së Neki Llanajt, dukej vendi ku u vranë djemtë e tij Gramoz dhe Shkëlqim Llanaj.

Të njëjtën gjë kishte bërë edhe trupa gjykuese në vitin 2002. Atëherë sipas vendimit të Gjykatës së Lartë me ?kërkesën e mbrojtjes të të pandehurit Jetnor Zeqaj, gjykata tentoi të riprodhonte situatën reale, për të provuar nëse dëshmitë ishin të vlefshme?. Atëherë gjykata arriti në përfundimin se ishte ?e pamundur të realizohej riprodhimi i gjendjes reale të datës 26.09.1999, për shkak të ndryshimeve të rëndësishme të relievit natyror nga viti 1999 deri në vitin 2002? .

Në vitin 2002 gjykata vendosi që eksperimenti nuk kishte vlerë për gjykimin dhe i cilësoi të vlefshme dëshmitë e familjarëve të viktimave.

Por, nëse pas tre vjetësh ndryshimet kishin qenë të tilla sa e bënin të pamundur riprodhimin e skenës,më 17 tetor 2014, 15 vjet nga ngjarja, Gjykata e Fierit vendosi se i njëjti eksperiment kishte vlerë prove dhe mund të realizohej ?në përputhje me procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes?.

Gjatë eksperimentit të ri, rezultoi ashtu si edhe në vitin 2002 se ?nga ballkoni i banesës së shtetasit Neki Llanaj nuk ka fushëpamje për shkak të pemëve ndërmjet dy banesave dhe nuk shikohen as oborri dhe as dera e oborrit të banesës së shtetasit Nuri Zeqaj?.

Po ashtu  nga eksperimenti ka rezultuar se ?nga piketa nr.1, ballkoni i banesës së shtetasit Neki Llanaj në drejtim të piketës 2 dhe 5, vendndodhjeve të viktimave nuk ka fushëpamje për shkak të pemëve frutorë të cilat kanë lartësi 3-6.5 m dhe pengojnë shikueshmërinë?.

Bazuar në këtë eksperiment,Gjykata e Fierit dhe më pas Apeli në Vlorë vendosën pafajësi për Ilirjan Zeqajn,  por lanë me të njëjtin dënim Jetnor Zeqajn, i cili siç rezulton në vendim ka pranuar kryerjen e krimit.

Në vendimin e Gjykatës së Fierit, i cili sipas Gjykatës së Lartë, nuk merr në konsideratë as rritjen e bimësisë dhe as ndërtimet, dëshmia e mbesës së viktimave Daniela Llanaj që deklaronte se kishte parë Ilirjan Zeqajn në vendin e ngjarjes duke qëlluar, çmohej ?e pabesueshme?, pasi ajo nuk kishte fushëpamje.

Këto vendime u ankimuan nga prokurori i çështjes Petrit Vukaj i Prokurorisë së Fierit dhe nga ai i Apelit Vlorë.

Rigjykimi për të tretën herë

Gjykata e Fierit doli e bindur se, Jetnor Zeqaj, i cili ka kryer një pjesë të mirë të dënimit dhe që sipas vendimit të gjykatës e ka pranuar vrasjen, nuk ka qenë i vetëm në kryerjen e krimit, por ajo thotë se nuk provohet që Ilirjan Zeqaj të ketë qenë bashkëpunëtori.

Por, për Gjykatën e Lartë, vendimet e vitit 2014, të Gjykatës së Fierit dhe të Apelit, ?janë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit procedural penal?.

Për këtë arsye Kolegji Penal, ka vendosur prishjen e vendimeve dhe rikthimin e çështjes për një gjykim të tretë.  Ky kolegj vëren se, si Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ashtu dhe Gjykata e Apelit Vlorë, në rigjykim, nuk kanë mbështetur arsyetimin e vendimeve respektive, ?duke i dhënë vlerë të paracaktuar disa provave, ndërkohë që kanë anashkaluar vlerën dhe provueshmërinë e provave të tjera të administruara në këtë proces penal?.

Gjykata thotë se ishte po ashtu e qartë që terreni kishte ndryshuar, pemët ishin rritur, madje edhe dendësia e tyre ishte shtuar dhe se kishte pasur ndërtime të reja.

Por Gjykata e Lartë vlerëson se para se të pranonin si të mirëqenë eksperimentin, dy shkallët e tjera të gjyqësorit duhej të kishin konsideruar se dëshmitë e mbesës së viktimave kishin qenë koherente në të dy gjykimet, pavarësisht kohës së kaluar.

Duke i gjetur në shkelje proceduriale dhe po ashtu të pa arsyetura mirë, Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2017, prishi të dy vendimet dhe riktheu çështjen për gjykim nga e para pas 18 vjetësh.(BIRN)

 





Lajmet e fundit nga