LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga: Denion MEIDANI/ Një populizëm me prirje për kult individi

7 Prill 2017, 13:54, Aktualitet CNA

Flakët përpinin godinën e parlamentit të Venezuelës dhe teksa ajo digjej ?live? në televizor nga zemërimi i masave të tërbuara e të zhgënjyera pranë e larg saj, bashkë me të, digjej dhe e ardhmja e udhëheqësve populistë të majtë, të kthyer tashmë në autokratë e oligarkë. Ata u votuan që të shpëtonin demokracinë dhe të garantonin të ardhmen e Venezuelës. Veçse nuk ndodhi kështu! Por, fati i Venezuelës duhet të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë, përfshirë dhe Shqipërinë me përvojën e saj negative në tranzicionin e saj të stërzgjatur apo dhe më gjerë. Shumë vende në botë, madje dhe ato perëndimore janë, pre e tensionit në rritje midis populizmit e demokracisë. Raporti më i fundit i Freedom House përmënd dhe disa në rajonin tonë. Nëse këto tensione do të lejohen që të zhvillohen në mënyrë të pa kontrolluar, atëherë, me rritjen e tyre, rrugëdaljet bëhen gjithnjë e më të vështira. Aq më keq kur rezultantja e tyre është dominimi i prirjes populiste deri përfshirja e saj në sistemin qeverisës. Zgjedhja apo rënia në një nga këto sisteme rrallë është logjike dhe e ndërgjegjshme edhe pse shoqërohet me konsekuenca të paparashikueshme e të shëmtuara. Sidoqoftë, populizmi jo gjithmonë përfundon në autoritarizëm. Por, ama, është një rrugë që, në shumicën e rasteve, në demokraci të brishta, në agimin e tyre, mund të duket dhe perceptohet si demokratike, por shumë shpejt mund të rrëshqasë në mënyrë të paevitueshme dhe për shumë arsye në një autoritarizëm progresiv. Prandaj, ja vlen që ta analizojmë një rast të tillë në kushtet e ngjashme me ato të vendit tonë.

? ? ?

Kolapsi i demokracisë së dobët shqiptare drejt autoritarizmit progresiv, në vitet e fundit, është favorizuar, ndër të tjera, nga kriza ekonomike, por dhe nga paaftësia e institucioneve demokratike për të kontrolluar tendencat e errëta të populizmit, si dhe zhgënjimi nga tranzicioni ynë tepër i gjatë dhe elitat politike të pandryshuara, shoqëruese të tij. Kur rilindja kalëroi valën e zhgënjimit dhe zemërimit popullor, duke ardhur në pushtet, pushteti gjyqësor shfaqte defekte serioze dhe ishte i korruptuar (njëlloj si politika, që e ushqente dhe e trysnonte atë!). Besimi i qytetarit, konfidenca popullore mbi këtë pushtet ishte më pak se 40% sipas sondazheve të USAID-it të asaj kohe, por realisht mund të ishte edhe shumë më poshtë. Sigurisht, sulmet populiste ndaj këtij sistemi ndër vite, para dhe gjatë procesit të reformimit të tij, aq më keq ato për ruajtje pushteti ose marrje të tij, vetëm e dobësuan më tej drejtësinë shqiptare, si para syrit të qytetarit shqiptar, ashtu dhe miqve ndërkombëtarë. Po ashtu, propaganda e shfrenuar, mbulimi i interesave individuale dhe i vendimmarrjeve të gabuara, justifikimi i korrupsionit dhe i zullumeve të tjera nga agallarët e rilindjes jo vetëm nuk rikthyen besimin qytetar, por dhe ndihmuan në rritjen e arrogancës dhe abuzimit, deri duke motivuar vendosmërinë e ecjes në këtë rrugë të sektit të rilindjes në të gjitha nivelet e qeverisjeje dhe administratës. Për të mbuluar këtë u tentua ?lavdia?  e reformës në drejtësi nëpërmjet një dhune numrash e një konfliktualiteti të pajustifikueshëm, mbi të gjitha për të kryer një pseudo-reformë, e cila, në vend që të kuronte drejtësinë e deritanishme pjesërisht të pavarur, të dobët e problematike, synoi që të ndërtonte një drejtësi krejtësisht të varur, të komanduar politikisht, madje në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mbi të gjitha, duke e maskuar këtë veprimtari si mbajtje premtimesh elektorale për të goditur elitat e korruptuara sipas vullnetit popullor e atij ndërkombëtar! Tensioni arriti kulmin njëherë, në korrik 2016, por me ndërhyrjen ekskluzive të LSI-së, u arrit që ai të dominohej përkohësisht duke u përshkallëzuar sërish, në shkurt 2017, mbas mospërfilljeve e keqqeverisjes të rilindjes, përfshirë dhe shtyrjen në ?kalenda greke? vetë reformën elektorale dhe futjen e votimit elektronik. Ishte ky reagim opozitar kundër shumicës, që demaskoi dhe vazhdon të demaskojë qëllimet reale të sektit, që pas korrupsionit të gjithanshëm e galopant, kriminalizimit të administratës dhe kanabizimit të vëndit, nuk i mbetej gjë tjetër për mbijetesë veçse uzurpimi i sistemit të drejtësisë, i kamufluar me një propagandë të zhurmshme mbi reformën në drejtësi. Në fakt, pas premtimit populist për të goditur elitat e korruptuara dhe krijimin e një sistemi drejtësie të përgjegjshëm e të drejtë para nevojave të popullit dhe vendit, fshihej dëshira autoritare për të shkarkuar mjaft gjykatës e prokurorë me anë frikës e presionit dhe për t?i zëvendësuar ata me besnikë e partiakë, për të nënshtruar qindra gjykatës, prokurorë e ndihmës të tyre, për ta kontrolluar e tjetërsuar tërësisht këtë pushtet dhe mënjanuar çdo pengesë në rrugën drejt autokracisë, kanabizimit dhe inkriminimit brenda një strukture të tipit shtet-oligarki.

? ? ?

Edhe z. Rama, ashtu si Chavez në Venezuelë apo shumë liderë populistë gjetkë, i premtoi popullit, më 2013, shumë gjera të pamundura, pse të mos themi qiellin. Por, sërish, të dielën në një shou (show) elektoral, mbas 4 vitesh dështimesh e përkeqësimesh, ia kaloi përgjegjësinë, pra dhe vonesën ose moszgjidhjen e problemeve, elitave të dikurshme, sistemeve e institucioneve të papërgjegjshme, jo demokratike. Kurse vetë ai, si një lider i madh dhe i fortë, i zoti të thyejë këto forca të së keqes së pardjeshme, duhet të vazhdojë që të udhëheqë dhe të ?imponojë? këtë vullnet të jashtëzakonshëm në ?shërbim të popullit?. E keqja është se këtë ?pompozitet?e ushqejnë pa më të voglën ndrojtje armata e servilëve!…      Sigurisht, ata që e besuan, në vitin 2013, këtë lloj populizmi gënjeshtar, me një teprim maxhoritar përfaqësimi, na dënuan të gjithë me dëmtimin e procesit parlamentar, me riformulimin apo ripërkufizimin e demokracisë tonë të brishtë, duke e shndërruar atë nga një proces që tentonte të ishte gjithëpërfshirës, me bazë marrëveshje, debat e negocimin, në një betejë kartonësh me filozofinë ?zero-sum? të ?ushtruesve të vullnetit popullor të 1 milion votave?, të mishëruar tek lideri suprem. Madje, kushdo, që do të guxonte ta kundërshtonte atë, përfshirë politikanë e udhëheqës të opozitës, gazetarë e pronarë mediash, gjykatës e prokurorë apo teknokratë të administratës, etj., do të ndëshkohej pa mëshirë. Pra, në emër të popullit, iu hap rrugë reformave të ndryshme, shpesh të shtrembra në qëllim e formë, si ajo në drejtësi, arsim, shëndetësi, për nëpunësit civilë apo pa përgatitjen e duhur konceptore e ligjore të reformës administrative. Me dashje ose pa dashje, me dashuri ose urrejtje, u zhvillua një ?momentum? eksperimental për të favorizuar situata antisociale, me humbje jetësh njerëzore ose qëndrime deri antishtet, në shërbim të rilindjes – të shitur si ribërje shteti, deri duke i shpallur luftë dhe vetë shtyllave bazë, që mbajnë në këmbë demokracinë.

? ? ?

?Demokracia liberale është një kompromis kompleks midis demokracisë popullore dhe elitave liberale duke na dhënë kështu një sistem pjesërisht demokratik?- ka shkruar, më 2004, Profesori Mudde. Pra, ekziston deri diku, një kontradiktë midis operimit të demokracisë funksionale dhe asaj që perceptohet nga qytetarët, nga masa e gjerë. Kompromisi për të dorëzuar një pjesë të pushtetit të fituar me votë tek institucione ose pushtete të tjera jo pjesë të drejtpërdrejta të procesit zgjedhor, por tepër të nevojshme për të ruajtur e mbrojtur  demokracinë, është në konflikt me konceptin e vullnetit të pastër popullor. Krijohen kështu kushte ideale për liderë populistë, sidomos ata të mbrapshtë, që të manipulojnë, përftojnë e thellojnë pushtetin e vet, duke sulmuar këto garantë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm të demokracisë. Me të drejtë, Profesori Weyland shkruan: ?Logjika e personalizimit të pushtetit nxit politikanët populistë që të shtrinë fuqitë e tyre, për rrjedhojë dhe diskrecionet që pasojnë.? Në funksion të kësaj udhëheqësit populistë, shpesh, kultivojnë kultin e individit. Një kulti i tillë është zhvilluar, më parë, në të gjitha vendet komuniste. Madje, u konsideru thjesht pjesë e pluhurit të historisë. Por, ama, pikërisht këtë kult e pamë jo më larg se disa ditë, në zhvillimet e asamblesë së zgjeruar të së dielës, sidomos të daljeve publike atje në skenë nga pjesa më e spikatur e ?Asamblit Babëzia? apo në vazhdimësi, në çdo dite apo natë jave, ku folësit ngrinin e ngrenë në hava kultin e Udhëheqësit të Madh, kultin e Ramës, pavarësisht dështimeve, zhgënjimeve, inkriminimeve, dhe premtimeve të pa mbajtura gjatë qeverisjes së tij 4-vjeçare. Kjo është dhe arsyeja pse, përveç monologut të së dielës, zoti Rama është i pranishëm çdo ditë në mënyrë konstante në media në një formë apo një tjetër, gjë që nuk është parë në asnjë qeverisje (!). Kjo praktikë tipike nuk derivohet thjeshtë nga egoja, por dhe nga fakti që liderë të populistë të këtij lloji autoritetin e tyre e ushqejnë jo nga vetë sistemi demokratik, i bazuara në ushtrimin e drejtë të ligjit,  por nga perceptimi i deformuar i gjoja mbështetjes popullore. Kjo funksionon për sa kohë që një lider i tillë mund të deklarojë mjaftueshëm pasjen e një marrëdhënieje të veçantë me publikun, të konsideruar si dhe një mbështetje të gjerë të popullit, për të sulmuar armikun e brendshëm, ku futen, sipas një specie të tillë, p.sh. sistemi gjyqësor, shtypi i lirë e me radhë.

I parë në retrospektivë i gjithë rrugëtimi i rilindjes dhe sidomos i liderit të saj ka dhënë shenja të qarta të drejtimit autoritar apo dhe vetë kultit të individit, por pak patën sy për ta parë e veshë për të dëgjuar paralajmërimet e ?mbytura? nga vrulli populist.

? ? ?

Gjatë formimit të tij, ky proces me bazë populiste mund të jetë i vështirë për t?u zbuluar e kuptuar, sidomos për ata që nuk janë afër mjaftueshëm. Kjo sepse luhet, më shpesh, në pjesën më të madhe në mbrapa skenë, si mbrujtje në kafene e restorante, me verë ose pa verë, me peshk apo pa; dhe më tej zhvillohet e rritet në institucione burokratike, në një llogaridhënie dhe ndërveprim  me kastën oligarkike të krijuar. Prandaj, në fillim, për shumicën çdo gjë dukej përgjithësisht si OK, por fajin e ka pasur media e kazanit me lirinë e tepruar dhe opozita e vjetër, që vetëm ka kritikuar reformat dhe nuk ka pranuar vullnetin e popullit, të ?mishëruar? tek vetë kryeministri! Ndërkombëtarë me peshë globale nuk arrijnë të merren me shkeljet e demokracisë në një popull të vogël, ata refuzojnë të shohin një demokraci të brishtë të qeverisur nga autoritarë, sepse për ta stabiliteti është mbi demokracinë! Kurse nuk shpjegohen ata ndërkombëtarë lokalë që shfaqen çuditërisht memecë ndaj problemeve reale dhe ecurisë së vendit, aq më keq kur lobojnë për reforma uzurpuese apo rritje ekonomike me anë të shtrirjes së gjithanshme të korrupsionit e kriminalizimit, dhe vetë procesit të kanabizimit. Shqipëria sot është në një situatë kritike dhe po shfaq simptomat e qarta të një keqqeverisje autoritare populiste, ku institucionet demokratike janë gjymtuar dhe qendërzuar, krimi vazhdon të lulëzojë, korrupsioni politik-administrativ ka shtrirje kapilare, madje i pranuar si normë funksionimi, ndërkohë që cilësia e jetës dhe mirëqenia vazhdojnë të mbeten në nivele tepër të ulëta për shumicën në vend. Ndoshta, z. Meta, ka të drejtë në qëndrimin e tij të fundit, të ngjashëm me atë korrikut 2016, për gatishmëri e sakrificë, deri dhënie pushteti në funksion të pastrimit e mbrojtjes së shtetit, në mishërim të një ideje për zgjidhje krize, të futjes në zgjedhje politike me anë të një ?qeverie besimi?, pse jo dhe për të ndërtuar një praktikë kushtetuese, në çdo katër vjet, thjesht 3 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme…

Lajmet e fundit nga