web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bernanke, Kashkari dhe “Këshilli i Heshtur” i BSH/ Nga Klodian Tomorri

24 Shtator 2016, 10:35, Aktualitet CNA

Ben Bernanke, ish Guvernatori i Rezervës Federale, në librin e tij “Kurajoja për të vepruar” shkruan se politika monetare është 97% komunikim dhe vetëm 3% aksion. Kjo do të thote se instumenti më i mirë që bankat qendrore kanë për të ndikuar ekonominë, nuk janë normat e interesit apo masat e tjera, që ato ndermarrin, por komunikimi me publikun.

Pse komunikimi është i rëndësishëm? Kur një Banke Qendrore ul apo ngre normën e interesit, efektet ne ekonominë e sotme nuk varen vetëm nga ky veprim, por edhe nga perceptimi i publikut se çfare Banka do të beje në të ardhmen. Pra si do të evoluojë politika monetare, pas nje muaji, dy muajsh, një viti, e kështu me radha.

Rrjedhimisht pritshmëritë e publikut mbi kursin e politikës monetare në të ardhmen ndikojnë ecurinë e rritjes ekonomike, papunësisë dhe inflacionit. Bernanke thotë se kjo është arsyeja, që ai inkurajonte antarët e bordit drejtues të FED, të jepnin intervista në media, të shkruanin artikuj ose të merrnin pjese në takime publike për të shprehur pikëpamjet e tyre.

Neel Kashkari eshte president i rezerves Federale te Mineapolisit. Pak ditë më parë ai publikoi një ese të jashtëzakonshme mbi atë se pse ringritja e ekonomisë amerikane nën drejtimin e Obamës ka qenë mediokre duke evidentuar një sërë arsyesh.

Eseja gjendet lehtë në internet. Por përtej përmbajtjes ajo është një provë se si Bankat Qendrore komunikojnë intensivisht me publikun, percjellin mesazhe dhe janë aktorët me aktivë në debatin e politikave ekonomike. Ky është modeli europian i bankingut qëndror në ditët e sotme.

Në Shqipëri, antarët e këshillit Mbikqyrës të Bankës Qendrore janë njerëzit më të heshtur. Ata nuk flasin, nuk shkruajnë, nuk debatojnë. Antarët e Këshillit Mbikqyrës në BSH nuk bëjnë asgjë, perveç pjesmarrjes një herë në muaj në mbledhjen e zakonshme dhe firmës në bordero.

Antarët e Këshillit Mbikqyrës presupozohet se janë njerëzit me ekspertizën më të lartë ekonomike në vend dhe ka ndër ta që janë me të vertetë të tillë. Në këtë pikë është e rëndësishme të shtrohet një debat publik. A duhet BSH të jetë një institucion autokratik, vertikal, i cili flet vetëm me një zë, atë të Guvernatorit dhe ku drejtimi administrativ i imponohet Këshillit? Unë besoj se autokracia nuk i bën mirë asnjë institucioni. Ky është një model i trashëguar, thellësisht i panevojshëm. BSH duhet të ndryshojë.





Lajmet e fundit nga