web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Karteli me projekt kompleks shumëvjeçar/Nga Artan Hoxha

17 Shtator 2016, 16:40, Aktualitet CNA

Piloti italian ju rrëfye prokurorëve. Sipas njoftimeve të sotme në media ai është kontaktuar që në vitin 2014 nga trafikantë italianë dhe shqiptarë për transportin e kanabis me avion. Me këtë qëllim ka ardhur dy herë në Shqipëri dhe ka shkuar në atë zone i shoqëruar, për të njohur nga afër terrenin.

Pasi e ka parë, piloti ju ka dhënë instruksione trafikanteve se si të përgatisin pistën. Këta i kanë i kanë thënë se do t?i zbatojnë e se janë dakord që përgatitjet të bëhen mirë dhe pa nxitim. Pasi pista u bë gati, pilotit i dërguan fotot dhe të gjithë ranë dakord që, më së pari, ai të bënte një provë inspektuese me avion për të vlerësuar gatishmërinë e pistës.

Rrëzimi i avionit, jo në zbritje por në ngritje, pasi rrota ndeshi në një gropë, vërtetoi se pista nuk ishte ende plotësisht gati. Mundet që punimet janë bërë kohët e fundit pa kujdesin e duhur por kjo hipotezë dobësohet nëse konsiderojmë që planet janë bërë që dy vite më parë. Mundet që ajo ka qenë gati muaj më parë por shirat e ditëve të para të shtatorit mund ta kenë dëmtuar dhe sheshimi i bërë me ngut nuk ka eliminuar çdo plasaritje a çdo gropë. Mundet edhe që të jetë bërë ndonjë transport më parë se sa pista të dëmtohej dhe pretendimi se kjo tentativë ishte veç prove të jetë i pavërtetë. Asnjë hipotezë nuk mund të përjashtohet në këtë moment.

Pavarësisht hipotezave të mësipërme mbi këto detaje dytësore një fakt është tashmë i qartë dhe i rëndësisë se dorës së parë. Nje grup i mireorganizuar trafikantësh të kanabis, e jo vetëm të kësaj droge, shqiptaro-italian, ka vendosur që dy vite më parë të hapte një pistë për ulje-ngritje avionësh për transport droge, në buzë të detit, rrezë kodrave të Ishmit, pikërisht në atë zonë tokësore dhe korridor ajror ku gjendet edhe korridori ajror i ulje-ngritjeve të të gjitha linjave zyrtare të fluturimit në Rinas, që mbartin me mijëra palë sy pasagjeresh, përfshirë zyrtarë të lartë, e ku, më së shumti, kryejnë misione ushtarake e civile flota e helikopterëve, shqiptarë a të huaj.

Ndaj, distanca e vendndodhjes së pistës së trafikut të kanabis nga rruga automobilistike apo mbulimi i saj, në këndvështrim horizontal, nga disa gëmusha është një justifikim banal për pamundësinë e identifikimit të saj nga autoritetet, njëherazi demonstrim i sigurisë së grupit të organizuar kriminal për ta hapur pistën, pa kurrfarë gajle, në bash të vendit.

E njëjta kurajo e mungesë gajle nga autoritetet shtetërore provohet edhe nga fakti se e gjithë zona pranë pistës së ngritur rishtaz, ajo e Krujës dhe e Fushë-Krujës, raportohet e dominuar nga plantacione të tëra me kanabis, njëherazi zonë me nivel të lartë të aktivitetit të disa grupeve kriminale, me hierarki mes tyre, por edhe në konflikt të herë-pas-hershëm, zonë strehimi e këtyre grupeve, ku kanë humbur gjurmët shumë syresh pas aksioneve spektakolare me vrasje, shpërthime me tritol, grabitje bankash e deri tek ajo e grabitjes së aeroportit shtetëror.

Gjithçka u projektua me kohë e në këto dimensione komplekse ndonëse në Divjakë ?u kap avioni i parë me drogë?, ndonëse në 2014-tën u shkatërrua enklava kanabiste e Lazaratit dhe mafies shqiptaro-ndërkombëtare ju zhbë një biznes me xhiro 4.5 miliardë Euro, ndonëse në 2015-tën ?u asgjësuan 99.2% e sipërfaqes së mbjellë me kanabis?, dhe dëmi i mafies u dyfishua, ndonëse këtë vit Rilindja ?ka arritur suksese të papara në luftën ndaj drogës? duke i shkatërruar mafies ?mbi 24 miliardë Euro xhiro biznesi?, vlerë kjo sa buxheti i 10 viteve të fundit, në total, të Shtetit Shqiptar. Asgjë nga këto nuk shkaktoi as ngurrimin më të vogël tek grupi në fjalë.

Më së fundi, vetë fakti që grupi kriminal, ende me indentitete të panjohura, paska vendosur të ngrejë një pistë të dedikuar që para dy vitesh tregon se kemi të bëjmë me projekt afatgjatë të transportit të drogës ?me linjë të rregullt?, në një vend të fiksuar, pra jo me ulje-ngritje rastësore e ku të dalë ndonjë pllajë.

Me fjalë të tjera, investim për një shërbim transporti ajror me gjasa, jo vetëm për kanabis-in e zonës qarkuese Krujë e Fushë-Krujë por shumë më gjerë se kaq, pra, në shërbim edhe të grupeve të tjera që kanë investuar në territore të tjera të vendit me të cilat duhet të ketë edhe një mirëkuptim paraprak, mirëkuptim që, veç shërbimit të transportit ajror mund të përfshijë edhe shërbimet e grumbullimit, depozitimit, ruajtjes së mallit, pse jo edhe përpunimin e tij për vaj, duke shfrytëzuar kështu avantazhet e afërsisë së zonës Krujë e Fushë-Krujë me pistën.

Pista, si një investim strategjik, tregon se kemi të bëjmë me një projekt kompleks, afatgjatë, me cikël të mbyllur, prodhim, përpunim, grumbullim, depozitim, ruajtje, transport, për vete e në shërbim të të tjerëve, me funksion të perhershëm e, duke shfrytëzuar pistën si grykën e hinkës për daljen e kanabisit, vendoset edhe monopoli në këtë segment fundor të zinxhirit të qarkullimit të kanabis nga ky grup.

Me një bazë të këtillë të sigurtë evitohen edhe rreziqet dhe pengesat e transportit detar, qoftë me tragete a qoftë me skafe, ndërsa është rritur ndjeshëm kontrolli i stukturave italiane. Në këto rrethana, avionët e vegjël janë me të sigurtë pasi penetrojnë më lehtë edhe andej Adriatikut.

Kjo do të ishte shkalla më e lartë e projektimit: edhe kompleks edhe afatgjatë, edhe me pozitë monopol të paktën për Shqipërinë e Mesme. Natyrisht, një projekt i këtillë kërkon edhe shkallën më të lartë të sigurisë për paprekshmëri. A mund të ndërmarrë ndokush një plan të këtillë pa garanci nga nivelet më të larta qeveritare përveçse një kartel i mirëorganizuar, i fuqishëm e me lidhje të forta?

Gjithçka ishte planifikuar më së miri e pritej të shkonte mbroth. E vetmja gjë që tradhëtoi kartelin dhe bëri t?ju dështojnë planet ishte një gropë ku fatalisht ra rrota e avionit. Rastësisht, pra veç përkohësisht.

Karvani s?do t?ia dijë për qentë pale për gropat që mbushen kollaj fare. Në mos aty, diku gjetkë./Shkruar për SYRI.net/





Lajmet e fundit nga