web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A mund të bëhen liderët e inteligjencës artificiale po aq të fuqishëm sa Ford-ët apo Rockefeller-ët?

11 Maj 2026, 20:52, Tech CNA

A mund të bëhen liderët e inteligjencës artificiale po aq

Pesë emra dominojnë sot botën e inteligjencës artificiale: Dario, Demis, Elon, Mark dhe Sam.

Aq të famshëm janë bërë, sa mjafton vetëm emri për t’i identifikuar. Politikanët dhe mediat ndjekin me vëmendje çdo deklaratë të tyre. ChatGPT i Sam Altman dhe kompanisë OpenAI numëron mbi 900 milionë përdorues në javë. Anthropic, kompania e Dario Amodei, ka zhvilluar modele aq të avancuara sa kanë ngritur shqetësime serioze tek politikëbërësit për aftësitë e tyre në sulmet kibernetike. Demis Hassabis, drejtuesi i kërkimeve të AI te Google, ka fituar edhe Çmimin Nobel për punën e tij shkencore. Elon Musk, themeluesi i xAI dhe pronar i disa kompanive të tjera, mbetet njeriu më i pasur në botë. Ndërsa Mark Zuckerberg, me Meta-n, ka ndërtuar familjen më popullore të modeleve “open-source” në Perëndim dhe po investon miliarda për të kapur ritmin e garës teknologjike.

Në një kuptim shumë real, këta pesë burra mbajnë në duar fatin e qytetërimit perëndimor. Ushtria amerikane tashmë përdor mjetet e tyre të inteligjencës artificiale, megjithëse disa prej tyre – si Altman dhe Musk – janë më entuziastë për këtë bashkëpunim sesa të tjerë, si Amodei. Disa ekonomistë besojnë se AI do të përshpejtojë ndjeshëm rritjen ekonomike globale. Të tjerë paralajmërojnë humbjen e miliona vendeve të punës. Ka edhe nga ata që druhen se teknologjia mund të përbëjë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Që nga ndarja e atomit, rrallëherë një teknologji ka shkaktuar kaq shumë ankth dhe debat.

Fakti që kaq shumë pushtet është përqendruar në duart e pak njerëzve është shqetësues, sidomos kur bëhet fjalë për figura kaq të paparashikueshme si Musk apo oportuniste si Altman. Megjithatë, historia e kapitalizmit perëndimor tregon se kjo nuk është diçka e re. Në shumë raste, një grup i vogël njerëzish ka qenë vendimtar për ta sjellë një teknologji të re tek masat, jo domosdoshmërisht duke e shpikur atë, por duke e bërë të përdorshme dhe të përhapur. Dhe në këtë proces, ata kanë grumbulluar fuqi të jashtëzakonshme.

Hekurudhat ndryshuan mënyrën se si njerëzit lëviznin. Nafta ushqeu kapitalizmin industrial. Çeliku lejoi ndërtimin e qyteteve moderne. Automjetet krijuan konsumin masiv. Bankat sollën kreditimin në shkallë globale. Interneti monopolizoi vëmendjen e njerëzimit. Të gjitha këto teknologji e pasuruan botën, por gjithashtu transformuan normat shoqërore.

Shumë njerëz mendojnë se miliarderët janë të mbivlerësuar, madje edhe parazitë të sistemit. Në fund të fundit, progresi teknologjik është rezultat i punës së miliona njerëzve dhe jo i një individi të vetëm. Askush nuk shpiku i vetëm çelikun apo internetin. Megjithatë, fitimet më të mëdha përfundojnë në duart e pak personave. Kjo ka ushqyer zemërimin popullor ndaj super të pasurve dhe sloganin se “çdo miliarder është një dështim i politikave publike”.

Por historia sugjeron një tjetër këndvështrim. Shpesh, ishin pikërisht këta magnatë që e kthyen një shpikje në revolucion ekonomik. Një studim i vitit 2023 nga Universiteti i Torontos argumenton se Henry Ford dhe modeli i tij “Model T” shpjegojnë pse amerikanët ishin të parët që adoptuan masivisht automobilët. Një tjetër studim nga Universiteti i Çikagos nënvizon rolin e “sipërmarrësve transformues” në kthimin e inovacionit në rritje afatgjatë ekonomike. Me pak fjalë, prosperiteti shpesh ka nevojë për figura të tilla.

Për të kuptuar më mirë se si krahasohen magnatët e AI me titanët e së kaluarës, “The Economist” analizoi 11 valë teknologjike në SHBA gjatë 150 viteve të fundit – nga hekurudhat te interneti – dhe identifikoi pesë figurat kryesore që kontrolluan dhe popullarizuan secilën teknologji.

Sipas analizës, njeriu më i fuqishëm ekonomik në historinë moderne amerikane rezulton Henry Ford. Pasuria e tij arrinte mbi 1% të GDP-së amerikane dhe kompania e tij punësonte rreth 0.15% të popullsisë amerikane në vitin 1925. Për më tepër, Ford kishte kontroll pothuajse total mbi kompaninë. Ai jo vetëm që pasuroi veten, por ndryshoi mënyrën e jetesës së shoqërisë amerikane. “Model T” u bë simbol i automobilit për masat dhe transformoi ekonominë e konsumit.

Në listën e titanëve modernë renditen edhe Jeff Bezos dhe Elon Musk. Bezos, themeluesi i Amazon, renditet i katërti falë një kompanie që punëson mbi një milion amerikanë dhe vlerësohet me triliona dollarë. Musk, nga ana tjetër, e ka fituar pozitën kryesisht falë Tesla-s dhe SpaceX, më shumë sesa për AI.

Ndërkohë, Sam Altman, Dario Amodei dhe Demis Hassabis renditen më poshtë. Arsyeja është se laboratorët e AI kanë relativisht pak punonjës dhe drejtuesit e tyre nuk kanë kontroll absolut mbi kompanitë, siç kishin dikur Ford apo Vanderbilt. OpenAI, për shembull, drejtohet nga një bord që madje e shkarkoi përkohësisht Altman në vitin 2023.

Megjithatë, inteligjenca artificiale është ende në fazat e para të zhvillimit. Potenciali i saj për të transformuar industri të tëra – nga argëtimi te mbrojtja ushtarake – mund të bëjë që magnatët e AI të arrijnë kulmin e fuqisë së tyre vetëm pas shumë vitesh.

Historia tregon gjithashtu se shumë nga këta titanë kanë qenë figura të çuditshme dhe kontraverse. Ford ishte antisemit dhe përdorte gazetën e tij për propagandë. Rockefeller ishte maniak pas kursimit të parave. Vanderbilt besonte në komunikimin me shpirtrat. Steve Jobs ndiqte dieta ekstreme. Në këtë kontekst, teoritë konspirative të Musk apo sjellja “robotike” e Zuckerberg nuk duken edhe aq të pazakonta.

Por bashkë me teknologjitë e reja kanë ardhur gjithmonë edhe rreziqe të reja. Në fillimet e hekurudhave, shumë shkencëtarë mendonin se njeriu nuk mund të përballonte shpejtësitë e larta. Automjetet sollën aksidente fatale. Elektrifikimi automatizoi fabrikat dhe zhduku profesione të tëra. Edhe AI sot po ngjall frikë për humbjen e vendeve të punës dhe përqendrimin ekstrem të pushtetit ekonomik.

Në fund, historia tregon se marrëdhënia mes shtetit dhe magnatëve është gjithmonë e tensionuar. Standard Oil e Rockefeller u shpërbë nga Gjykata Supreme amerikane në vitin 1911. Microsoft rrezikoi të ndahej në vitin 2000 për monopol. Dhe ndërsa inteligjenca artificiale transformon ekonominë globale, është e mundur që qeveritë të ndërhyjnë përsëri për të kufizuar fuqinë e titanëve të rinj të teknologjisë.

Në teori, kapitalizmi paraqitet si një sistem i decentralizuar. Në praktikë, momentet më të rëndësishme të tij shpesh janë drejtuar nga individë të fuqishëm dhe pothuajse autokratikë. Ndoshta njerëzit që po udhëheqin revolucionin e AI sot nuk do të jenë domosdoshmërisht “Rockefeller”-ët apo “Ford”-ët e rinj. Por historia sugjeron se një figurë e tillë ka shumë gjasa të shfaqet së shpejti./ The Economist





Lajmet e fundit nga