web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

30 vite nga tragjedia e Prespës/ Familjarët e 13 nxënësve që humbën jetën: Të rihapet çështja, duam drejtësi

7 Maj 2026, 12:23, Sociale CNA

Tri dekada pas një prej tragjedive më të rënda që ka shënuar historinë e vendit, dhimbja e familjarëve të 13 nxënësve që humbën jetën në liqenin e Prespës mbetet ende e freskët, ndërsa kërkesa për drejtësi dhe zbardhja e plotë e ngjarjes vijon pa përgjigje përfundimtare.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 maj 1996, kur një ekskursion shkollor nga Starova e Pogradecit u kthye në tragjedi kombëtare. 13 nxënës dhe mësuesi i tyre humbën jetën në ujërat e liqenit të Prespës, pasi varka me të cilën po lundronin u përmbys gjatë udhëtimit. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe la pas një plagë të thellë për familjet dhe komunitetin.

30 vite nga tragjedia e Prespës/ Familjarët e 13 nxënësve

Sot, 30 vite më vonë, familjarët e viktimave thonë se dhimbja nuk është shuar dhe se ende nuk kanë marrë përgjigje të plota mbi rrethanat e tragjedisë. Ata kërkojnë që çështja të rihapet dhe të hetohet deri në fund, duke theksuar se mungesa e drejtësisë e ka zgjatur vuajtjen e tyre ndër vite.

Shpresa Berberi, nëna e nxënëses Enkelejda Berberi, rrëfen me dhimbje ditën që i ndryshoi jetën përgjithmonë. Ajo tregon se vajza e saj ishte vetëm 15 vjeçe dhe se nuk kishte dëshiruar fillimisht ta lejonte në ekskursion.

“E kisha 15 vjeçe, vit i parë. Nuk doja ta lija të shkonte, por ajo u nis me shoqet. E prita gjithë natën, deri në mëngjes. Pastaj mora lajmin e tmerrshëm, që vajza nuk ishte më. Na u shua gjithçka në atë moment. E sollën më pas, por ajo pamje nuk fshihet kurrë nga mendja. Ne kemi kërkuar drejtësi gjithë jetën, por ende nuk kemi marrë përgjigje",-thotë e ëma e vitkimës.

30 vite nga tragjedia e Prespës/ Familjarët e 13 nxënësve

Edhe Hava Latollari, nëna e Arti Latollarit, kujton me dhimbje momentet e asaj dite dhe pasojat që lanë pas.

 “I dërguam fëmijët në shkollë për një ekskursion mësimor, jo për t’i humbur. Nuk ka fjalë që përshkruan atë që kemi kaluar. Për 30 vite kemi kërkuar drejtësi, kemi trokitur në dyer institucionesh, por ende nuk kemi gjetur zgjidhje. Jemi 14 nëna që jetojmë me të njëjtën plagë",-tregon ajo.

Familjarët theksojnë se përtej dhimbjes personale, çështja mbetet ende e pazbardhur plotësisht për ta dhe kërkojnë që institucionet përgjegjëse të rikthejnë vëmendjen mbi ngjarjen, për të sqaruar çdo rrethanë dhe për të dhënë një përgjigje të plotë ligjore dhe morale.

Ata shtojnë se gjatë këtyre 30 viteve janë ndier të lënë pas dore dhe se mungesa e një zgjidhjeje përfundimtare ka thelluar edhe më shumë dhimbjen e familjeve./CNA





Lajmet e fundit nga