web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sfidat në sistemin shëndetësor/ Manastirliu: Reforma spitalore do të ketë më shumë iniciativa financiare

6 Mars 2023, 10:30, Shëndeti CNA
Sfidat në sistemin shëndetësor/ Manastirliu: Reforma spitalore do
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka folur në Kongresin e Shëndetësisë për sistemin shëndetësor dhe të gjitha sfidat dhe krizat që ka kaluar pëgjatë këtyre 10 viteve.

Gjatë fjalës së saj, ministrja deklaroi se do të vijojë misioni për të ecur me hapa të shpejtë në shëndetësi.

Ajo ka deklaruar se qeveria do të vazhdojë me mbështetjen ndaj mjekëve dhe profesionistëve.

Gjithashtu nënvizoi se nga fillimi i qeverisjes kanë rritur me 63% pagat e mjekëve. Më tej u shpreh se Reforma Spitalore do të mundësojë edhe më shumë iniciative financiare.

Qëllimi ynë është ndërtimi i një platforme interaktive komunikimi. Sepse ne duam që shëndetësinë e së ardhmes, ta ndërtojmë duke analizuar pikësëpari zhvillimet e derisotme.

Si, për shembull, mësimet e krizave të njëpasnjëshme që na kanë goditur me një intensitet që rrallë është parë në histori. Që nga tërmeti, te pandemia, e deri te pasojat e luftës 1-vjeçare, në Ukrainë.

Ashtu sikurse duam të shohim dhe vlerësojmë praktikat më të mira për shëndetin publik, parandalimin e sëmundjeve, aksesin në shërbim shëndetësor, problemet e shëndetit mendor, inovacionin, digjitalizimin.

Duam të gjejmë qasjet e duhura përballë sfidave që po ndesh sot jo vetëm Shqipëria, por edhe rajoni dhe Europa, si për shembull zhvillimet demografike, moshimi dhe mobiliteti i profesionistëve.

Nga pikënisja rritëm me 63% pagat e stafeve mjekësore, aplikuam bonusin e mjekëve që punojnë larg vendbanimit, ndërsa jemi zotuar të vijojmë rritjen e pagave për profesionistët e shëndetësisë.

Reforma spitalore, me modelin e ri të autonomisë spitalore do të mundësojë më shumë incentiva financiare për mjekët, nga pagesat për performancë dhe praktikën dyfishe.

Po adresojmë në dinamikë sfidën e mobilitetit të personelit shëndetësor, një sfidë që ka prekur jo vetëm vendet e rajonit, por edhe ato të BE-së, me synim mbajtjen e profesionistëve në vend dhe zhvillimin e programeve për përthithjen e atyre që sot punojnë jashtë të përfshira këto si pjesë e Planit të Masave per Zhvillimin e Burimeve Njerëzore 20-30, për të plotësuar nevojat në të ardhmen, për profesionistë të shëndetësisë.

Përballë kësaj sfide ne kemi mundur të ruajmë ekuilibrin, falë specializimeve të hapura çdo vit. Përmes tyre kemi mundur të integrojmë më shumë se 400 specialistë në spitalet rajonale.

Falë punësimit në mënyrë transparente dhe mbi baza meritokracie, mbi 5500 profesionistë të mjekësisë ushtrojnë profesionin e tyre në çdo cep të vendit.

Dhe sot më shumë se kurrë zhvillimi i burimeve njerëzore orientohet drejt inovacionit dhe DIGJITALIZIMIT, që veprojnë si katalizator të domosdoshëm për rritjen e aksesit në kujdes shëndetësor, përmirësim të rezultateve për pacientin, ulje të kostove, rritje të kapaciteteve kërkimore për profesionistët.

Eksperienca e viteve të fundit ka dëshmuar se shërbimet digjitale e kanë ndihmuar shpejtimin e ritmit të reformave në shëndetësi, me shembuj konkretë, që nga receta elektronike, deri te menaxhimi i informacionit spitalor.

Duke qenë në një ambient profesionistësh dhe ekspertësh të fushës, kam bindjen se janë disa pyetje që ju me të drejtë mund t’i ngrini: Si për shembull: Ç’ndryshim kanë sjellë investimet e bëra, shërbimet e shtuara, pajisjet e reja, mjekët e rinj në përmirësimin e atyre treguesve që matin cilësinë e kujdesit shëndetësor?

Fakt është se Shqipëria ka jetëgjatësinë mesatare më të lartë në rajon. Kemi reduktuar ndjeshëm fatalitetet foshnjore dhe amëtare, dhe kemi një mbulim të mirë të kujdesit shëndetësor prenatal ne me mbulimin vaksinal mbetemi në vendet e para.

Shqipëria, falë reformave dhe politikave të ndërmarra për parandalimin, kapjen e hershme dhe trajtimin efikas të SJT, është në rrugën e duhur për arritjen e objektivit për reduktimin me 1/3 e fataliteteve të parakohshme deri në 2030.

Janë këto disa tregues që na bëjnë optimistë që rritja e qëndrueshme e financimit publik për shendetësinë, investimet në cdo hallkë të sistemit, përpjekjet e përbashkëta të përditshme për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor po sjellin rezultatet e pritshme për shëndetin e qytetarëve.

Janë thjesht prova të vullnetit që kjo qeveri ka për ta ndryshuar sistemin me rrënjë. Dhe nuk kemi mbaruar. Tani kemi hyrë në një tjetër fazë.

Një fazë ku ritmi duhet të jetë më i shpejtë. Vendosmëria më e madhe. Cilësia edhe më e lartë.

Një fazë e re, të cilën e nisim me vetëdijen e plotë se probleme për t’u zgjidhur ka plot dhe se disa prej sfidave që na presin, mund të jenë edhe më të mëdha se ato që kemi lënë pas”, ka thënë Manastirliu./ CNA.al





Lajmet e fundit nga