web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Shqyerja nën emrin hapje është fatale"/ Letra e hapur e Murrizit për situatën në PD, kërkesat ndaj Berishës

5 Mars 2024, 11:55, Politikë CNA
"Shqyerja nën emrin hapje është fatale"/ Letra e hapur
Myslym Murrizi

Ish-deputeti Myslim Murrizi ka publikuar një letër të hapur për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike. Ai teksa i drejtohet Sali Berishës thekson se hapja e partisë është domosdoshmëri, por shqyerja e saj nën emrin hapje është fatale.

Ai drejtohet Berishës, teksa i thekson se duhet mbledhur një Kuvend Kombëtar i jashtëzakonshëm që të anulojë disa vendime të Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021, sepse të gjithë këta janë të përjashtuar.

"Në këtë Kuvend le të rizgjidhet një Këshill i ri Kombëtar sepse mbi 30% e të zgjedhurve në 30 prill 2022 nuk janë as fizikisht e as politikisht aktivë e funksionalë. Këshilli i ri Kombëtar pastaj të zgjedhë Kryesinë e re dhe Sekretariatet, e në këtë garë le të kandidojë kush të dojë, por kushdo që kërkon dhe aspiron për post, duhet të vijë vetëm nëpërmjet votës se ndryshe tallemi me veten dhe me çdo demokrat e çdo opozitar kudo që është", shprehet ai. 

Ish-deputeti thekson se dyshon shumë në afrimet mes grupeve që po ndodhin brenda PD-së.

"Nuk ka sinqeritet, në këtë bashkim mekanik dhe fals që pas kësaj lëvizjeje ka qëllime të tjera, përsëri me sforco do ta pranoja nëse çdo gjë vjen nga gara dhe nga vota, ndryshe bëhemi më keq se ç’ishim dhe me keq se Rilindja", shprehet ai. 

Reagimi i plotë: 

Për arsye personale nuk do të jem sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por siç thonë “elita” drejtuese apo kupola që ka marrë në dore frenat e Rithemelimit, unë nuk rri dot pa folur apo pa i bezdisur në rehatinë e tyre, ndaj po ju drejtohem publikisht, edhe pse e di që nuk ju vjen mirë.

KUSH HARRON SHPEJT, GABON SHPESH DHE ZHGËNJËHET SHUMË

Që Foltorja të mos kthehet në Faltore, Rithemelimi në Rikthim mbrapa, Konservatorizmi në Konservë të prishur, Vota në Emërim dhe Partia në grupim njerëzish që ia fusin njëri-tjetrit, po ju drejtohem publikisht kujtdo që do dhe di të lexojë pa hile dhe pa mllef duke ju sjellë në kujtesë këtë vd turpi në historinë 34-vjeçare të PD-së.

I Nderuar Doktor Berisha

Të Nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar

Të Nderuar DEMOKRATË kudo që jeni, por në veçanti ju delegatë të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 dhe të 30 prillit 2022

Po ju drejtohem publikisht me disa pyetje që kanë në thelb sjelljen me dy standarde jashtë statutore për një grup të ngushtë njerëzish që për hatër të pazareve të pista katapultohen jashtë çdo norme morale të artikuluar në çdo takim qysh nga data 9 shtator 2021 kur të gjithë këta në bllok përjashtuan Berishën dhe deputetët që mbështetën Berishën në fillimet e FOLTORES.

Po ju drejtohem ju Doktor se është e kotë të pyes Flamurin, Edin, Oertin, Luçianon, Albanën apo cilindo nga 25 anëtarët e Kryesisë apo 12 sekretarët e zgjedhur me votim nga Këshilli Kombëtar, pasi e di mirë që pothuajse të gjithë do ngrenë supet dhe do drejtojnë gishtin nga ballkoni juaj.

Hapja e partisë është domosdoshmëri, por shqyerja e saj nën emrin hapje është fatale.

Jam dakord që Foltorja të jetë Faltore për cilindo që kërkon të kontribuojë si opozitar, por pa shkelur asnjë rresht të statutit dhe pa e bërë statutin qesharak apo letër pa vlerë sa herë që na duhet për të përkëdhelur dikë.

Jam dakord që Rithemelimi të quhet edhe Rikthimi, por jo të kthehet përmbys çdo gjë e bërë për hatër të kënaqjes se 10 personave sepse Partia është shumë më e madhe se kaq dhe anëtarësia është shumë më shumë e vlefshme se cilido prej nesh.

Jam dakord që mund të ndryshojmë programin dhe boshtin ideologjik të partisë dhe nga konservatore që u tha mund të qëndrojmë ne qendër e djathtë, por jo nga konservatore ta kthejmë në parti konservash.

Jam dakord që fraksionet të kenë përfaqësuesit e tyre në çdo organ drejtues, por jo fraksioneve t’u lihet shumica dhe shumica të dalë fraksion.

Të gjitha sa thashë më lart duhen zgjidhur brenda një morali të pranuar se ndryshe morali që japim për vetën dhe për çdo opozitar është amoraliteti i theksuar dhe frika apo zbythje nga frika apo nga interesi nga çdo parim që është artikuluar prej 9 shtatorit 2021 ose tregojmë mungesë karakteri në çdo gjë që themi duke bërë zero besimin për t’u qëndruar parimeve, moralit, karakterit, dinjitetit dhe së fundi statutit.

Me bindjen e plotë që nga ky shkrim do mërziten “të falurit”, “të rikthyerit” dhe më shumë sesa këta vetë do mërziten servilët e pështirë, mjeranët, vemjet dhe “skllevërit” që nuk mendojnë kurrë, por duartrokasin çdo gjë që thotë lideri, që të duan kur të do lideri, të urrejnë e të shajnë kur nuk të do lideri, as ma ndien fare siç nuk ma ka ndier në këto 34 vite, sepse kurrë nuk bej “pazar” me LIRINË time për hatër të çdo karrigeje të qelbur kudo që ajo mund të jetë, kur karriges i vjen era qelbësirë.

I Nderuar Doktor Berisha

E para, duhet mbledhur një Kuvend Kombëtar i jashtëzakonshëm që të anulojë disa vendime të Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021, sepse të gjithë këta janë të përjashtuar.

E dyta, në këtë Kuvend le të rizgjidhet një Këshill i ri Kombëtar sepse mbi 30% e të zgjedhurve në 30 prill 2022 nuk janë as fizikisht e as politikisht aktivë e funksionalë.

Sipas statutit të gjithë deputetët janë automatikisht anëtarë të Këshillit Kombëtar, por pasi të anulohet përjashtimi i tyre.

Këshilli i ri Kombëtar pastaj të zgjedhë Kryesinë e re dhe Sekretariatet, e në këtë garë le të kandidojë kush të dojë, por kushdo që kërkon dhe aspiron për post, duhet të vijë vetëm nëpërmjet votës se ndryshe tallemi me veten dhe me çdo demokrat e çdo opozitar kudo që është.

Sa për numrin e nënkryetareve, anëtarëve të Kryesisë, Sekretariateve nuk ka asnjë rëndësi nëse do jenë 4-6-10 apo 25, por secili duhet të zgjidhet me votë.

Po shkelëm statutin ose po e ndryshuam atë për çdo të zemëruar atëherë do të zemërohen të gjithë ata që ndihen të poshtëruar, të përdorur, të tradhtuar apo të prerë në besë nga ajo çfarë ka shërbyer si kauzë në këtë periudhë qysh më 9 shtator 2021.

Sinqeriteti im nuk i bën dëm askujt dhe fatkeqësisht koha ka treguar që kam pasur të drejtë në çdo reagim, qëndrim apo mendim timin të shprehur si brenda strukturave ashtu edhe publikisht, edhe pse larot politikë sezonalë më kanë etiketuar me ligësinë e gjuhës së tyre lëpirëse që nuk njeh kufij se çfarë lëpijnë dhe sa lëpijnë.

Pse Flamuri, Edi, Oerti, Luçiano dhe 20 anëtarët e tjerë të Kryesisë pranuan garën dhe votën e Këshillit Kombëtar, ndërsa Gazi, Agroni apo Jorida e të tjerë duhet të “gradohen” pa votë????

Cili është ndryshimi mes tyre dhe çfarë kanë më shumë apo më të rëndësishme grupi i dytë nga të parët?????

Nëse kjo bëhet atëherë cili është morali që përcjellin për të tjerët?

Apo kush shan më shumë, kush mashtron më shumë, kush rreh apo u hedh gaz lotsjellës demokratëve dhe kush e dredh më shumë për interesa të menderes së tij, respektohet, vlerësohet, gradohet dhe promovohet pa garë????

Edhe pse dyshoj shumë në këtë “afrim” të tillë që nuk ka sinqeritet, në këtë bashkim mekanik dhe fals që pas kësaj lëvizjeje ka qëllime të tjera, përsëri me sforco do ta pranoja nëse çdo gjë vjen nga gara dhe nga vota, ndryshe bëhemi më keq se ç’ishim dhe me keq se Rilindja.

Qofsha i gabuar, por qershori është afër dhe “ëndrra” e kujtdo tinëzari do dalë në shesh megjithëse për kategorinë e tyre që lëpijnë pa problem çfarë kanë pështyrë asgjë nuk është tabu.

Unë jam rikthyer në Këshill Kombëtar me votat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të 30 prillit 2022, pasi ky Kuvend miratoi rezolutën që njihte si gabim fatal djegien e mandateve dhe faljen e 60 bashkive Ramës, por kurrë nuk do pranoja pa votim të delegatëve dhe pa u kërkuar ndjese për lajthitjen kolektive të shkurtit 2019.

Jam rikthyer për të kontribuuar në opozitë për një forcë politike të qëndresës së djathtë, që ka në themel të saj VOTËN në çdo garë dhe që nuk bën pazar me moralin e asaj çfarë është thënë publikisht e është sanksionuar në statut.

I Nderuar Doktor Berisha

Uroj e shpresoj që të harxhosh 10 minuta kohë që ta lexosh pa dyshime “armiqësore” jashtë çdo ngarkese negative dhe jo si “sms”-në e një thashethemexhiu që kërkon të bjerë në sy si një njeri që ju do të mirën, por si fjalë zemre të një njeriu që ka kontribut në këtë forcë politike qysh nga data 8 dhjetor e që në 34 vite pluralizëm ka qenë në pushtet vetëm 5 vjet 1992-1997, e prej 27 vitesh opozitar me dëshirë e koshiencë të plotë në mbrojtje të bindjeve të tij si një QYTETAR I LIRË që nuk ka ndërmend të ndryshojë KURRË për askënd dhe për asgjë dhe që mban qëndrim të palëkundur me parimet morale të karakterit, dinjitetit dhe shpirtit të lirë.

Të Nderuar Anëtarë të Këshillit Kombëtar

Heshtja vret më shumë se fjala, hipokrizia dhe konformizmi hipokrit, dëmton më shumë se çdo e vërtetë sado e hidhur që të jetë.

Prandaj mos heshtni dhe mos ngrini duart lart e të duartrokisni për çdo shkatërrim të asaj që është arritur fale qëndresës dhe sakrificës suaj dhe të çdo DEMOKRATI në këto 11 vite të pështira dhe vështira të opozitës së pazareve të pista për interesa të ngushta të individëve skuthë që nuk kanë kufij morali dhe shtyllë kurrizore.

U bëj thirrje atyre anëtarëve të Këshillit Kombëtar që e dinë mirë se çfarë do të thotë të shkelësh votën e të jesh me dy standarde.

Kjo letër e gjatë publike nuk është për ata që i servilosen Berishës e që nëpër tavolina i thonë njër-tjetrit se sa të bashkohen se pastaj do jua fusë Doktori këtyre, e as për ata që shohin Gazin si perëndi dhe shpëtimtar e që i thonë njëri-tjetrit që Gazi është shumë i zoti dhe sa të fusë këmbët, por shihni kur t’ja fusë Berishës sa tëi heqin mandatin Berishës.

Unë nuk shkruaj dhe nuk flas kurrë për ata që në mendje kanë të futmen dhe si zgjuarsi quajnë pabesinë, sepse e di shumë mirë që nëse rrezatojmë këtë moral dhe shfaqemi para Shqiptarëve sikur bëjmë politikë të madhe duke ia futur njëri-tjetrit në kohë të ndryshme, rrini pa merak se do na e fusin Shqiptarët sa krahu në 2025 përsëri dhe unë nuk jam “trim” e “guximtar” që të përkëdhelem apo ta marr si “respekt” të futmen.

Do të kërkoja shumë miqësisht që secili opozitar, demokrat, anëtar apo i zgjedhur në forumet drejtuese ta lexojë me sytë dhe mendjen e tij, jo si vasal apo skllav i mendimeve të të tjerëve dhe do me jepni të drejtë shumë shpejt, sepse sot e di që do më shani siç keni bërë disa herë, por unë ju kam mirëkuptuar ngaqë nuk kam ndërmend të ndryshoj kurrë.

Vetëm kur shoh këto pamje ndiej keqardhje se ku e kanë katandisur opozitën servilët që për karrigen e tyre të dhjerë janë gati të bëjnë çdo maskarallëk./CNA 





Lajmet e fundit nga