web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

VKM/ Miratohet vendimi për shpronësime për interes publik në Rinas dhe Vlorë

10 Korrik 2025, 19:25, Politikë CNA

VKM/ Miratohet vendimi për shpronësime për interes publik në

Qeveria shqiptare ka miratuar sot vendimin për shpronësime për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizime të projekteve me rëndësi publike.

Dy vendimet bëjnë fjalë për shpronësime në dy zona të vendit, në Rinas dhe Vlorë.

V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.20, DATË 17.1.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “LIDHJA E RRUGËS TRANSBALLKANIKE ME PORTIN DETAR”, VLORË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Lidhja e Rrugës Transballkanike me Portin Detar”, Vlorë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 182 020 370.86 (njëqind e tetëdhjetë e dy milionë e njëzet mijë e treqind e shtatëdhjetë pikë tetëdhjetë e gjashtë) lekë …” zëvendësohet me “… 200 831 026.08 (dyqind milionë e tetëqind e tridhjetë e një mijë e njëzet e gjashtë pikë zero tetë) lekë …”;

b) Në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

i. Të dhënat për shpronësimin, që u përkasin numrave rendorë 17 dhe 18, zëvendësohen me të dhënat e pasqyruara në numrin rendor 17 të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

ii. Të dhënat për shpronësim të numrave rendorë 28, 29 dhe 43 të tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

iii. Tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, i shtohen pasuritë me numra rendorë                   51-55 të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.  Pronarët e pasurive me numrat 32/589 dhe 32/134+1-10, që janë likuiduar sipas vlerës së përcaktuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, vetëm për diferencën e vlerës së shtuar të kompensimit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Vlorë.

4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.384, DATË 29.6.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRUGËS  SË ISH-REPARTIT USHTARAK PËR NË AEROPORTIN E RINASIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.384 datë 29.6.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikën 3, fjalët “… vlera e përgjithshme prej 477 120 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëzet) lekësh.” zëvendësohen me                  “… vlera e përgjithshme prej 1 482 432 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e dy mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekësh.”;

b) Pika 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 482 432 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e dy e mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekësh përballohet, si më poshtë vijon:

a) Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 477 120 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëzet) lekësh përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;

b) Vlera shtesë prej 1 005 312 (një milion e pesë mijë e treqind e dymbëdhjetë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.

c) Kudo në përmbajtje të vendimit, fjalët “pronarit të pasurisë së paluajtshme”, “pronari i pasurisë së paluajtshme” dhe “pronarit të shpronësuar” zëvendësohen përkatësisht me “pronarëve të pasurisë së paluajtshme”, “pronarët e pasurive të paluajtshme”, “pronarëve të shpronësuar”.

ç) Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.384, datë 29.6.2023, të Këshillit të Ministrave, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Bashkëpronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën shtesë që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

3. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e bashkëpronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

4. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë – Vorë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./CNA





Lajmet e fundit nga