web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Largim nga PS dhe dalje si i pavarur?/ Përgjigjet deputeti Erion Braçe

23 Qershor 2026, 18:51, Politikë CNA

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe iu përgjigj sot zërave për një largim të mundshëm nga Grupi Parlamentar i PS-së dhe daljen si i pavarur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe ka mohuar idenë e një vendimi të tillë në të ardhmën, ndërsa detajon edhe arsyet.

Braçe sqaron se do të vijojë në partinë në të cilën bën pjesë prej 35 vitesh, teksa siguroi se nuk ka rezerva ndaj të shprehurit të vërtetave brenda PS-së, por edhe të thëna në sy drejt Edi Ramës.

Deklarata e plotë:

Fjala ime-Përgjigje për tre gjëra:

Unë jam socialist, nuk bëhem i pavarur. Jam partizan, jo neutral, mbaj qëndrime. Nuk dal mënjanë!

Unë jam deputet i zgjedhur në tiranë, nuk jam prej listës, kam bërë deputetin, bëj deputetin. Do vijoj të bëj deputetin, nuk dorëhiqem!

Do vijoj t’i rri përballë partisë sime, duke thënë të vërtetën, duke kërkuar llogari, kritikuar, debatuar, kundërshtuar, propozuar, miratuar aty, sy më sy e nga çdo cep i territorit që mbuloj si deputet; pra nuk kam nevojë për protestën e nuk dua kapital politik prej saj!

Askush nuk do ta besonte që, po të ikja nga grupi i PS-së, do isha i pavarur, edhe ata që ma shkruajnë këtë; unë jam në PS prej themelimit, kam milituar në të për 35 vite, kam jetuar në të e punuar bashkë me të, kam bërë beteja aty e prej aty, si socialist, duke mbajtur qëndrime e pa qenë kurrë neutral, domethënë i pavarur.

Ndërkohë kam bërë deputetin, bëj deputetin e do vijoj të bëj deputetin, jo vetëm në Njësinë 5, por në të gjithë Tiranën. Nuk ka sot njeri në njësinë time që s’e di kë ka deputet. Nuk ka sot njeri në Tiranë që të mos dijë që unë jam deputet i këtij qarku. Nuk gjen njeri të thotë që deputeti nuk më ka ardhur në njësi, lagje, bllok, rrugë, rrugicë, shesh poshtë pallatit; që të thotë deputeti nuk më është përgjigjur, nuk më ka përfaqësuar në Kuvend për hallet e shqetësimet e mia apo të lagjes. Pra kam bërë punën, bëj punën, do bëj punën, nuk dorëhiqem e do respektoj 25 mijë njerëzit që votuan e më besuan këtë punë.

Në fund, doemos që do vijoj t’i rri përballë partisë sime për të vërteta që refuzon t’i shohë apo i ka jashtë çdo agjende për 1001 arsye, përfshi shpërfilljen, përjashtimin apo arrogancën; kam hapësirën e mjaftueshme për ta bërë këtë pa asnjë rezervë, siç të shtunën, sy më sy me kryeministrin e qeverinë. Pra nuk kam nevojë të jem në protestën me 7-8 agjenda - disa primitive e shumë të rrezikshme për këtë vend, por e bëj përballë e sy më sy, duke qenë i përgjegjshëm, duke marrë e kërkuar përgjegjësi!/CNA

 





Lajmet e fundit nga