web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Festa mos mbulojë hallin

7 Mars 2015, 20:14, Aktualitet CNA

 

Mirë mo mirë Gëzuar ! Falemnderit për urimet !

Por po ta dinit nxënësit se në çfarë derexheje është katandisur në këto vite arsimi, si po vazhdon rrokullimën dhe ende nuk duket asnjë strategji daljeje,

në vend të buqetave me lule do të na kishin dhuruar gëmusha me gjëmba,

në vend të thasëve me patate, trasta me gurë,

dhe në vend të deodoranteve bidona me naftë që vjen aromë zifti?

Mos e transformojmë ditën e 7 marsit nga një ditë reflektimi të rëndë për shkollën tonë në kohë të vështira, në një ditë feste dhe krijim idhujsh që fshehin realitetin e rëndë, dijen e prapambetur dhe arsimin në gjendje të mjeruar.

Pas idhujtarisë, fshihet realiteti.

Të mbysin me fjalë morale respekti, përunjeje sapo nis të jesh kritik. Sikur dëshëron njeri të jetë kritik !

Ku e ke respektin mo??? ? të bërtasin. Pse nuk na lë rehat të na duan mo duke e shprehur dashurinë me dhurata???

Cfarë ke mo?

Pushteti këtë 7 mars nuk na tha asgjë për arsimin, kurse opozita ngriti probleme të drejtorive arsimore ku janë kapur disa me presh (euro) në dorë?

Po nuk është aty problemi. Ajo është një pikë ujë.

Arsimi vazhdon dhe mbetet në pikë të hallit.

Me ca përjashtime tekstet janë qesharakë.
Tekste për mësuesin nuk ka.
Procesi i kualifikimit të mësuesve u shndërua në testim. Pash Zotin çfarë të testosh!!!
Bibliotekat e shkollave për faqe të zezë.
Laboratoret e kimisë, fizikës, anatomisë, beter, lidhja në Internet dhe përdorimi i internetit në programet mësimore në pikë të hallit.
Duken si kurse kundër analfabetizmit të ngritura nga Shkurtat sublime të Malësisë pas Luftës të Dytë Botërore, që i masakruan burrat maçistë.
Palestrat e munguara, formimi human në fund, kurse mësimi i gjuhës shqipe do ta kishte ngritur nga varri Naimin duke e bërë të vinte vërdallë si somnabul nëpër rrugët e Tiranës, mes veturave, për të gjetur dyer për të trokitur :

Jam Naimi, po ju kush jeni???
Ik o Naim na lër rehat për kokën tënde!

Cfarë po bëjmë kështu???

Do ta shuajmë hallin me festë, me saze, me daulle, me urime, me birrë e verë?

Moisiu iku nga halli të merrte këshillat e Zotit, sepse donte të nxirrte të tijtë nga halli, por kur u kthye ata po festonin, kishin ngritur monumentin e Lopës prej ari dhe i faleshin lopës.

Halli prodhon festa, orgji, histeri festive.

Kujdes është e rrezikshme festa në hall!

Dhe cave këtu u duket vetja si qiri nga ai i Naimit që po digjen për të bërë pak dritë në shkollë ???

E dini se cili është niveli i dijeve që i jepen nxënësit shqiptar në krahasim me atë europian? Po pse mos popull padije do të jemi ne në tridhjetë vitet e ardhshme??? Larg dijes. Kush e merr përsipër këtë dramë që të prishë të ardhmen e jetës të brezit që nesër do të jetë i paditur.

Hajde ta mbarojmë festën sot, shpejt e shpejt, ashtu sa për të thënë, e nesër, pasi të kemi mbaruar së qëruari thesin me patate, t?i përvishemi punës.

Përndryshe vitin tjetër në 7 mars do të meritojmë gjëmba dhe hithra!





Lajmet e fundit nga