web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Europianët kërkojnë më shumë pavarësi teknologjike nga SHBA-ja dhe Kina

24 Qershor 2026, 09:19, Kosova & Bota CNA

Europianët kërkojnë më shumë pavarësi teknologjike

Qytetarët e Bashkimit Europian po mbështesin gjithnjë e më shumë idenë e forcimit të sovranitetit digjital të Europës, ndërsa shqetësimet për varësinë nga kompanitë teknologjike amerikane dhe kineze po rriten. Sipas raportit të fundit të Eurobarometrit, shumica e europianëve dëshirojnë që BE-ja të investojë më shumë në infrastrukturë dhe shërbime digjitale të kontrolluara nga vetë blloku.

Aktualisht, rreth 80% e infrastrukturës dhe teknologjisë digjitale të përdorur në Europë vjen nga jashtë BE-së. Tregu dominohet nga kompani amerikane si Google, Microsoft dhe Apple, si dhe nga gjigantë kinezë si Alibaba dhe ByteDance, pronari i platformës "TikTok".

Mbështetja më e fortë për investimet në teknologji europiane vjen nga vendet nordike. Në Suedi, 94% e të anketuarve besojnë se BE-ja duhet t’i japë përparësi zhvillimit të infrastrukturës digjitale europiane, e ndjekur nga Finlanda me 93% dhe Danimarka me 92%.

Po ashtu, shumica e qytetarëve të BE-së kërkojnë uljen e varësisë nga teknologjitë e huaja. Ky qëndrim është më i theksuar në Suedi, ku 88% e të anketuarve mbështesin këtë ide, si dhe në Gjermani, Danimarkë, Finlandë dhe Luksemburg, ku përqindja arrin në 87%.

Sipas studiuesit suedez Johan Linaker, ndjenja e urgjencës për sovranitet digjital është forcuar nga zhvillimet gjeopolitike. Ai përmend Danimarkën si një shembull, ku debatet lidhur me Groenlandën kanë nxitur iniciativa publike si fushata “Danmark Skifter”, e cila promovoi përdorimin e platformave alternative dhe reduktimin e varësisë nga kompanitë e mëdha teknologjike.

Megjithatë, gatishmëria për të kaluar te shërbimet digjitale me bazë në BE ndryshon nga një vend në tjetrin. Danezët rezultojnë më të gatshëm të paguajnë më shumë për shërbime europiane, me 76% mbështetje, të ndjekur nga suedezët dhe kroatët me nga 73%. Në anën tjetër, estonezët, bullgarët dhe çekët shfaqin më pak entuziazëm për këtë ndryshim.

Siguria më e lartë dhe besueshmëria më e madhe konsiderohen faktorët kryesorë që mund të bindin qytetarët të zgjedhin alternativa europiane. Ndërsa mbrojtja më e mirë e të dhënave personale mbetet një tjetër arsye e rëndësishme, veçanërisht në Austri, Holandë, Irlandë dhe Portugali.

Ndërkohë, Bashkimi Europian po ndërmerr hapa konkretë për të forcuar pavarësinë teknologjike. Komisioni Europian ka prezantuar së fundmi një paketë për sovranitetin teknologjik, e fokusuar në zhvillimin e cloud-it, inteligjencës artificiale, teknologjive me burim të hapur dhe prodhimit të çipave. Paketa synon të zvogëlojë rrezikun që shërbime kritike, si ato në sektorin e shëndetësisë apo mbrojtjes, të varen nga vendime të qeverive të huaja ose kompanive jashtë Europës.

Ekspertët theksojnë se qëllimi nuk është zëvendësimi i plotë i teknologjive të huaja, por krijimi i kapaciteteve të nevojshme për të menaxhuar rreziqet dhe për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës digjitale europiane./ CNA





Lajmet e fundit nga