web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kongresi miraton për herë të parë masën e fuqive të luftës/ I kërkon Trump të ndalojë operacionet në Iran

24 Qershor 2026, 07:31, Kosova & Bota CNA

Kongresi miraton për herë të parë masën e fuqive

Senati i SHBA-së, i kontrolluar nga republikanët, ka miratuar me 50 vota pro dhe 48 kundër një rezolutë që i kërkon presidentit amerikan, Donald Trump, të ndalojë operacionet ushtarake kundër Iranit ose të kërkojë miratimin e Kongresit për vazhdimin e tyre.

Disa senatorë republikanë iu bashkuan demokratëve në votim, ndërsa e njëjta masë ishte miratuar edhe më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së.

Megjithatë, rezoluta ka karakter kryesisht simbolik, pasi nuk do t’i dërgohet presidentit për nënshkrim dhe nuk ka fuqi ligjore detyruese. Ajo shpreh qëndrimin politik të Kongresit, por nuk e detyron administratën të ndryshojë kursin e saj.

Presidenti Trump reagoi ashpër pas votimit, duke e quajtur rezolutën “të pavend dhe pa kuptim”. Në një postim në platformën e tij, ai tha se senatorët e kanë bërë punën e tij më të vështirë, por se do të arrijë objektivat e tij “në një mënyrë ose në një tjetër”.

Sipas analistëve, votimi pasqyron pakënaqësinë e publikut amerikan ndaj konfliktit me Iranin, veçanërisht pas rritjes së çmimeve të karburanteve. Ekspertja e Lindjes së Mesme, Laura Blumenfeld, e përshkroi rezolutën si “më shumë një goditje në kyç sesa një prangë”, duke nënvizuar mungesën e efektit ligjor.

Katër senatorë republikanë – Rand Paul, Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Bill Cassidy – votuan në favor të rezolutës së bashku me demokratët. Ndërsa demokrati John Fetterman ishte i vetmi nga partia e tij që votoi kundër.

Administrata Trump argumenton se armëpushimi i arritur me Iranin më 7 prill ka ndërprerë armiqësitë dhe se nuk ekziston më një konflikt aktiv nga i cili duhet të tërhiqen forcat amerikane. Aktualisht, SHBA-ja dhe Irani po punojnë për një marrëveshje më të gjerë që synon t’i japë fund programit bërthamor iranian, pas një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar javën e kaluar.

Votimi në Senat konsiderohet një sinjal i rëndësishëm politik dhe një tregues i ndarjeve brenda Partisë Republikane, ndërsa vendi po afrohet drejt zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit. /CNA





Lajmet e fundit nga