web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kriza në Britani/ Gazetari Kujtim Vani për CNA TV: Si preken shqiptarët nga stuhia politike

19 Maj 2026, 10:57, Aktualitet CNA

Mbretëria e Bashkuar është përfshirë nga një krizë e ashpër politike, ku lëkundjet e Partisë Laburiste në pushtet po ndodhin paralelisht me rritjen historike të së djathtës radikale të udhëhequr nga Nigel Farage. Për të analizuar këtë situatë dhe ndikimin mbi shqiptarët, CNA TV zhvilloi një intervistë me gazetarin Kujtim Vani, i cili jeton dhe punon në Britaninë e Madhe.
Pakënaqësia brenda Partisë Laburiste ka shpërthyer në revoltë të hapur, ku rreth 90 deputetë kërkojnë largimin e Keir Starmer pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale.

Kriza në Britani/ Gazetari Kujtim Vani për CNA TV: Si preken
Keir Starmer

Vani theksoi se dobësimi i kryeministrit rrit pasigurinë për shqiptarët, pasi politikat e emigracionit po përdoren si mjet për të shpëtuar karriera politike.

"Ky rebelim nuk erdhi brenda natës, pasi pakënaqësia kishte muaj që po rritej brenda Partisë Laburiste, por shpërtheu pas rezultatit shumë të dobët të zgjedhjeve lokale. Shumë deputetë mendojnë se Keir Starmer nuk po arrin të krijojë një identitet të qartë politik për qeverinë dhe se po humbet elektoratin tradicional të së majtës, ndërsa në të njëjtën kohë nuk po ndalon dot rritjen e Nigel Farage dhe Reform UK. Ka gjithashtu kritika për stilin e tij të drejtimit, që konsiderohet shumë i centralizuar dhe i shkëputur nga baza e partisë, ndërsa dorëheqja e disa ministrave tregoi se kriza nuk ishte më vetëm pakënaqësi e brendshme, por një sfidë direkte ndaj autoritetit të tij", tha Vani.

Ndonëse Starmer refuzon të dorëhiqet, autoriteti i tij, sipas gazetarit, është dëmtuar rëndë dhe rivalët po përgatiten për t'i marrë vendin.

"Starmer për momentin po përpiqet të tregojë forcë dhe stabilitet, por kur 90 deputetë kërkojnë largimin tënd, autoriteti politik dëmtohet rëndë. Nëse sondazhet vazhdojnë të bien dhe rebelimi zgjerohet, presioni do të bëhet pothuajse i papërballueshëm. Megjithatë, Britania nuk shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme vetëm sepse partia në pushtet ka krizë lidershipi, pasi më shumë gjasa ka që Laburistët të përpiqen të zëvendësojnë liderin pa rrëzuar qeverinë. Keir Starmer po përpiqet të projektojë stabilitet dhe kontroll, por kur dhjetëra deputetë të partisë fillojnë të flasin hapur për zëvendësimin e liderit, kjo tregon se autoriteti i tij është dobësuar ndjeshëm. Figura si Wes Streeting dhe Andy Burnham po përmenden gjithmonë e më shumë si alternativa të mundshme, jo domosdoshmërisht sepse kanë shpallur kandidaturën, por sepse brenda Partisë Laburiste po rritet ideja se partisë i duhet një figurë e re për të rikthyer besimin e elektoratit. Sa gjatë mund të rezistojë Starmer do të varet nga sondazhet, uniteti i partisë dhe ekonomia, e nëse Laburistët vazhdojnë të humbasin mbështetjen dhe rebelimi zgjerohet, presioni mund të bëhet i papërballueshëm brenda disa muajve. Por nëse ai arrin të stabilizojë qeverinë dhe të shmangë dorëheqje të tjera, mund të fitojë kohë, ndonëse në politikën britanike historia ka treguar se kur një lider humbet besimin e grupit parlamentar, fundi zakonisht vjen më shpejt sesa pritet", tha Kujtim Vani.

Partia Reform UK ka korrur një sukses historik në zgjedhjet lokale. Gazetari Kujtim Vani tha se Farage po kapitalizon mbi zemërimin popullor ndaj emigracionit, çka e vendos komunitetin shqiptar nën një lupë agresive mediatike, pasi ai i përdor shpesh shqiptarët si ilustrim në fjalimet e tij.

Kriza në Britani/ Gazetari Kujtim Vani për CNA TV: Si preken
Nigel Farage

"Farage ka kuptuar diçka që partitë tradicionale nuk e panë me kohë, që është zemërimi i madh në një pjesë të elektoratit britanik ndaj emigracionit, kostos së jetesës dhe elitave politike në Londër. Ai po paraqitet si figura antiestablishment, një rol që e përdori me sukses edhe gjatë Brexit-it. Reforma UK nuk shihet më vetëm si parti proteste, sepse ka filluar të fitojë terren konkret në zgjedhjet lokale dhe po tërheq votues si nga Konservatorët, ashtu edhe nga Laburistët, përmes një komunikimi shumë emocional, të drejtpërdrejtë dhe shpesh polarizues që funksionon mirë në periudha pasigurie ekonomike dhe politike", tha Kujtim Vani.

Farage ka propozuar dëbimin e 600,000 emigrantëve dhe largimin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por a është ky një plan që vlerësohet më shumë si një retorikë për të fituar vota, sesa një projekt që mund të gjejë zbatim të lehtë ligjor?

"Në aspektin politik ky është një mesazh shumë i fortë elektoral, por në aspektin praktik dhe ligjor është jashtëzakonisht i vështirë. Dëbimi i qindra mijëra emigrantëve do të përballet me pengesa të mëdha ligjore, me mungesë kapacitetesh administrative dhe me kundërshtime serioze nga gjykatat britanike, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare. Edhe largimi nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut do të ishte një hap historik dhe shumë i debatueshëm, sepse do të ndikonte jo vetëm në emigracion, por në të gjithë sistemin juridik britanik. Pra, një pjesë e madhe e këtyre deklaratave kanë funksion më shumë mobilizues dhe populist sesa plan real qeverisës", tha Kujtim Vani.

Rritja e Reform UK po detyron si Laburistët, ashtu edhe Konservatorët që të ashpërsojnë qëndrimet e tyre. Farage, tha Vani, ka arritur të diktojë agjendën kombëtare mbi kontrollin e kufijve dhe emigracionin e paligjshëm.

"Farage po i shtyn të dyja partitë kryesore drejt një debati shumë të ashpër mbi emigracionin dhe identitetin kombëtar. Konservatorët kanë një pjesë të elektoratit të tyre drejt Reforma UK, ndërsa Laburistët kanë frikë se po humbasin votuesit e klasës punëtore në veri të Anglisë. Kjo po i detyron të dyja partitë ta ashpërsojnë retorikën për emigracionin, kufijtë dhe sigurinë, sepse askush nuk dëshiron t'i lërë Farage monopolin e këtyre temave. Absolutisht, Nigel Farage ka arritur ta vendosë emigracionin në qendër të debatit politik britanik, dhe edhe kur nuk është në pushtet, po dikton agjendën. Si Laburistët, ashtu edhe Konservatorët e dinë se një pjesë e madhe e elektoratit është shumë e shqetësuar për emigracionin e paligjshëm dhe kontrollin e kufijve, e për këtë arsye po shihen politika dhe deklarata shumë më të forta sesa disa vite më parë, ku frika më e madhe për partitë tradicionale është që Farage të mbetet, apo të mos kthehet në zërin kryesor të pakënaqësisë popullore", tha Kujtim Vani.

Gazetari thekson se debati mes kryeministrit Edi Rama dhe Nigel Farage, ku Rama e akuzoi liderin britanik për përdorimin e shqiptarëve si "kokë turku", pati dy interpretime të ndryshme në opinionin e brendshëm në Britani.

"Reagimi i Kryeministrit Rama mori shumë vëmendje në mediat britanike dhe u pa në dy mënyra të ndryshme në debatin e brendshëm politik në Britani. Mbështetësit e Ramës mendojnë se ai bëri mirë që kundërshtoi stereotipizimin e shqiptarëve dhe përdorimin e tyre si simbol politik për problemet e emigracionit në Britani, ndërsa mbështetësit e Farage e përdorën këtë për të përforcuar narrativën e tyre se qeveritë e huaja po ndërhyjnë në debatin britanik. Në përgjithësi, deklaratat e Ramës e bënë çështjen shqiptare edhe më të dukshme në debatin publik britanik", tha Kujtim Vani.

Vani thekson se ndikimi i kësaj klime ndryshon krejtësisht në varësi të statusit ligjor të emigrantëve shqiptarë. Presioni pritet të jetë maksimal mbi ata që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme.

"Për shqiptarët e ligjshëm që punojnë, studiojnë dhe janë të integruar në Britani, nuk pritet të ketë ndryshime dramatike të menjëhershme. Shqiptarët, ndryshe nga komunitetet e tjera, jetojnë me djersën e tyre duke punuar në punë të ndershme dhe kontribuojnë në zhvillimet ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar duke paguar taksa si gjithë qytetarët britanikë. Të tjerët janë ato që jetojnë në kurriz të taksave të taksapaguesve shqiptarë dhe atyre britanikë. Klima politike mund të bëhet më e ashpër dhe më armiqësore ndaj emigracionit të paligjshëm, ndërsa për emigrantët pa dokumente presioni do të rritet ndjeshëm, sidomos nëse Reforma UK arrin të ndikojë politikën qeveritare. Retorika politike shpesh krijon edhe tensione sociale, prandaj komuniteti shqiptar do të duhet të jetë shumë i kujdesshëm për të mos u identifikuar padrejtësisht me emigracionin e paligjshëm", tha Kujtim Vani.

Nga ana tjetër, sipas Kujtim Vanit, kriza aktuale politike në Londër nuk pritet të sjellë asnjë ngadalësim të marrëveshjeve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe për kthimin e emigrantëve të paligjshëm, përkundrazi ato mund të forcohen.

"Nuk besoj se kjo krizë do t'i ndalojë marrëveshjet, përkundrazi, emigracioni pritet të mbetet një nga temat më të nxehta politike në Britani. Çdo qeveri, qoftë laburiste, konservatore apo një koalicion me ndikim të Farage, do të kërkojë të tregojë se ka kontroll mbi kufijtë. Kjo do të thotë se marrëveshja me Shqipërinë për kthimin e emigrantëve të paligjshëm ka shumë gjasa të vazhdojë dhe ndoshta edhe të forcohet, duke konfirmuar se çështja shqiptare ka hyrë tashmë në debatin politik britanik dhe nuk pritet të zhduket shpejt", tha Kujtim Vani.

Kriza në Britani/ Gazetari Kujtim Vani për CNA TV: Si preken

Me këtë analizë të detajuar, gazetari Kujtim Vani bën të qartë se stuhia politike në Londër po dikton një kurs të ri dhe më të ashpër për emigracionin, ku sfida kryesore për komunitetin shqiptar mbetet ruajtja e dinjitetit dhe mbrojtja e vlerave të mijëra bashkatdhetarëve që kontribuojnë me ndershmëri në Mbretërinë e Bashkuar./CNA





Lajmet e fundit nga