web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Opozita nuk është "tokë e xanun", por detyrë kushtetuese

25 Prill 2019, 17:00, Aktualitet CNA

Nga Arian Galdini

– U bënë 3 dekada që janë një grusht njerëz, ata të cilët ia kanë dhënë të drejtën vetes të jenë edhe udhëheqësit e pagabueshëm, edhe opozitarët me “tokë të xanun”, edhe pushtetarët e epopeve të mëdha, edhe pasunarët e fëlliqur prej plaçkëbërjes dhe sundimit mbi arbitraritetin dhe paligjshmërinë, edhe vrasësit e lirisë, edhe vrasësit e njerëzve, edhe groposësit e shpresës dhe aspiratave, edhe përzënësit e shqiptarëve, edhe mbytësit e të talentuarve dhe të ndershmëve, edhe shokët e ologarkëve, analistëve dhe horrave e kriminelëve, edhe “të përvujtunit” që qajnë e shkulin flokët për hallet e qytetarëve të thjeshtë.

Tre dekada pacipësi.

E ti dëgjosh e lexosh këta pak “Të pacipë”,  kupton se Ata e kujtojnë Shqipërinë si trinçe postkomuniste ku ata mund të mbushin “hauret e tyre” me para e plaçkë pafund, e neve të na hedhin si mish për top që të mbrojmë “gjënë e tyre” të paketuar kinse me ideale të mëdha.

Haurit të parave të thata, ua kanë vënë etiketën mbi paketimi  me ideale si “zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Haurit të pronave të patundshme nën emra familjarësht, tarafi, miqsh, shoferësh, truprojash dhe kapterësh, ia kanë vënë etiketën “luftë kundër krimit, mafias dhe narkoshtetit”.

Haurit ku kanë kompanitë offshore, aksionet e fshehura nëpër oligarkë, pjesën e fitimeve nga trafiqet dhe krimi, i kanë vënë etiketën “luftë kundër oligarkisë”.

Haurit ku kanë vilat luksoze, apartamentet, pushimet ekzotike, dashnorët e dashnoret, orgjitë dhe perversitetet i kanë vënë etiketën “lufta kundër varfërisë”.

Haurit ku kanë mediat, analistët, gazetarët me rrogë pronarësh dhe rrogë partie, i kanë vënë etiketën “lufta për një Shqipëri Europiane”.

E kështu me radhë…

Pacipësia ka tejkaluar çdo limit e masë.

Sidoqoftë “trinçea” ka disa kode dhe fjalë kyçe që e mbajnë të pakalueshme e shpesh herë edhe të pazbërthyeshme.

Është detyrë absolute e jona dhe e çdo qytetari dhe politikani jashtë “trinçesë” që ta shkokolisim dhe dekodifikojmë për ta zbardhur qartësisht dhe thjeshtësisht për këdo, çdo kod e fjalë kyç të “trinçesë”.

Këto nuk janë një paketë turistike sezonale e negociuar për të garantuar rrugën e Opozitës drejt pushtetit.

Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta janë një ideal i madh.

Nuk janë as nevojë a domosdoshmëri e opozitës dhe as atribut i qeverisë.

Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta, nuk kushtëzohen, nuk arrihen me luftë, as me pëplasje.

Në 3 dekada “trinçeizëm” në mënyrë ciklike sa herë kemi patur zgjedhje kemi patur “luftë”, përplasje, sherrnaja, përballje, beteja, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

E në fund, gjithçka është mbyllur me pazare që kurrë dhe ende nuk ua kanë garantuar shqiptarëve institucionin e “zgjedhjeve të para vërtetësisht të lira, të ndershme dhe të barabarta”.

Kanë bërë pazare dhe Kode Elektorale kriminale, antiliri, antidemokraci, antizgjedhje dhe ose kanë mbajtur pushtetin me dhunë e hile, ose kanë pasuar pushtetin me ujdi negative dhe hile.

Këta burra dhe gra që kemi mbi krye, kështu si janë, këta që janë, ose do ulen në Dialog transparent dhe të hapur për publikun që të hapin e ndajnë mendjet e tyre për të krijuar çdo hapësirë politike, institucionale, partiake, ligjore, strukturore dhe qytetare që në Shqipëri të themelohen për herë të parë dhe njëherë e mirë zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta, ose përndryshe çdo “luftë e shpallur” është hile trinçeiste për të mos lejuar e as pranuar që shqiptarët të zgjedhin ndonjëherë në liri dhe barazi.

Lufta është taktikë trinçeiste për të mos u marrë vesh.

Sepse “trinçea” është një fakt i kryer.

Pa dialog parimor, transparent dhe të dlirë e mendjehapur, ka vetvetiu mbrojtje të “trinçesë”.

Lufta pra është mënyra e tyre për të vijuar që të na mbajnë në “trinçe”.

Ata thonë se kush hyn në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, legjitimon Edi Ramën dhe i shërben atij.

Me pak fjalë, “trinçeistët” me këtë propagandë parafabrikat duan të zhbëjnë dhe asgjësojnë çdo qytetar, parti, lëvizje, komunitet që mendon e vepron ndryshe nga Ata.

Por nëse thamë më sipër se “lufta” i shërben vetëm “trinçesë”, atëherë na duhet vetëm ta zhvillojmë më tej arsyetimin.

Ta nisim ngadalë sikur po ua shpjegojmë fëmijëve tanë.

Çfarë i bën legjitime zgjedhjet dhe pushtetet?

Tre komponentë.

Çfarë po ndodh sot në Shqipëri?

Kemi zgjedhje ligjërisht të shpallura, kemi ndërkombëtarët pra arbitrin që po i njohin dhe kemi një konstante 30 vjeçare të mospranueshmërisë së gjerë publike.

Gjithmonë opozitat në Shqipëri, as i kanë njohur, as i kanë pranuar, e as i kanë natyralizuar zgjedhjet kur kanë qenë humbëse vetë.

Pra, nëse kemi zgjedhje të mbështetura në ligj, të kërkuara e njohura nga arbitri ndërkombëtar, ku ndryshon mospranimi i gjerë publik i tyre me bojkotim zgjedhjesh nga ai me pjesëmarrje në zgjedhje.

Praktikisht kemi të njëjtin rezultat.

Pra nëse Edi Rama shpallet fitues me zgjedhje te ligjshme, të njohura nga arbitri, ç’kuptim ka të akuzosh si legjitimues të proçesit zgjedhor ato parti dhe ata individë opozitarë të cilët kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje?

Madje, nën këtë logjikë, mundësitë janë më të mëdha janë që dhurues të fitores pa mund të Edi Ramës, të jenë ata që i kanë shpallur “luftë” duke bojkotuar zgjedhjet.

Me frymën e “trinçesë”, ata mund të jenë nën pazarin, ti merri të gjitha në tavolinë në këto zgjedhje, e si triumfator mbyll çdo gropë e vrimë brenda partisë tende, pastaj, në zgjedhjet e ardhshme apo të parakohshme parlamentare, na e dorëzo neve pushtetin qëndror me ujdi.

Nuk po akuzoj, nuk po them se është kështu, por po ngre edhe unë një hipotezë që mund të ketë shumë të vërteta brenda.

A nuk ka tre dekada që Shqipëria vuan pikërisht prej këtyre ujdive e pakteve me konsensus negativ të udhëheqësive tona politike të majta dhe të djathta?

Kush e ndan dot, se cila ështe fasada, opozita nën ujdi me konsensus negativ me Qeverinë, apo opozitarët që tek e fundit kanë vendosur të bëjnë detyrën e tyre duke konkuruar në zgjedhje edhe pse e dinë se as këto zgjedhje nuk do të jenë të lira, të ndershme dhe të barabarta.

Ndoshta fasada më e përsosur është ajo që të shpall luftë me marrëveshje, që të arrijë paqen po me marrëveshje.

Kodin Elektoral a e bënë bashkë këta?

Mosndryshimin e Kodit Elektoral, a e bënë po bashkë këta, duke i shpallur me dakordësim “luftë” njëri – tjetrit?

Kush e pengoi Opozitën Zyrtare që të kishte hapur e zhvilluar një debat të madh publik mbi ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të mbërritur në një paketë konkrete, transparente dhe të ndriçuar propozimesh ligjore për të themeluar zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta në Shqipëri?

Nëse kauza e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta, sot meritoka edhe një “luftë civile”, atëherë përse deri para dt 16 shkurt ishte çështje kaq e parëndësishme e aspak prioritare?

Edhe njëhere pyes, kush është atëherë Opozita Fasadë, këta që kanë “luftë” dhe “paqe” të dakordësuar me Qeverinë, apo ato parti, komunitete e individë opozitarë që po bëjnë detyrën e tyre qytetare, politike, kushtetuese dhe ligjore duke marë pjesë në zgjedhje?

Apo ne që marim pjesë në zgjedhje u prishim pazarin dy palëve që janë dakordësuar për “luftën” dhe “paqen” e tyre?

“Trinçea” e kërkon që monopolin e “luftës”, “paqes”, garës, shpallejes së armiqve ta kenë gjithmonë vetëm ai Grushti i pak Njerëzve që kanë 30 vjet që na sundojnë, herë si pushtetarë e herë si opozitarë.

Kush u hyn në mes, u prish rendin e trinçesë.

Kanë shpikur ca terma tipike postkomuniste, njëlloj si tua kishte huazuar Nexhmije Hoxha nga Instituti i Studimeve Marksiste – Leniniste.

Pash Zotin, a ka mendje demokratike, realisht demokratike që mund të mi shpjegojë këto dy terma propagandistikë parafabrikat Nexhmijeist që kanë 30 vjet që përdoren nga “trinçeistët” tanë?

Psh, është njëlloj si të kërkosh që PD e Italisë si parti e majtë të bashkohet me Forza Italian e Silvio Berlusconit, meqë janë të dyja në Opozitë.

Paradoks total, njëlloj si bashkimi i PD me LSI në Koalicionin Opozitar.

Apo tu thuash Laburistëve në Britani që të bashkohen me Lib Dem- ët, meqë janë parti në Opozitë.

Nuk ndodh.

Nuk ndodh sepse opozita nuk është Front Lufte.

Opozita nuk është as Llogore.

Opozita nuk është as “tokë e xanun”.

Opozita është detyrë kushtetuese, ligjore dhe politike.

Opozita është pakica apo pakicat që, siç do thoshte “filozofi” popullor Nard Ndoka, janë pakica sepse nuk kanë fituar dot shumicën.

Opozita dhe opozitarizmi, përcaktohet nga votat e mbi të gjitha edhe raporti që qytetarë, komunitete, parti apo lëvizje vendosin veten përballë qeverisë.

Opozita Zyrtare ka kuptim vetëm si përcaktim ligjor për detyrimet dhe të drejtat që kanë ato parti të cilat janë votuar si Pakicë nga qytetarët shqiptarë.

Politikisht, opozitarizmi është vendim personal, politik dhe gjendje e përcaktim përballë Qeverisë, me vullnet të lirë.

Pse kaq shumë tollovi për një çështje që është e zgjidhur me ligj?

Kush është votuar si pakicë në zgjedhjet parlamentare të 2017, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë Opozita Zyrtare e patjetërsueshme.

Askush nuk e ndryshon dhe nuk mundet ta ndryshojë apo diskutojë këtë fakt.

Po aq i vërtetë është ky fakt sa është edhe i vërtetë realiteti i ri politik.

Kush mer pjesë në zgjedhjet lokale, përcakton edhe gjendjen e vetë politike, pra si qeveri apo si përballë qeverisë.

Qytetarët do të vendosin me votën e tyre se cili do të jetë realiteti i ri politik dhe ligjor në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Opozita që ka vendosur të bojkotojë, nuk ka pse të trembet nga partiçkat.

Partiçkat nuk i marrin vota opozitës që bojkoton.

Opozita që bojkoton, thotë se është shumicë reale.

Me pak fjalë, ata nuk kanë pse shqetësohen nga partiçkat që do hyjnë në zgjedhje për të kërkuar votat e opozitarëve që duan të votojnë.

Të gjithë kanë të drejtën e tyre.

E secili mban përgjegjësi për vendimet e veta.

Partiçkat mund të mbeten partiçka vetëm nga kutia e votimit.

Problemi është kur partitë duan të imponohen si Nëna Parti prej jashtë kutive të votimit.





Lajmet e fundit nga