web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Protestues nga Kosova dhe RMV/ Lamallari ironizon: Si skenar filmash, mungojnë shpatat dhe kuajt

21 Qershor 2026, 19:03, Politikë CNA

Protestues nga Kosova dhe RMV/ Lamallari ironizon: Si skenar filmash,

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reguar sot lidhur me mbërritjen e disa protestuesve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari shprehet se përdorimi i këtyre targave me idenë se janë protestues nga ‘diaspora’ për shpëtimin e vendit nuk mund të prishë kuptimin e kësaj fjale, vetëm përmes ‘maskimit’ me plisa e xhamadanë.  

Reagim i plotë:

Me targa nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!

Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.

Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.

Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vallin.

Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.

P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e Kosovës dhe RMV duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor./CNA

 





Lajmet e fundit nga