web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sulme të reja izraelite në Gaza/ Gjashtë të vrarë, mes tyre një gazetar i Al Jazeera

21 Qershor 2026, 11:22, Kosova & Bota CNA

Sulme të reja izraelite në Gaza/ Gjashtë të vrarë, mes

Një seri sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës ka lënë të paktën gjashtë persona të vdekur, mes të cilëve një operator i televizionit Al Jazeera dhe një fëmijë, sipas raportimeve nga zyrtarët shëndetësorë dhe ekipet e shpëtimit.

Televizioni Al Jazeera ka dënuar ashpër vrasjen e gazetarit Ahmed Ëishah, i cili humbi jetën në një godinë banimi në kampin e refugjatëve Bureij, në Gazën qendrore. Në deklaratën e tij, rrjeti televiziv e cilësoi këtë ngjarje si një "shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare" dhe një politikë sistematike për të heshtur zërin e së vërtetës.

Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë hedhur akuza të rënda, duke pretenduar se Ëishah ishte një "operativ snajperist i krahut ushtarak të Hamasit". Bashkë me të, në të njëjtin sulm humbën jetën edhe dy persona të tjerë, të cilët IDF po ashtu i akuzoi si pjesëtarë të Hamasit.

Në një ngjarje tjetër, katër anëtarë të së njëjtës familje u vranë gjatë një sulmi që goditi një shtëpi në lagjen Sabra të Gaza Cityt gjatë natës. Sipas dëshmive të të afërmve dhe mjekëve, viktimat përfshijnë dy gra dhe dy fëmijë.

Të afërmit e familjes së goditur kanë mohuar çdo lidhje të tyre me grupet militante. "Ata janë thjesht fëmijë të pafajshëm, nuk kanë lidhje me Hamasin," u shpreh Nael Safadi, një i afërm i familjes, duke pyetur me ironi nëse kjo që po ndodh mund të quhet vërtet "armëpushim".

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetorin e kaluar, shifrat tregojnë se mbi 1,000 persona kanë humbur jetën në Gaza. Edhe pse ndihmat humanitare janë shtuar, duke lehtësuar disi krizën e urisë, situata mbetet kritike. Sipas OKB-së, 70% e popullsisë ka ende nevojë për strehim, ndërsa shërbimet thelbësore janë në prag të kolapsit.

Marrëveshja e armëpushimit parashikon çarmatimin e Hamasit, heqjen dorë nga qeverisja e Gazës dhe tërheqjen progresive të forcave izraelite, por procesi po has në vështirësi të mëdha.

Tensionet mbeten të larta, pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes, ndërsa bilanci total i viktimave në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka kaluar 73,000. /CNA





Lajmet e fundit nga