web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

BE ultimatum Shqipërisë/ Ministra dhe deputetë drejt prangave?

27 Qershor 2018, 08:25, Aktualitet CNA

Bashkimi Europian ka vënë një vit afat për arrestimin e politikanëve të korruptuar në Shqipëri. Dje ministrat e Jashtëm të BE u mblodhën në Luksemburg dhe vendosën që negociata Shqipëri-BE të hapen në qershor 2019, por nëse përmbushen një sërë kushtesh, sidomos në luftën kund korrupsionit. Brukseli, duke parë ecurinë e reformave deri më tani, si dhe qëndrimet e mbajtura nga ana e Francës dhe Holandës, ka vendosur të kërkojë më shumë progres nga Shqipëria sa i takon reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të binden vendet skeptike.-raporton gazeta Sot.

Ndërkohë, kujtojmë këtu se gjatë 2019-ës Presidenca e BE do të drejtohet nga Bullgaria, e cila përveçse është një mbështetëse e Shqipërisë, ka dhe si prioritet zgjerimin e unionit.

Vendimi BE dje ka dhënë sinjale se në Shqipëri do të nisë reprezalja në radhët e politikës. Edhe pse nuk do ketë negociata këtë vit, Brukseli ka paralajmëruar se deri në qershor 2019 do të ketë arrestime në nivele shumë të larta. Gazeta Sot, ka siguruar raportin e miratuar dje nga ministrat e Jashtëm dhe aty kanë një sërë kushtesh që duhet të përmbushen nga Shqipëria. Kryesorja është se BE kërkon luftë të ashpër ndaj korrupsionit në nivele shumë të larta. ?Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në të gjitha këto fusha dhe duhet të sigurojë se rezultatet e mëtejshme duhet të arrihen edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, si dhe në çmontimin e rrjeteve kriminale të organizuara. Në kuadrin e reformës së drejtësisë, institucionet e specializuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar ende duhet të krijohen sipas kuadrit ligjor tashmë në fuqi. Krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet, mbetet një objektiv thelbësor afatgjatë që kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të qëndrueshme?, thuhet në raport.

Me këtë vendim të BE, sinjalet janë se shumë shpejt do të nisin arrestimet në nivele ministrash, ish-ministrash dhe deputetësh. Brukseli dje ka qenë i qartë se nëse politikanët e korruptuar nuk dalin para drejtësisë, atëherë nuk do ketë hapje të negociatave.





Lajmet e fundit nga