LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ana e pasme e luksit të “Top Channel”

18 Nëntor 2023, 17:25, Opinione Ermal Mulosmani
Ana e pasme e luksit të “Top Channel”
Godina e "Top Channel"

Prej një muaji a më shumë, e gjithë Shqipëria është në një agresion propagandistik trushpëlarës me qendër ekranin e “Top Channel” dhe përhapje servile, rrathësh koncetrikë portalesh të cilët të gjejnë në çdo skutë ku mund të fshihesh.

Në çdo moment të ditës, në emisionet e “TCH”, para, në mes, në fund të tij, 60 herë në ditë, një spot televiziv me figura qendrore bigbrotheristët e famshëm, lajmëron suksesin ndërkombëtar të filmit "Në kuadër të dashurisë"; sesi po çirreshin audiencat ndërkombëtare nga yjet e rinj të filmit.

Kjo histeri u parapri nga histeria e premierës! Sado përpiqeshe të largoheshe nga pjesa e publicitetit për të shpëtuar nga zhurma, ishte mëse e kotë. Çdo emision të fliste për ditën e madhe, pregatitjet, ethet, dhuratën e madhe të “Top Channel” për Shqipërinë e vogël. Më dukej vetja mosmirënjohës kur e ndërroja stacionin i veletitur nga kjo festë kombëtare...

Ndërsa ju rrini në shtëpi e bëni qejf NE shpenzuam paratë, kohën, kreativitetin artistik të Luizit dhe Oltës, për të mbushur boshllëkun dramatik të filmit në vendin tonë” –dukej sikur thonin intervistat e panumërta, kronikat dhe specialet pragfilm të pregatitura me një histeri televizive të paparë ndonjëherë.

Ana e pasme e luksit të “Top Channel”

Kjo ishte vetëm parapregatitja. Ngjarja në vetvete ishte një perfeksion i paparë ndonjëherë i marketingut, një organizim madhështor ku parashikohej me detaje e pompozitet galeria e personazheve, komentohej veshja e thashethemet rozë- një vanitet në delir ku gjithsecili ishte figurant me dëshirë i një show të stërmadh, ndoshta më të madhit dhe më të mirëorganizuarit që kam parë ndonjëherë. Në këtë drejtim “Top Channel” arriti një kulm estetik në propagandë, vanitet e farfuritje luksoze. Ajo ceremoni perfekte është ëndrra e çdo krijuesi për veprën e tij artistike. Edhe e atij që nuk i pëlqen asfare fanfarat. Ka një prirje për t’i parë ndryshe kur vjen pun ate vepra e tij. Sesi i duken më njerëzore, më të pranueshme…

Mendova për një çast Erenik Beqirin, regjisorin që para një muaji mori Luanin e Artë në Venecia, çmimin më prestigjioz të fituar ndonjëherë nga një produksion filmik deri më sot. Si do e ketë pasë ai premierën? Me siguri me ca ftesa modeste, ndonjë sms kolektiv kolegësh, një koktej i varfër me pije vendi e në fund, me shpresë, ndonjë kronikë televizioesh dytësore ku lajmi i një filmi të shkurtër as mbahet mend mes një edicioni farfuritës me politikë e vanitet rrëzëllitës.

E hoqa shpejt mendjen nga Ereniku. Fundja secili ka hallet e tij.

Produksioni e kishte mbështjellë aq bukur produktin e tij sa, pas gjithë asaj mbështjelljeje luksoze, askush nuk guxon të nëpërkëmbë dhuratën që gjeti brenda. Fundja në një shoqëri të vanitetit ku gjithçka është formë një rob që flet për përmbajtje duhet të të nxirret jashtë me shkelma. Ai nuk ka vend në të.

Për 100 Euro të qelbta!

As unë nuk do të them gjë për përmbajtjen. E para sepse nuk e kam parë filmin. E dyta sepse do të doja me shpirt, për hir të raporteve me disa nga autorët, që produkti artistik të ishte në të njëjtin nivel me marketingun që iu bë filmit. Uroj të jetë kështu.

Por nuk rri dot pa shkruar diçka për Produksionin e filmit, pikërisht për këta mbështjellësit e shkëlqyer të filmit për të cilët nuk i kurseva fjalët e mira në fillim.

Ana e pasme e luksit të “Top Channel”

Ishte bash ky luks e kjo zdërhallje e paparë që më nxiti të shkruaj për anën tjetër të produksionit të këtij filmi. Rastësisht isha dëshmitar i një amatorizmi, kurnacërie dhe denigrimi të stafit realizues i paparë në asnjë film artistic deri tani.

Përpara sesa të shkruaj për Produksionin e “Top Channel” më duhet të sqaroj se Produksionet filmike në Shqipëri, përkundër marketingut modest, janë shembuj të shkëlqyer organizimi. Stafet realizuese akomodohen në strukturat më të mira hoteliere kur dalin nga Tirana, ushqimi është i shkëlqyer, me kafe dhe ëmbëlsira në set të xhirimit dhe orare strikte pune. Nëse produksionet filmike kanë të meta sa të duash, pjesa më e lavdërueshme e tyre mbetet organizimi perfekt i sheshit të xhirimit, mardhëniet me stafin dhe sidomos korrektësia në pagesa. I gjithë stafi i filmit ka marrë shpërblimin, sado të vogël, të nesërmen e mbarimit të xhirimeve. Ky është një standard që dihet tashmë dhe realizuesit kurrë nuk e kanë cënuar.

Krejt e kundërta ndodhi me produksionin e “Top Channel”. Në krye të një stafi profesionist, me përvojë në realizimin e filmave në Shqipëri, u vu Ledioni, një arrogant që gërmohej nëpër sms sikur të fliste me punëtorë kanalesh. Gjithë organizimi ishte një kthim kokëposhtë i gjithçkaje profesionistët kishin mësuar. Rastësia, improvizimi dhe varfëria vihej re në çdo ditë që kalonte. Stafi realizues i mësuar me kushte komode u detyrua të harxhonte paratë e veta për të përballuar minimumin kërkesave që kishin për pastërtinë dhe cilësinë e ushqimit. Një lokal qokash, ku mbas mbarimit të një ceremonie varrimi mund të shtrohej dreka e stafit të stërlodhur nga orët e gjata të xhirimit, ishte zgjedhja e “Top Channel” për një pjesë të mirë të stafit realizues. Në atë restorant të qelbur shpesh u panë krimbat të lëviznin shtigjeve të pilafit dhe të nxisnin neverinë për të mos e shkelur këmbë aty. Kjo bëhej sepse marketing i Topit, kishte bërë një marrëveshje kleringu me këtë neverinë!

Shumica e stafit përdori pjesë të mira të parave për të blerë sandwiçe, pasta apo fast foode për t’ia parë bojën asaj nevojtorej topchanneliste!

Asnjë lek dietë nuk dhanë Producentët luksozë për stafin realizues, përkundrazi, i çuan në atë zgjyrë dhe pothuaj çdo ditë tejkalonin 12 orëshin e rënë dakort në kontratë.

Ana e pasme e luksit të “Top Channel”

Pse duroi stafi lind pyetja. Sepse janë njerëz të devotshëm. Ata janë mësuar që një punë që e nisin ta çojnë deri në fund. Përtej përçmimit për kotheren Ledion ata kishin një respekt dhe admirim për ikonën “Top Channel”, televizionin që gjithsesi, edhe sot, është një dashuri e pashteruar për shqiptarët.

Dikur ai mundim mbaroi. Me të mirat e të metat e veta filmi është një vepër e përbashkët e shumë njerëzve dhe është e pamundur të mos e duash veprën tënde.

Ditët pas mbarimit të filmit, realizatorët prisnin pagesën. Siç janë mësuar gjithmonë. Ishte mesi i Korrikut. Por askush nuk po bëhej i gjallë. Ishin për tu marrë 2/3 e pagesës.

Njerëzit filluan të shkruanin mes tyre. Si shpjegohet që “Top”-i të ishte kaq kothere? Kjo nuk kishte ndodhur kurrë! Filluan përqeshjet, përtalljet. Ky ishte kulmi! Kaloi një javë, dy… Asgjë. Erdhi Gushti, java e parë e dytë e tretë. Askush nuk përgjigjej. “Top”-i po dukej si Sudja, një piramidë e turpshme. Askush nuk dinte se kur do të paguhej stafi. Erdhi Shtatori, përsëri asgjë. Data 1, 2, 3, 4, 5. U hapën llafe që s’ka para “Top”-i. Sa gjynah! Mos po kërkon ndihmën tonë? Ja edhe ca ditë, ju lutem… Erdhi data 10, u tha me 15. Kaloi data 15, dikush foli: “Më duket do paguhemi”!

Hyyy, festë e madhe! “Top Channel”, ikona e korrektësisë së pagesave është bërë si kotheret e televizioneve dhomë e kuzhinë që të jepnin ushqime rrogat e prapambetura. Realizatorët e filmit nuk u besojnë syve! Kanë ardhë paratë, hajdeni të festojmë.

Kjo është e vërteta e “Top Channel”. Shpenzime të shfrenuara publicitare, luks propagandistik, vanitet dhe perfeksion post production nga njëra anë dhe kurnacëri, arrogancë, amatorizëm dhe varfëri kotheresh mbas kamerave.

Me një fjalë një nevojtore e superparfumosur.

Lajmet e fundit nga