LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zeman, ti nuk ishe agjent i FBI-së!

2023-02-06 17:19:00, Opinione Agim Xhafka
Zeman, ti nuk ishe agjent i FBI-së!
Agim Xhafka

Zemani nuk jeton më.

Fluturoi lart me brengën e madhe që nuk e takoi vetëm 5 minuta Edi Ramën, kryeministrin e vendit të tij. Jetoi në Vlorë, erdhi plot herë poshtë dritares së tij me shpresë se do i dilte makinës para e do i thoshte dy fjalë Ramës. Po rojet e shumtë e mbanin aq larg sa nuk iu krijua mundësia të komunikonte as me sy.

Po kush qe Zemani?

Një burrë fisnik, inxhinier elektronik që para ca vitesh mori me qira një tokë në Llogara dhe mbolli atje mijëra fidanë pisha dhe bredha.

-Do duhen këto drurë se plot vende po shpyllëzohen, shumë fabrika çimento e kanë me ligj të mbjellin aq sipërfaqe sa shkretojnë. Duhen fidanët të mbillen mes autostradave, ashtu si gjithë bota. E i hyri kësaj pune me shpenzimet e rrogës dhe me pasionin e një dashnori të mjedisit. Kur fidanët u lartuan dhe u forcuan, Zemani nisi të kërkojë blerës.

U shkruante bashkive, ministrive, kryeministrit, i shiste sa kushtuan, pa fitim fare. Nga që e kishte pushtuar pasioni letrat i çonte vetë, nuk kishte besim te posta. Vinte në Tiranë me furgon e po me furgon largohej pas 6-8 orësh. Por askush nuk i ktheu përgjigje. Askush nuk e takoi.

E atëherë bëri ‘marrëzinë’. Ofroi për çdo fidan të rritur çmimin 3 euro kur shteti i blinte nga jashtë gjoja me tendera me çmim 30 deri 100 euro. Sërish asnjë përgjigje. Atëhere u ngul disa ditë para kryeministrisë. Me shpresë që do e takonte Edi Ramën.

-Doja t’i thoja dy fjalë, do ia fal shtetit ato mijëra fidanë, veç hajdeni dhe merrini!

Po kjo bujari nuk ndryshoi gjë. Sërish heshtje. As falas nuk i merrte ky shtet që blinte miliona euro fidanë néper botë. Mbetën bredhat në Llogara e tani janë bërë pyll. Pylli i Zemanit do e quajnë.

Zemani ndërroi jetë. Me siguri me brengën e madhe që askush jo vetëm nuk e përgëzoi pér atë punë fisnike, por as nuk i kthyen dy fjalë përgjigje atyre qindra letrave të tij.

Zeman, mund ta kishe plotësuar lehtë dëshirën sikur në fund të letrës të firmoje ‘Agjenti i FBI-së’. Atëherë do të të ftonte Rama në zyrë, do i blinte gjithë bredhat me trefish të çmimit tënd dhe do të të kishte dhënë disa puse nafte t’i shfrytëzoje, boll të sajoje rrena për Berishën, apo opozitën.

Ti nuk u more me agjentura, me shpifje, me korrupsion andaj e kishe vendin atje poshtë dritares së Ramës. Në shi, në erë, diell, acar e zheg se atij nuk i duhen pyje dhe fidanë të shëndetshëm.

I duhen aleatë në vjedhje, korrupsion e grabitje që të çimentojë karrigen e tij.

U prehsh në paqe mik!

Ato bredha që rrite të freskojnë edhe aty ku je dhe të kujtojnë botën mizore që le dhe Shqipërinë e mjerë ku na le...

Lajmet e fundit nga